Shtrenjtimi i produkteve të shportës: Rritja më e lartë te qepët dhe patatet, 40 - 55%

Shtrenjtimi i produkteve të shportës: Rritja më e lartë te qepët dhe patatet, 40 - 55%

07:18, 20/10/2023
A+ Aa A-

Të dhëna të detajuara për 34 artikuj të shportës së konsumit të mallrave ushqimore tregojnë se rritja më e madhe e çmimeve vitin e fundit ka ndodhur për qepën, pataten, djathin, domaten dhe gjalpin nga 24-55%.

INSTAT raportoi në mënyrë të detajuar çmimet për artikujt e shportës (sipas grafikut bashkëngjitur) ku rezulton se në gusht 2023 çmimi i qepës ishte 55.3 % më i lartë se në gusht 2022.  Çmimi i patates për të njëjtën periudhë u rrit me 40%, djathit me 27%, domates 24%, gjalpit me 24%, specave me 18,7%

Një kilogram qepë kushtoi mesatarisht 108 lekë në gusht 2023 nga 69,8 lekë që ishte në të njëjtin muaj të vitit 2021. Ndërsa çmimi i patates arriti në 96.8 lekë nga 69 lekë që ishte vitin e kaluar.

Në krahun tjetër rënien më të madhe vjetore e shënoi çmimi vajit të lulediellit me rreth 34 për qind si pasojë e rënies së çmimit në tregjet ndërkombëtare. Çmimet shënuan ulje edhe për gazin dhe naftën përkatësisht me 27 dhe 17% nga gushti 2022 në gusht 2023.

Siç tregon tabela çmimet e larta në disa artikuj reflektojnë problemet në prodhimin vendas në disa kultura. Sasitë e vjela në vend të zavratëve dhe perimeve nuk kanë plotësuar kërkesat në treg për dy arsye. Sipërfaqet e mbjella nuk pësuan rritje, teksa gjithnjë e më shumë prodhimi po shkon në eksport. I njëjti shpjegim vlen edhe për produktet blegtorale, si djathi dhe gjalpi për të cilat ka një ofertë më të ulët nga tregu vendas për shkak të reduktimit të bagëtive. Nga ana tjetër rritja me gati 30 për qind e numrit të vizitorëve të huaj ka rritur më tej kërkesën për tregun e brendshëm dhe çmimet gjithashtu.

Qe pas luftës në Ukrainë në pranverë të vitit 2022 çmimet e artikujve ushqimore sidomos prodhimeve bujqësore u rriten me shpejtësi në të gjithë botën pasi dy vendet në konflikt ishin furnizues të rëndësishëm global me drithëra dhe produkte të tjera bujqësore. Rritja u reflektua edhe në Shqipëri.  Që nga prilli i vitit 2022 çmimet e ushqimeve nisën të ritme dyshifrore me 15 % në prill dhjetor 2023.  INSTAT raporton se në periudhën janar-gusht 2023 çmimet e ushqimeve në vendin tonë u rriten me 11 %, ndërsa BE me 10.8 për qind në muajin korrik. 

Thatësirat në disa vende dhe përmbytjet në disa vende të tjera të Evropës si rrjedhojë ndryshime klimaterike nga fenomeni “El Nino”, kanë dëmtuar prodhimin në disa kultura bujqësore që po shiten me çmime me të larta. Në tregun vendas çmimet e prodhimeve bujqësore kanë shënuar rritje në të gjithë zinxhirin që nga prodhimi deri tek shitja me pakicë. 

Sipas matjeve të INSTAT në vitin 2022, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bujqësore një tregues që mat çmimet në ferma (pa taksat) shënoi duke shënuar një rritje me 11,1 %. Kjo ishte rritja më e lartë që kur INSTAT nisi të masë çmimet e prodhimit në bujqësi në vitin 2016.  Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale me 22,1 % vitin e kaluar, niveli më i lartë që kur nisën matjet 7 vite më parë./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco