SYRI TV/ Rritet me 54 % taksa e referencës, ekspertët: Pasojat do bien mbi qytetarët

10:05, 03/08/2023
A+ Aa A-

Qeveria ka rritur çmimin e referencës, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e apartamenteve, çka sjell automatikisht edhe rritje të tarifave vjetore, qirave apo çmimin në shitje. Me taksën e pasurisë llogaritur sipas çmimeve të reja fiskale, do të paguhet nga 230 lekë deri në 2,600 lekë më shumë në vit. Ekspertët e pasurive të paluajtshme dhe të ekonomisë, vlerësojnë se vendimi do të ndikojë negativisht në të ardhurat e qytetarëve

SYRI TV

Nga 230 lekë deri në 2.600 lekë më shumë në vit do të paguhet me taksën e pasurisë, llogaritur sipas çmimeve të reja fiskale miratuar nga qeveria.

Nëpërmjet një vendimi të vitit 2018, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare, çmimet e referencës së apartamenteve do të rriten me 54% për 32 zona të kryeqytetit, çka do të reflektohet edhe në taksën që paguhet për posedimin e pronës, si për individët, ashtu edhe bizneset.

Formula e re parashikon që taksa e ndërtesës për familjarët do të jetë sa 0.05% e vlerës së apartamentit, ndërsa për bizneset, 0.15% .

Gjin Gjoka, ekspert në fushën e pasurive të paluajtshme, vlerëson se vendimi do të ndikojë në çmimet e pronave, çka sjell automatikisht edhe rritje të tarifave vjetore.  

Edhe njohësit e ekonomisë mbajnë qëndrim kritik ndaj vendimit. Sipas ekspertit të ekonomisë, Klodian Muço, taksat po shtohen në nivele të larta dhe pasojat do të bien kryesisht mbi qytetarët.

Sipas vendimit, rritja mesatare e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të kryeqytetit llogaritet rreth 29.600 lekë për metër katror, çka do të rrisë vlerën e taksës së pronës për qytetarët dhe bizneset. Taksa mblidhet nga pushteti vendor nëpërmjet faturave të ujësjellësit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco