Çmimet rëndojnë pensionistët! INSTAT: Inflacion më të lartë se mesatarja

Çmimet rëndojnë pensionistët! INSTAT: Inflacion më të lartë se mesatarja

13:48, 27/09/2023
A+ Aa A-

Pensionistët e ndjejnë rritjen e çmimeve më shumë se të tjerët. Pjesa më e madhe e pensionit shkon në blerjen e ushqimeve, të cilat janë shtrenjtuar.  
Anketa e buxhetit të familjeve tregon se nga shpenzimet totale mujore 41.3 për qind shkuan për ushqime më 2021, kurse për pensionistët 59 për qind e shpenzimeve mujore.

Sipas matjeve të INSTAT, gjatë periudhës qershor 2022- qershor 2023 treguesi zyrtar i inflacionit në vendin tonë ishte 6.9 për qind, ndërsa inflacioni i pensionistëve ishte 8.6 për qind, ose 1.7 pikë për qind më i lartë se treguesi mesatar.

Në bazë të një vendimi qeverie të vitit 2017 INSTAT mat inflacionin e pensionistëve për 12 gupe kryesore të shpenzimeve mujore, të cilat kanë pesha të ndryshme në raport me inflacionin mesatar që matet në rang vendi.

Inflacioni i pensionistëve u sugjerua nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pasi struktura e shpenzimeve të shportës në moshat mbi 65 vjeç është e ndryshme në raport me popullsinë e përgjithshme.

INSTAT fillimisht dorëzoi inflacionin e pensionistëve çdo shkurt për vitin paraardhës me qëllim indeksimin e pensioneve, por me ngjarjet e fundit nga kriza e Covid-19 dhe lufta në Ukrainë, INSTAT ka një tregues të përmuajshëm për inflacionin e pensionistëve.

Kjo praktikë shërben për të indeksuar pensionet më shumë se dy herë në vit nëse ndodhin rritje të mëdha çmimesh.

Të ardhurat nga pensioni për moshën e tretë janë shumë të ulëta në vendin tonë. Të dhënat zyrtare nga skemat publike të pensioneve tregojnë se pensioni mesatar në Shqipëri është 39% më i ulët se në rajon këtë vit. Nga data 1 tetor 2023 pensionet në të gjithë vendin do të rriten me 8.6 për qind bazuar në indeksin e shportës së pensionistëve.

TCH

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco