Në Vlorë, Gjirokastër dhe Fier kishte rritje të bizneseve me mbi 50 të punësuar, në Veri me rënie

Në Vlorë, Gjirokastër dhe Fier kishte rritje të bizneseve me mbi 50 të punësuar, në Veri me rënie

12:27, 05/01/2024
A+ Aa A-

Qarqet e vendin tonë vuajnë nga një zhvillim i pabarabartë, për shkak të përqendrimit të bizneseve në Rajonin Tiranë -Durrës, por gjatë 2022 në disa qarqe jo të vogla u vu në rritje e bizneseve që punësojnë më shumë se 50 punonjës, kryesisht ne Jug, ndërsa në Veri kishte rënie.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se, në qarkun Vlorës numri i ndërmarrjeve mbi 50 të punësuar u rrit me 7.1%. Më pas rritjen më të fortë të kësaj kategorie e kishte qarku i Gjirokastrës dhe ai i Fierit përkatësisht me 7.1% dhe 5,9%.

Ndërmarrjet që punësojnë më shumë 50 punonjës u rritën me 5.2 % në Durrës dhe në Tiranë pati një rritje me vetëm 3.1%.

Në krahun tjetër rënia më e madhe bizneseve me mbi 50 të punësuar ishte në qarkun e Kukësit. Qarku më i varfër i vendit në dekadën e fundit, nuk ka përfituar nga rritja e ekonomisë kombëtare duke e përkeqësuar më tej konvergjencën me pjesën tjetër të vendit.

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2022 në Kukës ishin vetëm 18 ndërmarrje që punësonin mbi 50 punonjës. Numri i bizneseve që punojnë me shumë punonjës shënoi rënie edhe në Dibër, Lezhë, Berat dhe Elbasan.

Në të gjithë vendin numërohen 2109 biznese që punësojnë mbi 50 punonjës, ku mbi 50 për qind e tyre janë të përqendruara në Tiranë. Kjo kategori më shumë të punësuar përfaqësojnë 1,6% të totalit të ndërmarrjeve.

Pjesa tjetër rreth 85,6% e ndërmarrjeve janë të vogla me 1-4 të punësuar. Këto ndërmarrje luajnë një rol vendimtar në ekonomi duke krijuar vende pune, dhe duke kontribuar në zhvillimin rajonal në nivel qarku apo bashkie.

Bizneset shqiptare (përjashtuar fermerët) janë fokusuar kryesisht në aktivitetin tregtar dhe shërbime të tjera. Ndërmarrjet në grupin “Prodhues të të mirave” (Bujqësia, pyjet dhe peshkimi, industria dhe Ndërtimi) numërojnë 13,5 % të totalit të ekonomisë, ku sektori i industrisë ka ndikimin më të madh në ekonominë e vendit, me 7,4% të numrit të ndërmarrjeve aktive.

Në grupin “Prodhues të shërbimeve” operojnë 86,5% e ndërmarrjeve aktive. Në këtë grup ndërmarrjesh, rolin kryesor e luan tregtia me 35,0 % të ndërmarrjeve aktive. Të punësuarit gjithsej në tregti zënë 19,1% të numrit të të punësuarve gjithsej.

Zhvillimet demografike dhe mungesa e aftësive janë shndërruar në vështirësinë kryesor të bizneseve. Por në vitin 2023 rënia e vlerës së euros ka mbyllur disa nga ndërmarrjet me mbi 50 të punësuar që operojnë në sektorin fason. Tkurrja më e madhe vitin e fundit po ndodh në qarkun e Korçës, Shkodrës dhe Fierit./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco