Thellohet kriza në sektrin e bujqësisë: pas grurit, fermerët pritet të ulin deri në 15% të mbjellat edhe me misër

Thellohet kriza në sektrin e bujqësisë: pas grurit, fermerët pritet të ulin deri në 15% të mbjellat edhe me misër

13:13, 26/03/2024
A+ Aa A-

Mungesa e tregut dhe çmimi i shitjes së grurit nën kosto ndikoi në uljen e sipërfaqeve të mbjella me grurë në zonat kryesore të fushës së Korçës dhe Myzeqesë.

Sivjet situata pritet të jetë e ngjashme edhe për të mbjellat me misër. Pas datës 15 prill nis sezoni i mbjelljes së misrit.

Për shkak të mungesës së tregut të shitjes, fermerët parashikohet të reduktojnë të mbjellat edhe me misër, sipas kompanive të shitjes së farave.

“Edhe për misrin është e njëjta situatë si për grurin, sasia e pashitur është e lartë. Për këtë arsye, sivjet me fillimin e sezonit të prodhimit pritet që të mbjellat me misër në zonën e Korçës të jenë 10 deri në 15% më pak krahasuar me vjet”, pohon Vasfi Sherifi, përfaqësues nga AGROVAS-SHE kompania prodhuese dhe tregtuese për fara, fidanë dhe inpute bujqësore në fshatin Pojan të Korçës.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022 sipërfaqja e tokës së mbjellë me misër ishte në 56,6 mijë ha. Krahasuar me 2021, sipërfaqja e tokës së mbjellë me misër ra rreth 3%.

Mungesa e tregut të shitjes solli që shumë fermerë në mbarë vendin të ulin të mbjellat me grurë.

Në zonën e Korçës, sipas agronomëve dhe kompanive të shitjes së farave, sipërfaqet e tokës me të mbjellat e grurit të këtij sezoni janë ulur 30 deri 40% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa fermerë në zonën e Myzeqesë pohuan se krahasuar me vjet kanë reduktuar sipërfaqet e mbjella me grurë deri në 70%.

Për shkak të ndërprerjes së furnizimit të zinxhirit ushqimor nga lufta Rusi-Ukrainë dhe për të nxitur pavarësinë ushqimore të vendit për prodhimin e grurit, më korrik të 2022 për herë të parë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) miratoi masën e posaçme për subvencione direkte në vlerën e 30,000 lekëve në mbështetje të fermerëve që prodhojnë mbi 1 ha grurë.

Masa nxiti shtimin e të mbjellave deri 40% më shumë se 2022, ndërsa çmimi i grurit arriti 50 lekë kg. Në treg gruri sivjet po kërkohet të blihet me çmim nën 27 lekë për kg. Për agronomët çmimi i shitjes është nën koston e prodhimit. Për shkak të çmimit të ulët shumë fermerë po e mbajnë stok të pashitur grurin, kurse të tjerë po e shesin si ushqim për kafshët.

Vasfi Sherifi përfaqësues nga AGROVAS-SHE pohon së sasitë e grurit të shitura për kafshët janë të paktë, pasi ky produkt nuk përdoret në masë në blegtori. Më tepër përdoret elbi. Për këtë arsye sipas tij disa fermerë në zonën e Korçës kanë nisur të shtojnë të mbjellat me elb për përdorim në blegtori.

Sipas të dhënave të INSTAT në rang vendi sipërfaqja e tokës së mbjellë me elb ishte 5,597 ha. Krahasuar me 2021 sipërfaqet e mbjella me elb u shtuan 10%.

Sivjet gruri nuk u përfshi në skemën kombëtare për dhënien e subvencioneve direkte. Ndërsa do të vijojë të mbështetet nga dhënia e naftës pa akcizë. Nga skema e naftës pa akcizë mbështetet edhe elbi, thekëri dhe tërshëra.

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco