Transaksionet e bizneseve VIP në Shqipëri

Transaksionet e bizneseve VIP në Shqipëri

07:00, 14/10/2023
A+ Aa A-

Bizneset me kapital shqiptar janë në pjesën më të madhe familjare dhe nuk shënojnë ndryshime në strukturën e pronësisë. Mbiemrat e njëjtë mbizotërojnë në strukturën e pronësisë së kompanive të mëdha dhe të Bordeve të Këshillave Mbikëqyrës për shoqëritë aksionere.

Shitblerjet e aksioneve janë të pakta, transaksionet e mëdha po ashtu. Blerjet nga sipërmarrje të huaja të kapitalit vendas janë me pikatore. Edhe hyrjet e sipërmarrësve të rinj në kompanitë e mëdha, përgjithësisht mungojnë.

Një raport i “Monitor”, bazuar në renditjen e më të mëdhenjve të vitit 2021 gjeti se vetëm 15% e aksionerëve më të rinj të 130 bizneseve më të mëdha me kapital shqiptar në vend janë më të rinj sesa 42 vjeç dhe pjesa më e madhe e tyre i kanë aksionet e trashëguara nga prindërit.

Transaksionet e shitblerjes kanë qenë të pakta në numër mes sipërmarrjeve shqiptare, ndërsa hyrjet e investitorëve të huaj kanë munguar edhe në vitin 2022. Lëvizjet për shitblerjet e aksioneve janë të ulëta. Kryesisht ato janë kalime aksionesh mes bashkëshortësh, apo nga prindërit te fëmijët.

Një tendencë e 2022 është kalimi i sipërmarrjeve nga emrat e individëve në emër të grupit (holding) që zotërohet po nga i njëjti/të njëjtët individë. Bizneset pohuan se kjo lëvizje lidhet me dy arsye: së pari me menaxhimin më të lehtë të shpërndarjes së dividendit dhe së dyti mundëson një strukturim më të mirë të përgjegjësive operacionale dhe ligjore.

-Në vitin 2022 përfundoi transaksioni më i madh i telefonisë celulare, hyrja në treg e operatorit hungarez “4iG”, që bleu fillimisht “ALBtelecom” dhe më pas “One”, të dy me aktivitet në telefoninë celulare, ndërsa “ALBtelecom” edhe në atë fikse.

Kompania “4iG Albánia Korlátolt Felelössegü Társaság” nga 26 prilli 2022 zotëron 80.27% të “ALBtelecom” (pjesa tjetër zotërohet nga qeveria shqiptare dhe individë). Kontributi në para për blerjen e aksioneve ishte 14.6 miliardë lekë, ose 122 milionë euro, sipas të dhënave në QKB.

Në mars, “4iG Plc” finalizoi blerjen e 99.899% të aksioneve indirekte të “One Telecommunications” (“One”), nëpërmjet shoqërisë holding “Albania Telecom Invest” (ATI). Transaksioni për blerjen e “One” është regjistruar në Bullgari, vendi i origjinës së “Albania Telecom Invest”.

Në dhjetor, përfundoi procesi i përthithjes së “ALBtelecom” nga “One”.

-Në prill të vitit 2022, Shefqet Kastrati, i cili zotëronte 100% të aksioneve të kompanisë së tregtimit me pakicë të karburanteve, “Kastrati sh.p.k.”, pjesë e “Kastrati Group”, kompanisë më të madhe private në vend, ka transferuar 35% të kapitalit, konkretisht 20% te Shefit Kastrati, 5% te Bilbil Kastrati, 5% te Haredin Kastrati dhe 5% te Selam Kastrati.

Në 20 shtator 2022, i njëjti transaksion u krye dhe për “Kastrati Group”, teksa Shefqet Kastrati transferoi 35% tek të njëjtët persona dhe me të njëjtat përqindje si në rastin e “Kastrati sh.p.k.”.

Më herët në shtator (data 9), mbështetur në dokumentacionin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania “Tirana International Airport” është shitur nga “Kastrati Group” te “Kastrati Aviation Holding”. Ndryshe nga “Kastrati Group”, ku Shefqet Kastrati ka tashmë 65% të aksioneve, ky i fundit zotëron 100% të “Kastrati Aviation Holding”.

Në kontratën e shitjes, argumentohet se “është bërë gjithnjë e më evidente se realizimi i synimit për një aeroport modern e bashkëkohor, kërkon përveç kapaciteteve financiare, edhe njohuri të posaçme menaxhimi e drejtimi, të lidhura ngushtësisht me industrinë e aviacionit civil, e për këtë arsye, e bën të domosdoshme që administrimi i veprimtarisë së lidhur me koncesionin e TIA, të realizohet nëpërmjet një shoqërie me objekt të posaçëm aktiviteti, të lidhur ngushtësisht dhe vetëm me fushën e aviacionit civil”.

-Në qershor 2023, kompania “Vodafone Panafon International Holdings B.V.” ka shitur 50% të aksioneve që zotëronte në kompaninë “Vodafone Albania” tek ortaku tjetër i shoqërisë, shoqëria “Vodafone Europe B.V.”. Sipas marrëveshjes së shitjes, vlera e transaksionit është afërsisht 27.2 milionë euro.

Të dyja kompanitë e përfshira në transaksion janë kompani holding të regjistruara në Holandë dhe që zotërohen në masën 100% nga grupi “Vodafone” (“Vodafone Group Plc”). Në këtë kuptim, shitblerja e aksioneve nuk sjell ndryshime për sa i takon kontrollit përfundimtar mbi kompaninë.

-Në prill 2023, Gentian Sula i ka kaluar 100% të aksioneve që zotëronte te shoqëria e tregtimit të energjisë “NOA Energy” tek “NOA Holding”, që është po në pronësi 100% të tij.

-Në mars 2023, ortaku Eduard Curraj është larguar nga shoqëria farmaceutike “Delta Pharma”, ndërsa kapitali është transferuar te “Delta Holding”. Kontributi në para, sipas marrëveshjes së shitblerjes ishte rreth 903 milionë lekë. “Delta Holding” zotërohet 50% nga Eduard Curraj dhe 50% nga Dorian Sadiku, krijuar në 16 janar 2023.

-Në shtator 2022, “BP Holdings International B.V.”, që zotëronte 100% të aksioneve të “Air BP Albania”, shoqërisë që ka monopolin e tregtimit të karburantit në Aeroportin e Rinasit, transferoi 50% të aksioneve tek “United World Technologies B.V.”.

Kontributi në para ishte 30 milionë lekë. Transaksioni u gjobit më pas nga Autoriteti i Konkurrencës për deklarim të të dhënave të pasakta. “Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar dhe vlerësuar dokumentacionin e dosjes së depozituar nga shoqëria ‘Air BP Albania Sh.a.’, nga ku u konstatua se kjo shoqëri nuk ka deklaruar në mënyrë të saktë datën e lidhjes së marrëveshjes” – thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

-Në gusht 2022, Rolandi Bamllari ka transferuar 33% të aksioneve që zotëronte te shoqëria e tregtimit të plehrave kimike “MBM” te Kadri Malja.

Ky i fundit e ka rritur pjesëmarrjen nga 34 në 67%. Shitja është bërë për vlerën 1.28 milionë euro, sipas kontratës së shitblerjes. Shpëtim Manseku ka vijuar që të mbajë 33% të kuotave.

-Në korrik të vitit 2022, 50% të aksioneve që Fation Veizaj zotëronte te shoqëria e tregtimit të hidrokarbureve, “RDA Petrol” kanë kaluar tek aksioneri Evis Latifaj. Kontributi në para ishte 55 milionë lekë. Pjesa tjetër, prej 50% e aksioneve, vijon të zotërohet nga Kujtim Kale./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco