Manipulimi me euron në Shqipëri godet turistët dhe bizneset nga Kosova

Manipulimi me euron në Shqipëri godet turistët dhe bizneset nga Kosova

11:39, 02/08/2023 Nga A.S
A+ Aa A-

Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut e ka nisur këtë javë në rënie të fortë. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha evropiane u këmbye të hënën me 102.87 lekë. Rënia e kursit të Euros është reflektuar në përmasa të ngjashme edhe në kursin e valutave të tjera kryesore. Periudha mes fundit të muajit korrik dhe fillimit të muajit gusht shënon edhe pikun e efektit sezonal në kursin e këmbimit, për shkak të prurjeve valutore nga turizmi. Për këtë arsye, është e pritshme që pozitat e Lekut të qëndrojnë të forta në afatin e shkurtër, shkruan Syri net Kosova.


Por sa po i dëmton bizneset kosovare një raport i tillë mes këtyre dy valutave?

Për ekonomistin Jakup Bellaqa rënia e euros ndikon në dy mënyra tek bizneset në Kosovë.

Ai tregon se në mënyre direkte ndikon sidomos te bizneset që kanë transaksione ekonomike apo shit-blerje.

“Rënia e Euros, në Shqipëri, sigurisht që reflektohet edhe te bizneset në Kosovë, në mënyrë direkte dhe indirekte. Në mënyrë direkete reflektohet sidomos tek bizneset që kanë transaksione ekonomike apo shit-blerje, por përfitues janë bizneset nga Shqipëria, ndërsa bizneset më me pak fitim janë nga Kosova, sepse në vendin tonë përdoret vetëm euro, si monedhë për shit-blerje, ndërsa bizneset nga Shqipëria varësisht prej kursit të këmbimit dhe kur pëson dhe cikleve ekonomike të cilat zhvillohen”, ka theksuar ai.

Sipas Bellaqës më e rrugës do të ishte që bizneset tona çdo shit-blerje ta bëjnë duke përdorur euron, në të kundërtën do të dalin humbës në raport me bizneset shqiptare.

“Por bizneset nga Kosova do të ishte mirë që vetëm me euro të bëjnë transaksionet ekonomike sepse kjo është valutë e fortë dhe ndërkombëtare dhe Leku është kartëmonedhë kombëtare që ka vlerë vetëm nga Shqipëria, dhe interesi ekonomik i bizneseve nga Kosova, është që çdo shit-blerje ta bëjë me/apo duke përdorur valutën euro”, ka thënë ai për Syri net Kosova.

E ndërsa njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj e sheh të pamundur një rritje të tillë të euros në Shqipëri.

Ai ngreh dyshime se një alarm i tillë është spekulativ vetëm sa për të dëmtuar xhepin e turistëve, sidomos të atyre nga Kosova që kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar.

Kadriaj vlerëson se rritja e euros është realin vetëm në raport me valutat tjera jashtë Ballkanit si dollari, funta, frangu e rubla.

“Jam i vetëdijshëm për një rënie të euros por kjo rënie më shumë është në raport me dollarin, funten angleze, frangun zviceran apo rublën ruse. Por kur flasim në raport me vlerat monetare në shtetet e Ballkanit është e pakuptimtë për faktin që në njërën anë ankohen të gjitha shtetet për ndikimin e luftës Ukrainë-Rusi ku duke dëmtuar euron ka dëmtuar edhe ekonomitë e rajonit pra kemi rënie ekonomike ose stagnim ekonomik në vendet e rajonit duke përfshirë edhe Shqipërinë. Pra nuk ka mundësi që të kemi fuqizim të lekut shqiptar, do të ishte i mirë se ardhur sepse i gëzohemi një fuqizimi të lekut shqiptar dhe të ekonomisë shqiptare nëse flasim në vetën e parë, por në realitet nuk qëndron”, është shprehur ai.

“Lind pyetja kur ndodhi ai boom ekonomik në Shqipëri që nuk e dëgjuam pra ndodhi eksport i lart apo prodhim ose zhvillim ekonomik, pra asnjë faktor ekonomik nuk qëndron. Vlerësoj se i vetmi faktor ekonomik por me shumë është spekulim është turizmi shqiptar.  Por kur flasim në nivel evropian Shqipëria nuk mund të krahasohet me asnjë vend bregdetar sa do që ka ngjallur interesim pra është larg bregdetit të Greqisë, Turqisë, Kroacisë, Spanjës si për nga shërbimi dhe volumi që mund të pranoj bregdeti shqiptar pra këtu kemi më shumë një spekulim në emër të euros por si target janë turistet nga Kosova me qëllim që të iu gllabërojnë të hollat me sjelljen aspak njerëzore dhe të parimeve ekonomike dhe financiare duke tentuar që të iu gllabërojnë të hollat me një shërbim nën çdo nivel”, ka shtuar ai.

Ai vlerëson se këmbimi 1 me 1 që aktualisht po ndodhë në Shqipëri nuk ka baze ekonomike.

“Pra Shqipëria si shtet dhe ofertuesit pra hotelierit dhe gastronomia në përgjithësi vetëm korrektësi nuk janë duke treguar ndër vite por me theks të veçantë këtë vit. Pra në raport me ndërrimin e euros një me një siç manipulojnë në Shqipëri ose për me qenë korrekt me parimet financiare 1 me 100 pra 1 euro ndërrohet me 100 lekë nuk ka asnjë bazë ekonomike por vetëm kanë për qëllim që të gllabërojnë pushuesit nga Kosova por duhet të kenë të qartë që një liberalizim në janar 2024 gjasat për alternativa nga pushuesit nga Kosova do të jenë të mundshme për vendet e tjera te Mesdheut pra ne vend qe te jene me joshë bregdetet shqiptare po ngjallin irritim tek pushuesit nga Kosova Pra nëse flasim mbi ekonominë e tregut që klienti është mbret për fat jo të mirë pushuesit nga Kosova janë trajtua larg kësaj maksime ekonomike”, ka përfunduar ai për Syri net Kosova.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i theksuar i Lekut këtë vit ka ardhur kryesisht si rezultat i përmirësimit të Bilancit të Pagesave dhe rritjes së flukseve hyrëse, sidomos nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja direkte. Mbiçmimi i Lekut po ndihmon Bankën e Shqipërisë në objektivin për uljen e inflacionit, ashtu siç po jep një efekt pozitiv në uljen e borxhit në valutë të sektorit publik dhe privat. Forcimi i Lekut po i bën më të lira importet dhe është një ndër arsyet pse Shqipëria ka pasur inflacion më të ulët krahasuar me shumicën e ekonomive të tjera. Besohet se efektet e valës së re të forcimit të Lekut, pas pranverës, do të jenë më të prekshme në çmimet e konsumit gjatë muajve në vazhdim.

Por, nga ana tjetër, forcimi i monedhës vendase po ndikon negativisht sektorët eksportues të ekonomisë, që kanë të ardhura në valutë të huaj dhe shpenzime në lekë. Efektet më të forta mund të ndihen në sektorin e fasonerisë, ku mundësitë për të korrigjuar marzhat si rezultat i forcimit të Lekut janë të kufizuara. Megjithatë, forcimi i Lekut po ndikon negativisht edhe sektorët e tjerë, përfshirë turizmin, duke i bërë më pak konkurrues në shitjen e mallrave dhe shërbimeve për blerësit e huaj.

 

Rënia e euros ndodhi menjëherë në kohën e zgjedhjeve kur pushteti i Edi Ramës thuhet se shpërndau miliona euro për të blerë votat. Paraja e drogës dhe krimit është një tjetër arsye e kësaj rënie të euros në Shqipëri, një vend që renditet si ndër më të varfrit në Evropë dhe me korrupsion sistematik shtetëror. Kjo rënie po dëmton edhe vetë bizneset e Shqipërisë

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco