'Mashtrimet me Forex e kriptovaluta rikthehen', Semanaj: Qytetarët po bien sërish pre e tyre, rrjetet kriminale po përgatisin skema të reja

09:29, 10/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Besmir Semanaj, Inxhinier Telekomunikacioni, nga studioja e “Kafe Shqeto” ka ngritur alarmin për një tjetër valë skemash mashtruese që po shfaqen në Shqipëri.

Ai tha se këto platforma synojnë kryesisht njerëzit që nuk kanë njohuri financiare dhe teknologjike, duke i joshur me premtime fitimesh të shpejta.

Sipas tij, fenomeni shpesh nis në qytete të vogla, aty ku individët e parë rekrutojnë qytetarë dhe më pas skema zgjerohet.

"Nuk besoj se bujqit e Divjakës, të Lushnjës apo qytetarët e Lezhës që janë bërë pjesë e këtyre skemave kanë aftësitë e duhura teknologjike që të krijojnë një llogari në rrjetin e ligjshëm të kriptovalutave, t’i blejnë ato apo t’i transferojnë këto kriptovaluta"- tha Semanaj.

 

Ndër të tjera, ai u shpreh se është e vështirë që këto mashtrime të përhapen masivisht, pasi lidhen me pagesa cash dhe kriptovaluta, por theksoi se banorët e thjeshtë, si bujqit apo qytetarët në zona rurale, nuk kanë aftësi teknologjike për t’u përfshirë vetë dhe prandaj ndihmohen nga rrjete të organizuara.

Ai paralajmëroi se pavarësisht denoncimeve publike, skemat do të rishfaqen në forma gjithnjë e më të sofistikuara dhe miliona euro mund t’u grabiten sërish qytetarëve.

Besmir Semanaj:

"Në përgjithësi këto platforma mundohen të peshkojnë njerëz të cilët, e para, nuk kanë dijet e duhura financiare dhe teknologjike, dhe e dyta, aty ku nisin aty dhe zgjerojnë.

Nëse personat e parë kanë nisur të rekrutojnë qytetarët dhe kanë qenë në Divjakë ose në Lushnjë, atëherë do të zhvillohet aty skema.

Është shumë e vështirë që kjo skemë të zgjerohet në territorin e Shqipërisë, sepse po flasim për pagesa cash, sikurse e thashë edhe më përpara.

Nuk besoj se bujqit e Divjakës, të Lushnjës apo qytetarët e Lezhës që janë bërë pjesë e këtyre skemave kanë aftësitë e duhura teknologjike që të krijojnë një llogari në rrjetin e ligjshëm të kriptovalutave, t’i blejnë ato apo t’i transferojnë këto kriptovaluta.

Kuptohet që kanë pasur dhe kanë ndihmë, pasi ka ende njerëz që po bien pre e tyre, megjithëse mediat po flasin çdo ditë tashmë.

Ka agjendë lokale dhe automatikisht logjika na çon që në këto zona kemi pasur edhe agjentët e parë që kanë rekrutuar qytetarët.

Institucionet shqiptare duhet të ndjekin pagesat, pra pagesat që janë kryer drejt këtyre.

Megjithëse janë në kriptovaluta dhe megjithëse nuk do arrijnë të kthehen para, duhet parë se në cilat portofole kanë shkuar këto para.

Këto persona që janë marrë me këtë skemë, ju siguroj se nesër pasnesër do krijojnë një skemë më të sofistikuar dhe përsëri do të flasim pas ca kohësh se si miliona euro do t’u grabiten qytetarëve përsëri.

Nga ajo që unë kuptoj është se është e njëjta dorë njerëzish që nis nga call center-at e famshëm, tek Forex, kriptovaluta, investime në bursa etj".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco