SYRI TV/ Rriten çmimet e referencës për 5 njësi administrative të Tiranës

12:17, 15/08/2023
A+ Aa A-

Në 5 njësi administrative të Tiranës, çmimet fiskale mbi të cilat llogaritet taksa e ndërtesave, është shtrenjtuar me 29 deri në 73%. Pas rritjes së çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të Tiranës, kjo rritje bëhet edhe për njësitë Dajt, Farkë, Kashar, Petrelë dhe Prezë, ku rritjen më të lartë e shënon Farka

Nga SYRI TV

Pas rritjes së çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të Tiranës, mbi të cilat llogaritet taksa e ndërtesave, vlerat e tyre u rritën edhe për 5 njësitë administrative të Tiranës. Nga 13 njësitë administrative të Tiranës, në 5 prej tyre, çmimet fiskale mbi të cilat llogaritet taksa e ndërtesave, janë rritur nga 29 deri në 73%. çmimet e referencës janë rritur në njësitë administrative si: Dajt, Farkë, Kashar, Petrelë dhe Prezë. Farka ka rritjen më të lartë të çmimeve fiskale me 73%.

Çmimet fiskale në këtë zonë nga 66,500 arrijnë në 115,200 lekë për metër katror.  Në zonat Petrelë dhe Prezë rritja e çmimeve fiskale është 60%. Në Dajt, çmimet nga 53,500 arrijnë në 75,500 lekë për metër katror (rritja 41%). Në Kashar, nga 53,500 u rritën në 69,000 lekë për metër katror (rritja 29%). Por kjo rritja e çmimeve referuese do të rrisë nivelin e taksës së ndërtesave edhe në këto zona, pasi baza e llogaritjes së taksës është vlera e shtëpisë. Taksa është sa 0,05% e vlerës së apartamenteve llogaritur sipas çmimeve fiskale.

Edhe në vendimin e ri, mbetet i pandryshuar përcaktimi për reduktimin e çmimit fiskal deri në 35% nga njësitë administrative. Sakaq edhe për ndërtesat e privatizuar me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore” i ndryshuar, çmimi për metër katror është 70% e çmimit sipas zonave të tabelës, vetëm në rastin e shitjes së pare.

Ndërsa çmimet fiskale në rrethe kanë mbetur të pandryshuara. Referuar të dhënave të raportit për vitin 2022 “Qeverisja Vendore në Shqipëri” të Institutit të Bashkive të Shqipërisë, bashkitë Pustec dhe Dropull të vetmet ku u rritën çmimet e referencës për vlerësimin e taksës së ndërtesës janë edhe bashkitë që renditeshin me rritjen më të lartë të detyrimeve të prapambetura.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco