Qeveria jep tendera pa fonde, 370 milionë euro do të paguhen pas vitit 2024

Qeveria jep tendera pa fonde, 370 milionë euro do të paguhen pas vitit 2024

07:18, 19/12/2023
A+ Aa A-

Zhvillimi i tenderave për investime publike pa marrë paraprakisht miratimin e Ministrisë së Financave po shndërrohet në veprimtari të errët që rrit shanset për shpërdorimin e taksave të shqiptarëve, humbjen e efektivitetit të tyre dhe rritjen e barrës së detyrimeve të buxhetit në avancë.

Një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Financave që kishte në themel procedurat për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e buxhetit të shtetit gjeti se janë se paku 38 miliardë lekë ( 370 milionë euro) detyrime ndaj kontratave të investimeve që duhen paguar pas vitit 2024. Për disa projekte punimet kanë mbaruar por financimet duket se do të bëhen deri në fund të dekadës në vijim.

Për shembull rruga Kardhiq -Delvinë me kosto totale 14,2 miliardë lekë, do të përfundojë totalisht vitin që vjen, por 3,1 miliardë lekë, ose 22 për qind e kostos do të jepet pas vitit 2024.

Projekti “Unaza e re e Tiranës” e cila ka si afat përfundimi vitin 2024 ka një kosto totale 35,6 miliardë lekë, por 14 miliardë leke ose rreth 40 për qind e vlerës totale do të paguhet pas vitit 2024, sipas tabelave që KLSH ka gjeneruar nga Ministria e Financave. Në total do të jetë rreth 370 milionë nga projektet e investimeve që do të paguhen pas vitit 2024.

Inspektorët e KLSH -së kanë vërtetuar se entet publike nisin procedurat e prokurimit pa marrë më parë miratimin nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ato marrin angazhime buxhetore pa pasur fonde të disponueshme. Më pas miratimi i fondeve buxhetore bëhet vetëm me qëllimin e lidhjes së kontratës (20 % e vlerës) dhe më pas shkurtohen. Çelen projekteve investimesh të reja me Akte Normative, teksa mbyllen investimeve në proces. Janë çelur investimeve publike pa kaluar procedurat e menaxhimit të investimeve publike dhe pa përshkrimin e projektit.

Raporti i KLSH referon për publikun se ka gjetur shkelje në të gjitha hallkat e buxhetimit dhe një planifikim të dobët të investimeve publike nga ana e institucioneve qendrore dhe vendore dhe një monitorim formal nga ana e instancave drejtuese të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me qëllim dhënien e një sigurie në menaxhimin eficient dhe transparent të fondeve publike.

Sipas KLSH-së, këto veprime krijojnë kushtet për krijimin e detyrimeve të prapambetura me efekt në rritjen e presionit për rritjen e borxhit publik si pasojë e mosrespektimit të kufijve të miratuar për shpenzime në vitin buxhetor aktual dhe kufijtë e miratuar për vitet e ardhshme buxhetore./MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco