Pensionet në bankë, ekspertët: Kurrsesi një formalizim që imponohet, i pakonsultuar me të moshuarit

10:13, 27/03/2024
A+ Aa A-

Duke filluar nga muaji prill, pensionistët në të gjithë vendin do të fillojnë t’i tërheqin në banka, pensionet e tyre mujore, që duket se ka filluar të krijojë stres dhe pasiguri te mosha e tretë pas asaj që po detyrohet të përjetojnë me e-Albania.

Eksperti i ekonomisë, Akil Kraja si dhe aktivistja e moshimit, znj. Ermira Pirdeni, të ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV kanë ngritur problemin e madh që do t'iu krijohet të moshuarve në të gjithë vendin qoftë me përdorimin e teknologjisë, qoftë me mungesën e shërbimit ATM në zonat rurale, qoftë me rrezikun për të rënë pre e abuzuesve.

Z. Akil Kraja ndër të tjera tha: “Dua të jem i sinqertë. Si një ekonomist, është një lajm shumë i mirë që sa më shumë hallka të shoqërisë të përfshihen në sistemin bankar.  Ajo mbështet formalizimin, mbështet konsolidimin e analizave e kështu me radhë...

Por, duhet të afrojmë shërbim alternativ fizik për çdo pensionist. Dhe në vende si Bashkimi Evropian, ATM-të po mbyllen dhe vetë bankat janë kundër ATM-ve. Pra, është diçka kundër tregut, jemi shumë të vonuar dhe për pasojë me kosto shtesë fizike, operacionale, gjeografike për moshën e tretë.

... Mungesa e transparencës bën që (këto janë me hamendësime, por sipas rrjedhjes që ka pasur në media) shërbimi thuhet të jetë falas. Këtu kemi të bëjmë me një transfertë kostosh. Nëse më përpara idealja do të ishte që kjo pagesë të të vijë në banesë nga shërbimi postar, duke ulur kostot e transportit, kostot e mobilitetit, por edhe sigurinë fizike për pensionistët, tani do të shkojmë në një alternativë ku transportin do ta bëjnë këta vetë, veçanërisht në zonat rurale ku nuk ka ATM, mbase do të duhet të shkojnë edhe në qytet. Pra, ka të bëjë me shumë hallka dhe studimi, për vende që  e kanë zbatuar këtë nismë, sigurisht me vite, rezulton që në momentin që bankat mbyllin ATM-të për arsye kostosh, në zonat rurale ka raste me dhjetëra kur pensionistët ia kërkojnë një sipërmarrësi, një të riu, një familjari që shkon në qytet “ma tërhiq pensionin, ma sill”. Po flas për Bashkimin Evropian, jo për realitetin shqiptar që është edhe më i prapambetur, kur pensionistët mbeteshin pa pension sepse mobiliteti ka qenë një nga më të mëdha.

Pra, duhet formalizimi, por kurrsesi një formalizim që i imponohet me dhunë, i pakonsultuar me shtresat përfituese, në këtë rast pensionistët. Do të ndodhë e njëjta gjë siç ndodhi me e-Albania, gjithçka kaloi online dhe në fakt kostot për moshën e tretë në veçanti u rritën, duke i detyruar të shkojnë në zyra noteriale, zyra administrative , zyra private ku paguajnë aksesin e e-Albania që parimisht duhet të ishte falas.”

Kurse znj. Ermira Pirdeni, aktiviste e moshimit, u shpreh: “Moshimi dhe teknologjia janë dy nga mega-trendet më të mëdha. Në të gjithë botën kur kanë ndodhur këto procese, zakonisht e marrin parasysh edhe diversitetin, mundësitë, aksesin që kanë njerëzisht dhe nga pyetësorët që kanë dalë në shtetet e zhvilluara, janë 70% që kërkojnë ta përdorin teknologjinë. Një 30% nuk mundet, kërkon të jetë vetë, “face to face” për t’i zgjidhur problemet e  veta.

Unë jam një person që kam dashur të komunikoj me e-Albania dhe nuk komunikoj dot sepse emrin e babait nuk e kam në rregull dhe nuk më del në asnjë lloj vendi emri i babait dhe kështu, bashkëpunimin me e-Albania e kam të ndërprerë. Pse e thashë këtë për megatrendet, moshimin?!

Ju e dini që në Shqipëri nuk ka struktura për moshimin. Duhet të jetë sektori publik, i cili pasqyron komunitetet, që iu shërben për një vendimmarrje më të mirë dhe për të krijuar një besim të publikut dhe afruar një shërbim më të mirët. Sot në të gjithë botën fitet që agjencitë qeveritare si do t’i riformësojnë shërbimet që t’i afrohen sa më shumë klientëve.

Më përpara, thonë të moshuarit, kur shkonim për të marrë një çertifikatë, i linim një 500-lekëshe, kurse sot duhet të japim 10 mijë lekë për ta nxjerrë dikush një dokument nga e-Albania!!! Pra, jeta e të moshuarve nuk është e varfëruar vetëm nga pensionistët, por nga stresi. Unë e para them “si do ta bëj?”.

Ndiqni intervistat e plotë në videon e Kafe Shqeto.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco