Kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi, nga studioja e “Kafe Shqeto”, u shpreh se ky vit turistik nuk ka qenë aspak sipas pritshmërive, veçanërisht në bregdetin shqiptar, ku pritej të kishte fluks dhe të ardhura të larta.
Ai theksoi se stanjacioni i qartë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht me rritje të papërfillshme prej 0.4 apo 0.5% është një sinjal alarmi për një vend si Shqipëria, ku turizmi përbën një të katërtën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas Topuzit, ndonëse pjesa veriore e vendit, si Velipoja dhe Shëngjini, ka ruajtur një stabilitet falë pushuesve nga Kosova, jugu ka pësuar një rënie të ndjeshme, ku Saranda ka shënuar deri në 25% më pak lëvizje krahasuar me vitin e kaluar.
Për Topuzin, problemi nuk qëndron vetëm te numrat, por te mënyra se si qeveria e ka trajtuar turizmin: me propagandë, pa thelb, duke synuar turistët “low-cost” dhe duke rritur çmimet në mënyrë të pabalancuar, pa investuar në cilësi dhe shërbim.
Pjesë nga deklarata:
"Ky sigurisht që ka qenë një vit jo sipas pritshmërive dhe problemi më i madh ka qenë pjesa e turizmit të bregdetit.
Aty të ardhurat janë më të mëdha, periudha qershor-korrik-gusht kanë qenë në stanjacion dhe ka pasur lëvizje me 0.4 ose 0.5 që nuk janë të ndjeshme.
Sigurisht që pjesa më e stabilizuar ka qenë pjesa e veriut, Velipojë e Shëngjin ku vijojnë të jenë aktiv pushuesit e Kosovës, i konsoliduar ka qenë edhe Durrësi dhe më pak njerëz ka pasur Vlora dhe pjesa e jugut në Sarandë ku ka pasur deri në 25% lëvizje më pak se një vit më parë.
Këto janë efekte të rëndësishme për një vend si Shqipëria ku pjesën më të madhe, ¼ e prodhimit bruto e ka nga turizmi, e menaxhimi i situatës ndikon nga brezat që punojnë ku çdo turist fut në punë 7 veta e të gjithë këta krijojnë problem.
Cilësia e turizmit në Shqipëri, pavarësisht se qeveria e shet si ‘Maldivet e Europës’, pjesa më e madhe e turistëve kanë qenë ato të low-cost, eksploratorët që vinin për ta parë Shqipërinë, shpesh me biletën 30 euro dhe apartamentin 30 euro, ti mund të vish fare mirë me të gjithë familjen dhe do të të bie 5-6 euro nata për në hotel dhe kjo mënyrë e të shiturit e dëmtoi në një farë mase turizmin.
Rritja e çmimeve të pabalancuara cilësi-shërbim, duke menduar se ne jemi ata që do sulet e gjithë bota për të vizituar Shqipërinë, nuk është aq e thjeshtë e rezultati ishte ky".
© SYRI.net