Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rritet për shërbimet, bie për industrinë dhe ndërtimin

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rritet për shërbimet, bie për industrinë dhe ndërtimin

12:14, 07/11/2023
A+ Aa A-

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve është në rritje për sektorët e shërbimeve, por në rënie për ata prodhues.

Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve në tremujorin e tretë të vitit është rritur me 1.1 pikë përqindje në sektorin e shërbimeve dhe 3.6 pikë përqindje në sektorin e tregtisë.

Por, ky tregues ka pësuar një rënie të ndjeshme me 4.1 pikë përqindje në sektorin e ndërtimit dhe me 1.1 pikë përqindje në atë të industrisë.

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve duket se është rritur sidomos në sektorët e lidhur me turizmin dhe që janë ndikuar më shumë nga sezoni pozitiv turistik.

Ndërkohë, sektori i ndërtimit duket se mund të ketë arritur momentin e pikut, pas një cikli rritjeje të shpejtë në periudhën 2020-2022. Ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe normat më të larta të interesit pritet të sjellin një frenim edhe në ritmet e rritjes së këtij sektori. Edhe treguesit e besimit kanë shfaqur rënie në muajt e fundit, ndërkohë që pritjet për çmimet

Të dhënat e INSTAT treguan se Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.23% në tremujorin e dytë të këtij viti. Ritmi i rritjes u përmirësua krahasuar me nivelin prej 2.72% të tremujorit të parë, por megjithatë deri tani ekonomia shqiptare po rritet me ritme më të ngadalta krahasuar me vitin 2022, kur, sipas vlerësimeve të INSTAT, rritje kishte qenë më shumë se 4.8%.

Në nivel sektorial, rritja e gjysmës së parë të këtij viti është mbështetur kryesisht te ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe shërbimet, ndërsa bujqësia dhe industria kanë dhënë deri tani një kontribut zhgënjyes.

Rritja e shpejtë ekonomike në vitet që ndoqën pandeminë kanë sjellë ngushtim të hendekut negative të prodhimit në ekonomi dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ka ardhur duke u rritur. Në veçanti, rritja e shpejtë e turizmit në dy vitet e fundit ka mbështetur rritjen e kërkesës në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve.

Megjithatë, inflacioni i lartë dhe normat më të larta të interesit vlerësohet se kanë dhënë tashmë një efekt të ndjeshëm në frenimin e kërkesës së brendshme në ekonomi.

Banka e Shqipërisë këtë vit e ka ngadalësuar ndjeshëm rritjen e normave të interesit, me vetëm dy rritje, ndër të cilat e fundit në fillim të muajit nëntor.

Megjithatë, norma bazë në nivelin prej 3.25% vlerësohet ende e ulët dhe poshtë nivelit ekuilibër, ndaj pritet që rritja të vazhdojë vitin e ardhshëm.

Projeksionet për rritjen ekonomike këtë vit janë në intervalin mes 3.5% dhe 4%, megjithëse gjysma e parë e këtij viti ka sjellë një rritje poshtë këtij intervali. Pritshmëritë janë sidomos të larta për tremujorin e tretë, të lidhura sidomos me efektin e turizmit. /MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco