Lajmi i fundit

LIVE/ Nis punimet Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë

Borxhet mes kompanive publike bëhen 'lëmsh', raporti: Të dhënat nuk rakordojnë

Borxhet mes kompanive publike bëhen 'lëmsh', raporti: Të dhënat nuk rakordojnë

11:39, 19/12/2023
A+ Aa A-

orxhet që ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve kanë ndaj kompanisë së energjisë OSHEE duket se rezultojnë në vlera të ndryshme në institucione të ndryshme që marrin raportimet.

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbuloi se vlerat që disponon Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve dhe OSHEE ishin të ndryshme . Auditimi citon se nga raporti “Mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2022” mungon raportimi mbi të dhënat financiare të ndërmarrjeve të këtij sektori.

“Sipas këtij raporti, për periudhën deri në Dhjetor 2022, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) raporton se detyrimet e akumuluara të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve rezultojnë të jenë në vlerën 14.01 miliardë lekë (pa kamata), ku pjesën më të madhe të detyrimit e zë ndërmarrja e UK Sh.a Durrës me 4.93 miliardë lekë detyrime. Kjo e dhënë nuk rakordon me raportimin me tabelën nr. 14 të faqes 50 të këtij raporti, ku detyrimet e ndërmarrjeve UK ndaj OSHEE rezultojnë të raportuara 25.35 miliard”, thuhet në raport.

Sipas KLSH krahasuar me raportimet e vitit 2021 rezulton se referuar raportit të “Mbi zbatimin e buxhetit vjetor, situatës makroekonomike dhe fiskale gjatë vitit 2021” për periudhën deri në Dhjetor 2021, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) pas rakordimit të të dhënave me OSHEE Group Sh.a, raporton se detyrimet e akumuluara të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve rezultojnë të jenë në vlerën 21.9 miliardë lekë, ku vetëm ndërmarrja e UK sh.a Durrës ka 6.71 miliardë lekë të këtyre detyrimeve.

“Për sa më sipër të dhënat e raportuara për fundin e vitit 2021, nuk rakordojnë me të dhënat e fillimit të vitit 2022 dhe si rrjedhojë as me raportimin e dhjetor 2022. Sipas sqarimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë raportimet kanë diferenca për arsyen se në vitin 2021 janë përllogaritur sëbashku me kamatat. Paraqitja e detyrimeve të këtij sektori për vitin 2022 pa kamata ka nënvlerësuar këtë të fundit” thuhet në raport.

Audituesit nënvizojnë se Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë dështuar në zbatimin e dy urdhrave të përbashkët të viteve 2020 dhe 2021 “Për miratimin e planit të masave të reduktimit të detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë elektrike”, pasi detyrimet janë shtuar me 17 % në vitin 2022.

Po ashtu, sipas KLSH nuk kanë qenë rezultative as intensifikimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi me institucionet dhe aktorët kryesorë të fushës: ndërmarrjet Ujësjellës –Kanalizimeve me MIE, si dhe me ndërmarrjet e sektorit të energjisë./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco