Lajmi i fundit

LIVE/ Rama në Athinë, fjalim para administratës së vet dhe emigrantëve shqiptarë

Dekada e inflacionit të lartë

Dekada e inflacionit të lartë

07:50, 28/05/2023
A+ Aa A-

Nga Les Nemethy, CEO, Euro-Phoenix M&A Advisors, ish-bankier në Bankën Botërore

Kam shkruar prej kohësh se do të përballemi me një periudhë inflacioni të lartë. Tani besoj se ka një probabilitet të lartë që do të përballemi me një dekadë të tërë inflacioni të lartë. Kjo nuk do të thotë se inflacioni nuk mund të ulet asnjëherë gjatë dekadës (p.sh. nëse ka recesion).

Për shembull, në vitet 1970, pati ulje dhe ngritje të inflacionit, por në përgjithësi, ajo ishte një nga dekadat më inflacioniste në histori.

Në pjesën e parë të këtij artikulli, do të përmbledh shkurtimisht arsyet pse unë mendoj se do të përjetojmë një dekadë me inflacion të lartë. Në pjesën e dytë, do të jap prova se inflacioni nuk është i rastësishëm, por një grabitje e qëllimshme nga qeveritë dhe në fund do të dal në një përfundim.

(a) Vitet 2020 ka të ngjarë të jenë një dekadë inflacioni

Ky seksion nuk është gjithëpërfshirës. Ai përmbledh vetëm katër nga ndryshimet e mëdha strukturore inflacioniste që po ndodhin sot në botë:

• Deglobalizimi. Fabrikat nuk ndërtohen më aty ku kostot e faktorëve janë përmirësuar; siguria e zinxhirit të furnizimit është bërë një konsideratë shumë më e rëndësishme. Kjo rezulton në mënyrë të pashmangshme në çmime më të larta, të shkaktuara edhe nga ndërprerjet në linjat e furnizimit dhe nevoja për të pasur më shumë inventarë.

• Demografia. Për shkak të krizës demografike, fuqia punëtore bëhet më e pakët, duke ushtruar trysni mbi kostot e punës.

• Energjia e gjelbër. Energjia e gjelbër është më e shtrenjtë se energjia fosile. Sa më shumë të zëvendësojmë lëndët djegëse fosile me energji të gjelbër, aq më shumë kjo rrit kostot e energjisë. Mungesa e mineraleve të energjisë së gjelbër, do të rrisë më tej kostot e saj.

Zhvendosja e politikave drejt energjisë së gjelbër, ka sjellë që ofruesit e lëndëve djegëse fosile të ngurrojnë për të investuar në zgjerimin, apo edhe zëvendësimin e kapaciteteve të karburanteve fosile, nga frika se mos mbeten me asete të zhvlerësuara, kështu që çmimet e karburanteve fosile janë rritur gjithashtu.

• Ekonomia e luftës. Ashtu si Shtetet e Bashkuara u përpoqën të mundësonin “armë dhe gjalpë” në fund të viteve 1960 dhe 1970 (gjatë luftës në Vietnam dhe programit “Shoqëria e Madhe” e presidentit Johnson), edhe sot, qeveritë po shpenzojnë me bollëk për gjithçka, nga ndihmat për rimëkëmbjen nga Covid-19, deri te sigurimet shoqërore, ndërsa lufta në Ukrainë (dhe konfliktet e tjera ose kërcënimet për konflikte), po rrisin shpenzimet ushtarake.

Financimi i deficitit mundësohet nga oferta e zgjeruar monetare.

• Garancitë e qeverisë për kreditë bankare. Këto po përjetojnë rritje befasuese në të dyja anët e Atlantikut, duke i shtyrë bankat të japin më shumë hua, duke nxitur edhe një herë, rritjen e ofertës monetare dhe inflacionit.

(b) Inflacioni nuk është i rastësishëm, por një akt i qëllimshëm grabitjeje

Në mbrojtje të deklaratës së mësipërme, do të ofroj mendimet e një sërë mendimtarësh të mëdhenj. Më poshtë janë disa nga shprehjet e mia të parapëlqyera për inflacionin, gjatë një dekade:

“Me një proces të vazhdueshëm inflacioni, qeveria mund të konfiskojë, në mënyrë të fshehtë dhe të padallueshme, një pjesë të rëndësishme të pasurisë së qytetarëve të saj”.

Image

– J.M. Keynes

 

“Gjëja më e rëndësishme është të kuptojmë se inflacioni nuk është një veprim i Zotit, nuk është as ndonjë fatkeqësi natyrore apo një sëmundje. Inflacioni është një strategji politike.”

Image

– Ludwig von Mises

 

“Nuk mendoj se është një teprim të thuhet se historia është kryesisht një histori inflacioni, zakonisht inflacione të krijuara nga qeveritë për përfitimin e qeverive”.

Image

– Friedrich A. Hayek

 

“Shumica e atyre që janë në poste politike, publikisht e kundërshtojnë inflacionin, ndërsa nga ana tjetër, mbështesin politika që e prodhojnë atë.“

Image

– Warren Buffet

 

“Ilaçi i parë për një komb të kequdhëhequr është inflacioni i monedhës; i dyti është lufta. Të dy sjellin begati të përkohshme; të dy sjellin rrënim të përhershëm. Por të dy janë streha e oportunistëve politikë dhe ekonomikë. “

Image

– Ernest Hemingway

 

“Inflacioni nuk shkaktohet nga veprimet e qytetarëve privatë, por nga qeveria: nga një zgjerim artificial i ofertës monetare të nevojshme për të mbështetur shpenzimet e deficitit. Asnjë mashtrues financiar privat apo grabitës bankash në histori, nuk ka grabitur kursimet e njerëzve në një shkallë të krahasueshme me plaçkitjen e kryer nga politikat fiskale të qeverive shtetërore.”

Image

– Ayn Rand

 

“Sidoqoftë, inflacioni mund të vazhdojë vetëm për aq kohë sa ekziston mendimi se ai do të ndalojë në të ardhmen e parashikueshme. Pasi të krijohet bindja se inflacioni nuk do të ndalet, shpërthen paniku.“

Image

- Ludwig von Mises

(c) Disa komente në mbyllje

Mund të shtoj se ndoshta, e vetmja mënyrë e pranueshme politikisht që politikanët mund t’i bëjnë përsëri më të menaxhueshme nivelet tona të borxhit, është duke rritur inflacionin për të ulur vlerën e borxhit, dhe duke e mbajtur normën e tij disa pikë përqindje më të lartë se norma e interesit.

Duke pasur parasysh se ne po përballemi me një sasi rekord borxhi të akumuluar në historinë e njerëzimit, rreth 370% e PBB-së globale, do të ketë shumë pak mundësi të tjera përveç rritjes së inflacionit. Ndoshta kjo është edhe mënyra e përgjegjshme e veprimit./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco