Depozitat në valutë bien ndjeshëm në shkurt, ulen me 128 milionë euro, dobët edhe kursimet në lekë

Depozitat në valutë bien ndjeshëm në shkurt, ulen me 128 milionë euro, dobët edhe kursimet në lekë

10:24, 28/03/2024
A+ Aa A-

Muaji shkurt nuk ka qenë i mbarë për kursimet e depozituara në sistemin bankar, si në monedhën vendase ashtu dhe atë në valutë. Ecuria negative është orientuar më shumë nga rënia e depozitave të bizneseve, por edhe individët nuk kanë arritur të shtojnë paratë e hequra mënjanë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në shkurt, stoku i depozitave në euro arriti në 7.27 miliardë euro, me një rënie prej 1.7% në krahasim me muajin e mëparshëm, ose 128 milionë euro më pak. Kjo është tkurrja më e fortë e kursimeve në monedhën e përbashkët, të paktën që nga viti 2016, kur Banka e Shqipërisë i raporton të dhënat e detajuara në valutë. Tendenca është krejt e kundërt në krahasim me muajt e mëparshëm, kur shtesa mujore ishte relativisht e lartë (shiko grafikun: Ndryshimi mujor i depozitave në euro (mln euro), janar 2016-shkurt 2024).

Tkurrja në shkurt erdhi nga rënia e depozitave të bizneseve (Korporata jofinanciare private), që u reduktuar me 157 milionë euro, ose 12.5% më pak. Megjithatë, edhe individët nuk kanë arritur të rrisin depozitat pa afat, ndërsa ato me afat janë zgjeruar me ritme shumë më të ngadalta në krahasim me muajt e mëparshëm.

Për shkak të ecurisë së mirë deri në fund të 2023-s, depozitat në valutë janë rritur me 13.6% me bazë vjetore (shkurt 2024/shkurt 2023), ose 871 milionë euro më shumë.

Bien dhe kursimet në lekë

Edhe depozitat në valutë kanë shfaqur shenja ngadalësimi. Stoku i kursimeve në monedhën vendase ishte rreth 592 miliardë lekë, me një tkurrje prej 0.25% (1.5 miliardë lekë më pak) në krahasim me muajin e mëparshëm. Ashtu si me valutën, ndikimin e ka dhënë rënia e kursimeve të bizneseve, që u tkurrën me 6%, ose 6.4 miliardë lekë më pak. Muajt e mëparshëm kursimet e bizneseve kishin njohur një rritje të fortë.

Edhe depozitat e individëve në lekë nuk dhanë shenja rritjeje, pavarësisht se cikli i interesave është në rritje. Kthimet më të favorshme në letrat me vlerë të qeverisë duket se po i orientojnë individët drejt tregut të bonove e obligacioneve.

Me bazë vjetore (shkurt 2024/shkurt 2023), kursimet në lekë janë rritur me 7.4%, ose 41 miliardë lekë më shumë.

Të raportuara në lekë, stoku total i kursimeve në vend arriti në 1.3 trilionë lekë në shkurt, me një tkurrje prej 0.4% në krahasim me muajin e mëparshëm. 45% e kursimeve janë në monedhën vendase dhe 55% në valutë, kryesisht euro./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco