Financohet nga një kredi 50 mln euro nga qeveria gjermane dhe grant 15.7 mln euro nga BE, nis ndërtimi i linjës së interkonjeksionit Tiranë-Shkup

Financohet nga një kredi 50 mln euro nga qeveria gjermane dhe grant 15.7 mln euro nga BE, nis ndërtimi i linjës së interkonjeksionit Tiranë-Shkup

13:22, 21/12/2023
A+ Aa A-

Gjermania dhe BE filluan në Shqipëri ndërtimin e linjës së tensionit të lartë midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ajo do të jetë e para linjë 400-kV interkonjeksioni mes dy vendeve.

Zyra në Tiranë e KfW, Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar për Zhvillim, në një njoftim për shtyp bën me dije, se ndërtimi i linjës së tensionit të lartë midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut “financohet nga një kredi prej 50 milionë eurosh të dhënë nga Qeveria Gjermane përmes Bankës për Zhvillim, KfW (Kreditanstalt für Wiederaufbau Bank) dhe një granci prej 15.7 milionë nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), për zbatimin e të cilave është po ashtu mandatuar KfW.”

Ҫfarë përfitimesh do të sjellë linja e transmetimit Shqipëri-MV?

Ajo do të përmirësojë integrimin e Shqipërisë në sistemin rajonal të energjisë elektrike dhe do të forcojë lidhjet lindje – Perëndim të tensionit të lartë duke mbyllur unazën 400-kV me Greqinë.

Ndërtimi i saj do të kontribuojë më tej për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare, forcimin e integrimit rajonal në sektorin e energjisë, përmirësimin e qëndrueshmërisë në furnizimin me energji elektrike, vë në dukje njoftimi për shtyp i KfW. Njëkohësisht do të rrisë edhe tregtinë e energjisë elektrike mes dy vendeve dhe atyre në rajon.

“Ndërtimi i linjës së transmetimit 400-kV mes Shqipërisë dhe MV është një arritje e rëndësishme e Partneritetit Rajonal për Klimën, për zbatimin e të cilit është rënë dakord mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Gjermanisë gjatë Samitit të Procesit të Berlinittë mbajtur në Tiranë në tetor 2023,” thekson njoftimi i Zyrës së KfW në Tiranë.

Cili është profili i KfW?

Banka Gjermane për Zhvillim, KfW, financon Bashkëpunimin Financiar Gjermano-Shqipëri përmes projektesh dhe programesh të ndryshme. Ajo siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence.

Bashkëpunimi Financiar Gjemano-Shqiptar ka filluar në vitin 1988. Që nga ai vit, Qeveria Gjermane, përmes KfW ka angazhuar një shumë totale prej mbi 1 miliardë eurosh për projekte dhe programe zhvillimi. Sektori i energjisë është një nga sektorët kyç të Bashkëpunimit Financiar Gjermani-Shqipëri me një portofol aktiv investimesh prej 386 milionë eurosh. /DW/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco