SYRI TV/ 31% e ekonomisë së shqiptarëve për ushqime, çmimet sa 83.7% e mesatares së BE

15:49, 03/01/2024
A+ Aa A-

Pjesa dërrmuese e shpenzimeve të familjeve shqiptare shkon për blerjen e ushqimeve. Publikimi i fundit i Eurostat me të dhënat për vitin 2022, tregon se shpenzimet nominale për ushqime në Shqipëri ishin sa 31% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, shifra më e lartë në Evropë dhe që tejkalon ndjeshëm mesataren e Bashkimit Evropian prej 6.3%. Të dhënat tregojnë edhe se çmimet e produkteve ushqimore në vendin tonë janë të shtrenjta.

Syri tv

Pjesën më të madhe të të ardhurave familjet shqiptare janë të detyruara t’i harxhojnë për t’u ushqyer. Shpenzimet nominale për ushqime në Shqipëri të matura sipas standardit të fuqisë blerëse ishin sa 31% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, tregon publikimi i fundit i Eurostat me të dhënat për vitin 2022. Kjo shifër është më e larta në Evropë dhe tejkalon ndjeshëm mesataren e Bashkimit Evropian prej 6.3%. Pas Shqipërisë në vend të dytë është Mali i Zi me 22.7%, ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 20.7%, Maqedonia e Veriut me 20.6% dhe Serbia me 14.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë sa 83.7% e mesatares së Bashkimit Evropian, e treta më e shtrenjtë në rajon, pas Serbisë dhe Malit të Zi. Për bukë dhe drithëra, në Shqipëri shpenzohet 4.3% e PBB-së, nga 1.1% që është mesatarja evropiane.

Për qumësht, djathë dhe vezë, shpenzimet janë sërish rekord në 5.1% të PBB-së, nga vetëm 1% që është mesatarja e BE-së. Familjet shqiptare i blejnë këto produkte 11.8% më shtrenjtë sesa mesatarja evropiane, ndonëse Shqipëria është një vend ku bujqësia sjell rreth 20% të ekonomisë.

Shpenzimet rekord janë dhe për vajra e yndyrna, me 1.5% të PBB-së, nga 0.2% që është mesatarja evropiane, ndërkohë që këto produkte blihen afro 9% më shumë se kjo mesatare. Për fruta dhe perime shpenzohet 11.8% e PBB-së, sërish më e larta në Evropë, nga 1.4% që është mesatarja. Frutat e perimet në vendin tonë kushtojnë sa 72% e mesatares evropiane.

Shqipëria kryeson edhe për mishin, me shpenzime që arrijnë në 6% të PBB-së, nga 1.4% që është mesatarja e BE-së. Mishi kushton sa 73% e mesatares së Bashkimit Evropian. Për peshkun shpenzimet janë sa 1.1% e PBB-së, nga 0.4% që është mesatarja e BE-së dhe kushton sa 81% e mesatares evropiane. Pavarësisht se Shqipëria është vend bregdetar, të dhënat e Eurostat tregojnë se peshkun mund ta gjesh më lirë në Maqedoninë e Veriut, sa 68.5% e mesatares së Bashkimit Evropian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco