Detyrimet e prapambetura të qeverisë arritën në 182 mln euro në qershor

Detyrimet e prapambetura të qeverisë arritën në 182 mln euro në qershor

07:10, 22/08/2023
A+ Aa A-

Financat e qeverisë janë duke kaluar një periudhë të artë likuiditeti me të ardhura që rriten me ritme dyshifrore dhe shpenzime publike në rënie, por megjithatë detyrimet e prapambetura në vend që të ulen po rriten me një progresion të shpejtë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave detyrimet e prapambetura të qeverisë ndaj operatorëve private që kanë kontrata me qeverinë arritën në fund të qershorit 2023 në 18,8 miliardë lekë (182 milionë euro) me një rritje 50 për qind që nga fundi i vitit dhe 25 për qind në krahasim me qershorin e vitit 2022.

Rritja ka ardhur nga zëri “detyrime të tjera” që ka arritur në rreth 14 miliardë lekë nga 8 miliardë lekë që ishte në fund të vitit. Në këtë zë përfshihen detyrimet e krijuara nga pushteti lokal dhe vendime që burojnë nga gjykatat e vendit dhe ato ndërkombëtare ne dëm të buxhetit të shtetit.

Sakaq Të ardhurat totale për 7 – mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 372 miliardë Lekë ose 103 % të planit të së njëjtës periudhë. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me +44 miliard lekë ose +13.6% më shumë.

Nga ana tjetër shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën shtatë mujore të vitit 2023, arritën në rreth 326.5 miliard LEK me një realizim në masën 91 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 ky zë ka rezultuar 4.6 për qind më i lartë ose rreth 14.2 miliard LEK më shumë

Niveli i suficitit për periudhën 7 – mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 45.46 miliard LEK nga rreth 1.38 miliard lekë suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i suficitit rezultonte në masën prej rreth 15 miliard LEK.

Në dhjetor të vitit të kaluar, detyrimet u ulën ndjeshëm me 33% në raport me nëntorin, teksa në fund të vitit financat nxitojnë që të bëjnë riaolokime të buxhetit.

Qeveria shqiptare ka përfituar miliona euro hua nga donatorët për të forcuar kapacitetet e monitorimit dhe parandalimit të krijimit të detyrimeve të prapambetura.

Legjislacioni në fuqi i përmirësuar në bashkëpunim me BB dhe FMN në vitin 2016, nuk parashikon apo lejon asnjë rast të krijimit të detyrimeve të prapambetura. Krijimi i detyrimeve të prapambetura automatikisht shoqërohet me thyerje të paktën një ose me shumë neneve të Ligjit Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në RSH dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Ministria e Financave raportoi se vetëm gjatë vitit 2020 janë përdorur 11,2 milionë euro për projekte që duhet të forconin kapacitet kontrollit dhe të raportimit, zbatimit dhe hartimit të buxhetit, më qëllimin final mos-krijimin e detyrimeve të prapambetura, reduktimin e borxhit publik dhe rritjen e transparencës etj. Edhe pse ligji shkelet vazhdimisht nuk ka zyrtarë të dënuar për këto shkelje dhe për me tepër detyrimet e prapambetura janë kthyer në një zë të rregullt në buxhet.

Institucionet e specializuara të auditit ngrenë dyshime se llogaritë e detyrimeve të prapambetura janë më të mëdha se raportimet e qeverisë në tabelat fiskale. Psh në këto detyrime ende nuk janë kontabilizuar nga detyrimet që rrodhën nga gjykata e Strasburgut./B.Hoxha/MONITOR

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco