Frenohet treguesi i Ndjesisë Ekonomike, optimist vetëm treguesi i Besimit në Ndërtim

Frenohet treguesi i Ndjesisë Ekonomike, optimist vetëm treguesi i Besimit në Ndërtim

07:00, 02/03/2023
A+ Aa A-

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) qëndroi i pandryshuar në muajin shkurt, duke frenuar pas tre muajve radhazi në rritje. Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, muajin e kaluar u regjistrua rritje e besimit në sektorët e ndërtimit, tregtisë, prodhimit dhe të besimit konsumator. Por, rënia e besimit në sektorin e shërbimeve dha një efekt të kundërt, duke bërë që në terma mesatarë treguesi i ndjesisë ekonomike të qëndrojë i pandryshuar. Megjithatë, ky tregues vazhdon të jetë sipër mesatares historike.

Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 2.2 pikë përqindjeje në muajin shkurt, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet pozitive për kontratat porositëse, si vendase ashtu edhe nga eksportet. Krahasuar me mesataren historike, niveli i treguesit është rreth 5.2 pikë përqindjeje më i lartë. Bizneset vlerësojnë me rritje të lehtë prodhimin industrial. Ndërkohë, pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen kanë rënë.

Treguesi i besimit në ndërtim regjistroi rritje të fortë me 6.2 pikë përqindjeje në muajin shkurt. Niveli i tij mbetet ndjeshëm mbi mesataren historike, me rreth 24 pikë përqindjeje. Rritja në këtë muaj u ndikua si nga vlerësimi më i lartë për aktivitetin aktual të biznesit ashtu dhe nga ai i porosive. Bizneset e ndërtimit presin përsëri rritje të çmimeve të tyre në të ardhmen.

Treguesi i besimit në shërbime regjistroi rënie me 3.2 pikë përqindjeje në muajin shkurt. Megjithatë, niveli i tij vijon të mbetet mbi mesataren historike, me rreth 9.6 pikë përqindjeje. Rënia e TBSH-së u ndikua nga balancat negative për ecurinë aktuale të biznesit dhe për nivelin e kërkesës. Vlerësimet e bizneseve të shërbimeve shfaqen në rënie për nivelin e punësimit, ndërkohë që në të ardhmen ky tregues pritet të rritet ndjeshëm. Pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen vlerësohen me rënie.

Treguesi i besimit në tregti u rrit me 0.9 pikë përqindjeje në muajin shkurt. Bizneset e tregtisë vlerësuan me rritje ecurinë aktuale të biznesit të tyre, por pritjet për çmimet dhe punësimin në të ardhmen u vlerësuan me rënie.

Treguesi i besimit konsumator vijoi të përmirësohet për të pestin muaj me radhë, duke iu afruar më shumë mesatares historike të tij. Megjithë përmirësimin me 0.2 pikë përqindjeje, treguesi vijoi të rezultojë 3.7 pikë përqindjeje poshtë mesatares historike.

Rritja e treguesit në shkurt u ndikua nga pritjet më optimiste për situatën ekonomike e financiare, si dhe për blerjet në shuma të mëdha gjatë muajve të fundit. Nga ana tjetër, vlerësimi për blerjet e mëdha në të ardhmen ishte me rënie. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë këtë muaj./MONITOR

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco