Mbingopja e tregjeve, pandemia dhe euroja 'thajnë' bimët mjekësore: 30% e kompanive drejt falimentit

Mbingopja e tregjeve, pandemia dhe euroja 'thajnë' bimët mjekësore: 30% e kompanive drejt falimentit

08:29, 06/01/2024
A+ Aa A-

Mbingopja e tregjeve europiane dhe amerikane me bimë mjekësore gjatë pandemisë COVID-19 aktualisht ka ulur mbi 50% kërkesën për eksporte. Ndërsa zhvlerësimi i lartë i Euros dhe Dollarit kanë ndikuar te rënia me 20% e çmimit të produktit final. Kryetari i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike thotë se 30% e kompanive janë në prag falimentimi. Operatorët rekomandojnë si zgjidhje kthimin e skemës së TVSH së rimbursueshme për të mbështetur fermerët, shkruan Dorina Azo në Monitor.

Rënia mbi 50% e kërkesës për eksporte të bimëve mjekësore, e ndikuar nga krijimi i lartë i stoqeve në tregjet e huaja pas mbingopjes gjatë pandemisë së COVID-19 dhe ulja me 20% e çmimeve të shitjes së produkteve nga zhvlerësimi i Euros dhe Dollarit kanë vështirësuar gjendjen e kompanive eksportuese.

Në anën tjetër, në këtë periudhë, operatorët eksportues të bimëve mjekësore po përballen edhe me rënien e sasisë së bimëve të mbledhura nga shpopullimi i zonave malore, mungesën e fuqisë punëtore për pikat e grumbullimit dhe përpunimit, si dhe humbjen e konkurrueshmërisë nga mungesa e përthithjes së fondeve të BE-së pas pezullimit për fillimin e programit IPARD III.

Vetëm me investimet e tyre gjatë këtyre 30 viteve, operatorët vijojnë të përpunojnë 25% të bimëve të grumbulluara, duke mbetur në disavantazh konkurrues me vendet e rajonit, për nga shkalla përpunuese dhe vlera e shtuar e produktit.

Për të gjitha këto arsye, Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Medicinale dhe Aromatikë, Filip Gjoka, tha për “Monitor” se rreth 30% e kompanive të sektorit të eksporteve të bimëve mjekësore rrezikojnë falimentimin.

Ai kërkon ndërhyrjen e institucioneve shqiptare që të marrin masa të menjëhershme, pasi më vonë do të jetë e vështirë që situata të rikuperohet.

“Eksportet e bimëve mjekësore aktualisht po hasin vështirësi. Viti 2023 rrezikon të mbyllet me rënie të lehtë të eksporteve krahasuar me trendin e viteve të fundit, ku kanë qenë gjithmonë në rritje.

Shkaku kryesor është zhvlerësimi deri në 20% i valutave të huaja, pasi të gjitha kostot për industrinë janë në Lek dhe shitjet në monedhat Euro apo Dollar.

Arsye të tjera janë kërkesat e larta të tregjeve të vendeve të BE-së për rritjen e cilësisë, mungesa e laboratorëve të akredituar për cilësinë, mungesa e fuqisë punëtore, granteve dhe subvencioneve. Për këto arsye, një pjesë e aktorëve të industrisë të bimëve mjekësore dhe aromatike rrezikojnë falimentimin”, pohon z. Gjoka.

Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën janar-tetor 2023, eksportet e grupit “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” ranë me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë 2023 është shënuar rënia më e fortë tek eksportet e bimëve mjekësore sesa në periudhën e pandemisë, që u shoqërua me kufizimin e lëvizjeve dhe politika izoluese të shumë shteteve.

Në periudhën janar-tetor 2023, sipas të dhënave të INSTAT, vendi kryesor i eksporteve për grupin “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” vijon të mbetet Gjermania. Rreth 50% e produkteve të këtij grupi u eksportuan në Gjermani dhe SHBA dhe rreth 10% e tyre, në Itali dhe Turqi.

Stoqet nga mbingopja e tregjeve të huaja ulin kërkesën për bimë mjekësore, pas pandemisë së COVID-19

Përdorimi më së shumti i çajeve me përmbajtje të vitaminës C gjatë pandemisë së COVID-19 shtoi kërkesën në Europë dhe SHBA për bimë mjekësore, veçanërisht për sherbelën dhe boronicën vendase.

Nga ana tjetër, sipas operatorëve të tregut, mbyllja e kufijve dhe vendosja e kufizimeve të lëvizjeve për jashtë vendit, rriti sasinë e bimëve të mbledhura nga individët që siguronin të ardhurat me punë bujqësie në vendet fqinje.

Por eksportet e larta gjatë pandemisë në tregjet e huaja tashmë janë kthyer në bumerang për kompanitë shqiptare.

Orges Liperi, administratori i kompanisë së bimëve mjekësore “Albanian Trading Company” sh.p.k. (ATC) tha për “Monitor” se aktualisht rënia drastike e eksporteve është ndikuar nga mbingopja e tregut me stoqe pas periudhës së pandemisë së COVID-19.

Për shkak të stoqeve në magazinat e kompanive të huaja, aktualisht sipas z. Liperi ka rënie të eksporteve për bimët si: sherbela, dëllinjë e zezë dhe çaje të ndryshme.

Kujtim Zere, administrator i “Albanian Herb”, tha për “Monitor” se deri në fillim të muajit dhjetor, rënia e eksporteve është mbi 50% më shumë krahasuar me vjet.

Për z. Zere, situata ka arritur në këtë pikë nga një sërë faktorësh, duke përfshirë rënien e cilësisë së bimëve mjekësore për shkak të përdorimit të pesticideve, stokun e mallit të pashitur në magazinat e vendeve eksportuese, për shkak të blerjeve të larta që pati gjatë pandemisë dhe zhvlerësimin e monedhave Euro dhe Dollar. Ai parashikon që situata të stabilizohet në përfundim të stinës së ardhshme të verës.

“Janë disa faktorë të njëpasnjëshëm që kanë ndikuar te rënia e lartë e eksporteve të bimëve mjekësore. Së pari, cilësia e bimëve ka rënë, për shkak të përdorimit të pesticideve. Në shumë shtete të Europës, kryesisht në Gjermani, kriteret për mospërdorimin e pesticideve janë mjaft rigoroze.

Është tërësisht e pamundur të eksportohen bimë me përmbajtje pesticidesh.

Së dyti, gjatë pandemisë së COVID-19, shumë kompani të tregtimit të bimëve mjekësore, por edhe të artikujve të ndryshëm ushqimorë u furnizuan me sasi të madhe produktesh, për shkak të frikës nga masat kufizuese. Magazinimi i lartë krijoi stok të pashitur në tregjet amerikane, të shteteve të Europës, por edhe Turqisë, pavarësisht se ky është vend i madh eksportues”.

Z. Zere thotë se problematika e stoqeve me ndikim te rënia e kërkesës do të zgjasë dy vjet. Stabilizimi i tregjeve, sipas tij, do të nisë nga muaji shtator i 2024-s.

“Problemi i stoqeve i krijuar pas pandemisë në shumë tregje të vendeve europiane, të SHBA-së apo Turqisë, që është një ndër eksportuesit e mëdhenj të erëzave, ka hyrë në vitin e dytë.

Situata problematike do të përfundojë në fund të muajve korrik-gusht 2024. Përfundimi i krizës së tregjeve të huaja do t’i japë shumë frymëmarrje sektorit vendas”.

Eksportuesit po humbin edhe nga rënia e Euros, Gjoka: Zhvlerësimi, nga pastrimi i parave

Kompanitë eksportuese të bimëve mjekësore vlerësojnë se nga zhvlerësimi i Euros, çmimet e produkteve të tyre janë ulur me rreth 20%. Në harkun e një viti, monedha europiane është zhvlerësuar me 13,5%, ndërsa rënia e monedhës së Dollarit në raport me vjet vlerësohet rreth 15%.

Kryetari i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Filip Gjoka, tha për “Monitor” se rënia e lartë e eksporteve është ndikuar tërësisht nga zhvlerësimi i monedhës europiane dhe Dollarit, për shkak të flukseve të larta hyrëse të parave informale.

“Me përfundimin e sezonit turistik dhe largimin e turistëve tashmë nuk ka asnjë shpjegim apo logjikë ekonomike për rënien e vazhdueshme të Euros dhe për arritjen e saj afër nivelit prej 100 lekësh.

Është më se e qartë se rënia e monedhës europiane, por edhe e Dollarit në këto nivele po ndikohet vetëm nga prurja e parave të pista nga jashtë nëpërmjet lumenjve të burimeve të nëndheshme.

Në ekonomi, këto para janë të ngurtësuara në sektorin e ndërtimit në pallate dhe apartamente, pra në objekte që shihen çdo ditë nga të gjithë individët”, thekson z. Gjoka.

Hetimet e OLAF për IPARD II mbajnë pezull investimet edhe në sektorin e bimëve mjekësore

Edhe pse pandemia u konsiderua si periudhë e artë për këtë sektor për shkak të kërkesës së lartë të kompanive të huaja për bimë mjekësore, kjo mundësi nuk arriti të shfrytëzohej plotësisht nga kompanitë e sektorit, për shkak të shkallës së ulët të produktit të përpunuar.

Nga operatorët me potenciale grumbulluese, përpunuese dhe eksportuese vetëm 25% e tyre arrijnë të nxjerrin produkt final të përpunuar, kurse 75% e tyre u shitën si lëndë e parë pa u përpunuar, duke humbur një pjesë të madhe të vlerës që mund të ngelej në ekonominë vendase.

Kompanitë shqiptare e patën të pamundur financiarisht të blejnë makineri përpunuese që kushtojnë deri në 1 milion euro, prandaj në këtë situatë, ata kërkuan të ndihmohen nga shteti me ndryshimin e kritereve për përfitimin e fondeve të programeve IPARD të Bashkimit Europian.

Kompanitë e mesme dhe të mëdha të bimëve mjekësore dhe aromatike për shkak të kufirit të xhiros deri në 2,4 milionë dollarë në vit përjashtoheshin nga mundësia për aplikime fondesh në programin IPARD të BE-së.

Me ndryshimin e kritereve nga fillimi i vitit 2023, pas vendimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për dhënien e së drejtës së aplikimit në fondet e BE-së për kompanitë me xhiro deri në 11 milionë dollarë, nga 2,4 milionë dollarë që ishte më parë, pritej t’i jepej frymëmarrje sektorit.

Rritja e pragut të xhiros për aplikim fondesh, sipas kryetarit të Shoqatës të Bimëve Medicinale, Filip Gjoka, do të ndikonte pozitivisht te rritja e eksporteve, por pezullimi i çeljes së programit IPARD III për shkak të hetimeve të nisura nga OLAF për programin e mëparshëm është një tjetër goditje që i jepet industrisë.

“Kompanitë e mesme dhe të mëdha nuk mund të aplikonin në programin e IPARD II për shkak të penalizimit të kufirit të xhiros deri në 2,4 milionë dollarë.

Me hyrjen në fuqi të kritereve të reja, pra të rritjes së xhiros deri në 11 milionë dollarë, ku sektori pritej të përfitonte nëpërmjet aplikimeve fondet e BE-së për periudhën 2023-2030, pezullimi për hapjen e fondeve nëpërmjet fondeve të IPARD III për shkak të hetimeve të nisura nga OLAF, i dha një tjetër goditje industrisë së bimëve mjekësore dhe aromatike dhe agropërpunimit.

Hetimet vazhdojnë. Për këtë arsye nuk pritet që të aplikojmë për fonde as deri në prillin e vitit 2024”, nënvizoi z. Gjoka.

Hetimet për dhënien e fondeve të programit IPARD II nga zyra europiane kundër mashtrimit (OLAF) nisën në muajin korrik 2023.

Hetimet nga BE vijojnë të mbajnë ende në pritje hapjen e programit IPARD III, i cili parashikohej të hapej këtë vit me një fond prej 146 milionë eurosh apo 55% më shumë fonde sesa IPARD II. Kontributi i BE-së ishte në një fond prej 112 milionë eurosh.

IPARD III do të përfshinte 9 masa të reja financimi, nga 3 masa që përfshinte programi i mëparshëm. Ndërsa programi IPARD II, i cili u përfshi në një proces hetimi nga OLAF, ishte gjithsej 94,6 milionë euro në total, nga të cilat 71 milionë euro ishin financime të BE-së.

Gjatë zbatimit të tij nga viti 2018 deri më 2022, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2018 u disbursuan 20,6 milionë euro; në 2019 u dhanë 15,6 milionë euro; 26,8 milionë euro u shpërndanë në 2020 dhe për vitet 2021-2022 janë dhënë 31,6 milionë euro.

Në vitin e parë me grantet e programit IPARD II u mbështetën investimet në ferma, në sektorin e përpunimit të qumështit, mishit dhe fruta-perimeve. Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të thirrjes të parë dhe të dytë ishte 57,6 milionë euro. Në thirrjen e tretë, IPARD II financoi 29,1 milionë euro në dy masa mbështetëse për investime në ferma dhe përpunim.

Në fund të muajit shtator, në përgjigje të kërkesës për informim të “Monitor”, OLAF tha se pritet të vijojë hetimet për korrupsionin në shpërndarjen e fondeve në ndihmë të bujqësisë, nëpërmjet programit IPARD II, edhe pas dorëzimit pranë autoriteteve shqiptare të raportit përfundimtar për fondet e IPARD II prej muajit gusht dhe se mbetej në pritje të dhënies së përgjigjes nga autoriteti kompetent.

Për shkak të mungesës së fondeve nga programet e BE-së, disa kompani kanë nisur investimet për blerje makinerish, me qëllim rritjen e avantazhit konkurrues me rajonin.

Filip Gjoka, drejtues i kompanisë “Filipi Co”, tha se sapo ka investuar me kredi 87 mijë euro për blerjen e një makinerie të automatizuar për seleksionimin e frutave me ngjyrë. Kompanisë i nevojiten edhe 250 mijë euro shtesë investime për të blerë makineri, për t’i dhënë vlerë të shtuar produktit.

Financimi më tej i kompanisë është i vështirë, kur konkurrentëve tanë në Maqedoninë e Veriut, Greqi apo edhe në Poloni iu financohet 50% e vlerës së investimit nga fondet e BE-së për blerjen e makinerive. Ndërsa kompanitë shqiptare gjenden në vështirësi nga marrja e kredive për blerje makinerish, apo për zgjerim të kapaciteteve magazinuese.

Sektori nuk mund të zhvillohet pa makineri të automatizuara, pa magazina dhe pika të mëdha të grumbullimit të bimëve. Pra përfitimi i këtyre fondeve do të rriste kapacitetin magazinues dhe përfitues të sipërmarrjeve.

Për ne ishte shpresë e madhe për të rritur konkurrencën me vendet e rajonit dhe vlerën e shtuar të produkteve eksportuese.

Produkti final i përpunuar vijon të mbetet në nivelet 25%, ndërsa 75% e kompanive eksportojnë produkt të papërpunuar”, pohon ai.

Të ardhurat e kompanive eksportuese

Të ardhurat e pesë kompanive kryesore të eksportit të bimëve mjekësore për vitin 2022 arritën në 30 milionë euro, sipas të dhënave të raportuara në QKB. Në raport me 2021, totali i të ardhurave u ul 2%.

Totali i fitimit të kompanive ishte 2,4 milionë euro. Krahasuar me vitin paraardhës, totali i fitimeve u rrit me 16,5%.

Të ardhurat e kompanisë “Filip Co” për vitin 2022 ranë me 11% ndërsa fitimet u rritën me 7% në raport me vitin paraardhës. Të ardhurat e kompanisë AGROHERBAL për 2022 u tkurrën 8%, ndërsa fitimet 19%.

Kompania “Albanian Herb” për 2022 rriti të ardhurat me 30% më shumë se në 2021. Fitimet u rritën me 7%.

Në vitin 2022, kompania “Gjedra” ka regjistruar rënie të lehtë të të ardhurave 3%, ndërsa fitimet e këtij operatori u rritën 116% krahasuar me 2021.

Për operatorin e eksportit të bimëve mjekësore “Herba Fructus Natyror”, të ardhurat iu rritën rreth 16% dhe fitimet 27% në vitin 2022 krahasuar me një vit./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco