Si e paguan shqiptarët borxhin publik? Apo duke hequr një zero nga eurot...

Si e paguan shqiptarët borxhin publik? Apo duke hequr një zero nga eurot...

16:49, 13/12/2023
A+ Aa A-

Mes fjalimeve të shumta të socialistëve në asamblenë e tyre pak ditë më parë, një nga folësit vuri në dukje, si mburrje për qeverinë, se borxhi publik ka rënë së fundmi në raport me produktin e brendshëm bruto. Kjo është e ngjashme me barsoletat me një shqiptar, një gjerman dhe një amerikan.

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Dy gjëra, në dukje pa lidhje, më ranë në sy së fundmi. E para, një agjenci pronash të patundshme reklamon në rrjetin social instagram prona të ndryshme me çmime pabesueshmërisht të ulëta. P.sh: apartament në qendër të Tiranës për vetëm 27 mijë euro ose vilë në bregdet për vetëm 72 mijë euro. Duhen pak sekonda përqendrim për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Dhe ajo që ka ndodhur është që çmimet e pronave të patundshme në Shqipëri kanë arritur në nivele të tilla të pabesueshme sa një agjenci pronash të patundshme ka vendosur t'i heqë çmimeve të reklamuara në euro një zero. Pra, apartamenti që dikush ka nxjerrë në shitje për 270 mijë euro, reklamohet me “euro të reja”. Dukshëm çunat e Londrës e realizuan edhe këtë arritje. Monedha evropiane e ulur tuç në Tiranë, e zhvlerësuar dhjetë herë.

Paralelisht me këtë, por jo doemos pa lidhje, në një miting të cilën Partia Socialiste e deklaroi si “Asamble e zgjeruar” në një vend që nuk ka zgjedhje as brenda dhe as jashtë partisë, një prej folësve deklaroi si sukses se borxhi publik i Shqipërisë është ulur në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe se kjo, doemos, e deklaruar në “asamble”, supozohet se është meritë e qeverisë.

Le ta nisim me faktet:

Borxhi publik i Shqipërisë në vitin 2013 ishte 885 miliardë lekë. Prodhimi i Brendshëm Bruto më 2013: 1.35 trilionë. Borxhi si përqindje e PBB-së: 65.5 për qind.

Borxhi publik më 2021: 1.38 trilionë. PBB më 2021: 1.77 trilionë. Borxhi si përqindje e PBB-së: 78.1%.

Borxhi i pritshëm në fund të vitit 2023: 1.47 trilionë. PBB më 2023: 2.31 trilionë. Borxhi si përqindje e PBB-së: 63.6% të PBB-së.

Në ekonomi thuhet me raste se shifrat nuk gënjejnë dhe këto këtu kështu ngjajnë: Borxhi si përqindje e PBB-së më 2013 ishte 65.5% ndërsa më 2023 pritet të jetë 63.6%. Vetëm se në ekonomi thuhet edhe kjo tjetra: me të vërtetë shifrat nuk gënjejnë, por varet shumë nëse po sheh shifrat e duhura.

Të duhet të kthehesh ca në librat e fillesave të ekonomiksit për të kuptuar se si ndodhi, në dukje, kaq lehtë, që borxhi i brendshëm bruto si përqindje e PBB-së, ra në mënyrë dramatike, nga 73.1 në 63.6% brenda dy vitesh. Le të kthehemi pra te fillesa e të gjithë ekonomiksit, libri Pasuria e Kombeve nga Adam Smith.

Në kapitullin e katërt të vëllimit të parë të librit që themeloi ekonomiksin si shkencën që ne njohim sot, Smith shpjegon se monedhat e Lashtësisë dhe Mesjetës Evropiane kishin në terminologjinë e tyre bazë, peshën fizike të metalit që mbartnin. Një paund, njësia peshë e njohur si sot si afërsisht 0.43 kg, ishte edhe monedha me të njëjtin emër, e cila, në origjinë, mbartte kaq peshë metal të vlefshëm. Vetëm se, me kalimin e kohës, shpjegon Smith, princërit e këqinj, të cilët kishin monopolin e prodhimit të parasë, tërhiqnin nga tregu monedha me peshë 0.43 kg dhe i shkrinin, pastaj i shtypnin sërish, kësaj here, jo më me peshë 0.43 kg por më të ulët, ndërkohë që emërtimi sipër vijonte të ishte paund.

Shkruan Smith: “besoj që, në çdo vend në botë, kopracia dhe paudhësia e princërve dhe sovranëve ka bërë që, përmes abuzimit të besimit të nënshtetasve të vet, shkallë shkallë ka pakësuar sasinë reale të metalit që kanë përmbajtur në origjinë monedhat e tyre.”

Dhe Smith vijon më tutje: “Përmes këtyre operacioneve, princërit dhe shtetet sovrave që i kryen ato ishin në gjendje, në dukje, të paguanin borxhet dhe të realizonin ndërveprimet me sasi më të mëdha argjendi se sa do të kërkohej ndryshe. Me të vërtetë kjo ishte vetëm në dukje; sepse kreditorët e tyre me të vërtetë u mashtruan dhe iu zhvat ajo të cilët atyre i detyrohej. Të gjithë huamarrësit e tjerë patën të njëjtin privilegj dhe mundën të paguajnë shumën nominale të borxhit në një monedhë të re dhe të zhvlerësuar pasi e kishin marrë hua atë në monedhën e vjetër.”

Princërit e Evropës e kishin kollaj. Ata mblidhnin në formën e taksave, fjala vjen, monedha argjendi me peshë 5 gramë dhe pastërti 900 për mijë, i shkrinin dhe, kur i rishtypnin, i shtonin metale të pavlera duke ulur pastërtinë. Ndërsa qytetari shikonte të njëjtën monedhë, vlera e së cilës, shënonte fjala vjen, një frang, vlera reale e asaj që kishte në dorë ishte më pak se një frang dhe fuqia e saj blerëse, gjithashtu.

Smith po flet për një koncept që në kohën tonë quhet inflacion: fakti që me një para nominalisht njësoj si më parë, sot blihen më pak mallra. Fjala vjen, më 2013 blihej një litër naftë 160 lekë ndërsa sot blihet 198 lekë.

Ne në fakt nuk jetojmë në epokën e monedhës metalike. Ne jetojmë në epokën e parasë fiat. Dhe, mes viteve 2021 dhe 2023, pra në më pak se dy vjet, sipas matjeve të INSTAT, (një institucion i cili, i politizuar si çdo institucion në vend, nuk jep garanci për saktësi,) paraja me të cilën ne paguajmë borxhin e qeverisë është pakësuar në vlerë me 11.3%. Me pak fjalë, çmimet e mallrave dhe shërbimeve sot kushtojnë 11.3% më shtrenjtë se sa më 2021. Dhe fakti është që, kur çmimet rriten, Prodhimi i Brendshëm Bruto në vlerën e vet nominale, rritet gjithashtu. Dhe fakti i dytë është që, nëse shohim rënien e borxhit publik nga 78.1% më 2021 në 63.6% më 2023, ndërkohë që çmimet janë rritur me 11.3%, kjo do të thotë se çmimet e rritura kanë sjellë reduktim të borxhit publik.

Për më tepër, çmimet e rritura janë diçka kalimtare. Ndërsa çmimet rriten, të të njëjtën mënyrë, pak a shumë, rriten edhe pagat. Por ajo që është e përhershme është vlera e parasë. Shqiptarët kanë në banka afërsisht 1.22 trilionë lekë depozita, ose, kursime. Dhe me këto para, shqiptarët mund të blejnë sot 11.3% më pak mallra dhe shërbime nga sa mund të blinin më 2021.

Natyrisht që është idiotësi të thuash, apo të sugjerosh, se fajin për inflacionin e lartë të dy viteve të fundit e ka qeveria shqiptare. Inflacioni u shkaktua, sipas analizave ekonomike ndërkombëtare, nga një kombinim i disa faktorëve: i pari ishte ndërhyrja e tepruar në mbështetje të shtresave në nevojë nga qeveritë e vendeve të zhvilluara gjatë pandemisë COVID-19; faktori tjetër ishte komplikimi i sistemit të tregtisë ndërkombëtare; fillimisht nga trazirat në zinxhirin e furnizimit të shkaktuar nga COVID-19 dhe më vonë, nga konflikti i ri ndërkombëtar që po vendos, nga njëra anë, botën demokratike me SHBA-në në krye dhe nga ana tjetër, botën autokratike me aksin Moskë-Pekin si qendër, dukshëm së fundmi me mbështetjen e Iranit dhe Arabisë Saudite. Ky konflikt është duke ngritur barriera për tregtinë e lirë, gjë që doemos shoqërohet me rritje çmimesh.

Kjo e gjitha është një ngjarje që zhvillohet jashtë nesh dhe për të cilën ne vështirë se kemi ndikim. Por gjithashtu, të deklarosh si produkt të qeverisë “uljen e borxhit publik në raport me PBB-në”, siç u bënë asamblenë socialiste, është njësoj sikur të pretendosh se qeveria e kryeministrit Edi Rama ka shpikur rrotën.

Socialistët gjithsesi munden me shumë të drejtë të mburren me anomalinë e parë: deklarimin e çmimeve  të pronave të patundshme me “euro të reja”. T'i heqësh një zero monedhës evropiane për të zbutur vizualisht çmimet anomalisht të larta të pronave të patundshme, çmime që dukshëm janë rritur si pasojë e korrupsionit dhe krimit të organizuar, kjo me të vërtetë është një risi në historinë e botës.

Me pak fjalë: është njësoj e vërtetë të thuash: Borxhi publik i Shqipërisë u reduktua, si përqindje e PBB-së, nga 78 në 63 për qind. Dhe po kaq e vërtetë është kjo tjetra: shqiptarët janë sot 11.3% më të varfër se sa ishin dy vjet më parë. Kursimet e tyre, në raport me shportën e inflacionit, blejnë sot më shumë se një të dhjetën më pak se sa në fund të vitit 2021. Ndërsa në raport me çmimin e pronave të patundshme, kursimet e shqiptarëve vlejnë sot dukshëm sa gjysma e asaj që vlenin vetëm pak vite më parë. Të dyja, ulja e borxhit dhe zhvlerësimi i kursimeve, janë meritë e pamohueshme e socialistëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco