Përvoja amerikane dhe veprimet e pamoralshme të qeverisë shqiptare për pagat

Përvoja amerikane dhe veprimet e pamoralshme të qeverisë shqiptare për pagat

12:33, 06/06/2023
A+ Aa A-

MONITOR

Kur zonja Hillari Klinton u emërua Sekretarja e 67-të e Departamentit të Shtetit në periudhën 2009-2013, Kongresi në SHBA i uli pagën në krahasim me paraardhësen Rajs.

Ky ishte mekanizmi, i cili mundësoi emërimin e saj në këtë post. Arsyeja lidhej me faktin që në Kongres, znj. Klinton kishte votuar pro rritjes së pagës në administratë.

Kjo ndodh pasi Kushtetuta e SHBA-së përmban klauzola mbi kompensimet e zyrtarëve të administratës. Një ndër to është klauzola sipas së cilës, asnjë senator apo anëtar i Kongresit nuk do të emërohet në poste administrate që janë krijuar apo kompensimi për këto poste është rritur gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës si i zgjedhur.

Qëllimi i kësaj klauzole është të ruajë ndarjen e pushteteve dhe të parandalojë ndikimin e pushtetit ekzekutiv mbi atë legjislativ dhe anasjellas.

Ky shembull nga Kushtetuta amerikane dhe rasti i znj. Klinton na japin një sistem shumë të qartë reference për të gjykuar mbi vendimin më të fundit të rritjes së pagave të propozuar nga qeveria, të miratuar me votim gjithëpërfshirës në Kuvend dhe të vulosur me dekretimin e Presidentit të Republikës.

Dhe përfundimi, që del nga ky krahasim, nuk është aspak i mirë. Veprimi i kryer nga qeveria shqiptare qartazi është i pamoralshëm, jo etik dhe jo në respekt të ndarjes së pushteteve.

Ajo çfarë e dalloi këtë vit vendimin e rritjes së pagave, që shpeshherë i referohen gabimisht si reformë pagash, është trajektorja që ndoqi në periudhat para dhe pas zgjedhjeve për pushtetin vendor.

Një fushatë e ndërmarrë personalisht nga kryeministri para zgjedhjeve, duke anatemuar fillimisht pagat në të zezë në sektorin privat dhe thirrjen drejtuar punëtorisë për të denoncuar pronarët; më pas duke u angazhuar për rritjen e pagës së pjesës së shërbimeve masive të punonjësve buxhetorë, përkatësisht mjekë, infermierë, mësues, punonjës policie, për të frenuar edhe emigrimin.

Me pak fjalë, kryeministri po qante hallin dhe po jepte një zgjidhje në lidhje me pagat e “vegjëlisë”.

Rritja e premtuar e pagave nuk arriti të miratohej përpara datës së zgjedhjeve për shkak (sipas një lajmi gjysmë shaka, gjysmë të vërtetë) të pengesës nga një deputet. Megjithatë, rritja e pagave nuk u harrua, por me të kaluar zgjedhjet ndryshoi shënjestra e “reformës së pagave”.

Rritja e pagave reale ishte pothuaj zero, ose shumë e ulët për “vegjëlinë” e buxhetorëve dhe pothuaj në dyfish për rangjet e larta të administratës, përfshi krerët e shtetit, përkatësisht president, kryeministër, kryetar Kuvendi, deputet, ministër etj., të këtij rangu. Psh, paga e Presidentit është 7 herë më e lartë se mesatarja e vendit, rekord në rajon dhe 11 herë më shumë se ajo minimale.

Kjo trajektore e bën vendimin të pamoralshëm, sepse devijoi nga qëllimi i kryesor: trajtimi me pagë më dinjitoze të pagamarrësve për të luftuar informalitetin dhe emigrimin. Rritja madje ishte e tillë që vetëm sa kompensoi inflacionin, ose fare pak mbi të.

Rritja e theksuar e pagave për nivelet e larta të administratës, pavarësisht argumentit të hierarkisë, që u theksua fort nga kryeministri dhe nga diskutimet në seancën parlamentare, nuk siguroi ndarje pushteti ekzekutiv dhe legjislativ apo presidencial, përkundrazi theksoi ndikimin e njërit për tjetrin, sepse asnjë pushtet nuk sfidoi tjetrin, madje as opozita nuk pati forcë të hiqej më e moralshme, edhe në kushtet kur numrat për të miratuar rritjen e shformuar të pagave ishin të siguruara.

Sa për renditjen hierarkike të pagave, përsëri SHBA na japin një shembull mjaft të mirë referimi. Nëse diskuton çështjet e pagave në zyrat e bankës qendrore të SHBA-së të thonë me krenari se

Guvernatori i asaj banke merr pagë që është më e ulët edhe sesa nivele të caktuara të vartësve të tij, punonjës të bankës qendrore. Sepse ajo që ka vlerë për këtë zyrtar është nderi i ofruar për të shërbyer në postin e guvernatorit. Pra nuk është shterues argumenti i përdorur që, për shembull, një prokuror të paguhet më tepër sesa një president.

Diskutimi nuk lidhet me faktin përse rriten pagat. Është e qartë që rritja dhe korrektimi i pagave në të dy sektorët, shtetëror dhe privat, janë të nevojshme dhe duhet të kryhen sipas rastit në reflektim të kostove të jetesës, ndryshimit në rendiment, raportit të kërkesë / ofertës për krahun e punës etj.

Dhe kjo vlen edhe për nivelet e larta të administratës shtetërore. Por modeli i përdorur këtë herë në rritjen e pagave, sidomos pas një periudhe të ngarkesës me tatime, përfshi edhe TVSH e aplikuar mbi çmime më të rritura, ka sjellë një shformim edhe në aspekt rajonal, ku duket sikur shpërblehet ai udhëheqës shteti, shtetasit e të cilit kanë më pak të ardhura për frymë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco