Problemet financiare të Air Albanias, e cila ka vënë një avion taksi në dispozicion të Kryeministrit Rama, duket se janë shumë të thella. Faqja zviceriane e specializuar në lajmet e aviacionit, Ch-Aviation njoftoi se një nga qiradhënësit ka paditur në gjykatë kompaninë shqiptare për mospagimin e qirasë së avioneve.
Nuk dihet se cila është kompania paditëse dhe në cilën gjykatë e ka paditur ajo Air Albanian.
Por kohët e fundit në media është publikuar lajmi se një prej avionëve të Air Albanias u sekuestrua në Stamboll nga kompania qiradhënëse Etihad në fillim të muajit të kaluar për shkak të mospagimit të qirasë.
Ky është lajmi i radhës që dëshmon se flamuri shqiptar i aviacionit mund të jetë në momentet e tij të fundit.
Pak ditë më parë, Aeroporti i Ljubjanës njoftoi se Air Albania kishte anulluar fluturimet Tiranë-Ljubjanë për shkak të vështirësive financiare. Ndërsa këtë të mërkurë (3 shtator 2025) u bë publik lajmi i padisë për mospagesën e qirasë së avionëve.
Syri Televizion raportoi 2 javë më parë se për të pestin vit radhazi, shoqëria “Air Albania”, rezulton të ketë dalë me humbje.
Kompania me seli në Shqipëri refuzon prej të paktën 4 vitesh që të publikojë bilancet financiare, në shkelje të plotë të legjislacionit vendas.
Megjithatë, situata e saj e vështirë ekonomike zbulohet në të dhënat e Kontabilitetit të aksionerit të saj kryesor, Turkish Airlines. Shoqëria turke, e cila zotëron 49 përqind të aksioneve të “Air Albania”, deklaron se nuk e ka përfshirë shoqërinë shqiptare në bilancet e saj për vitin 2024, pasi “humbja tejkalon të gjithë totalin e aksionit të grupit”.
Një shënim i tillë gjendet edhe në raportet vjetore të viteve të kaluara, duke konfirmuar gjithnjë e më shumë se “Air Albania” është një shoqëri thuajse e falimentuar.
Kompania “Air Albania” është krijuar në vitin 2018. Struktura e aksionerëve të saj është ndarë në 49 përqind të Turkish Airlines, 41 përqind në pronësi të “MDN Investiment” të familjes së biznesmenit vlonjat, Sinan Idrizi dhe 10 përqind i zotëron shoqëria publike “Albcontrol”.
Në vitin 2020, “Air Albania” nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, me qëllim vëniën në dispozicion të kryeministrit Rama të një avioni çarter për udhëtimet e tij rajonale e ndërkombëtare.
Këshilli i Ministrave dhe “Air Albania” nuk kanë publikuar asnjëherë efektet financiare të kësaj Marrëveshjeje. Opozita e akuzon kreun e qeverisë se prej vitesh po shpenzon miliona euro për udhëtimet e tij me avionin-taksi.
© SYRI.net