SYRI TV/ 'Po shmangni diskutimet me grupet e interesit,' debate te 'Shëndetësia' për fondin e pensioneve

15:04, 21/02/2023
A+ Aa A-

Skema e pensioneve përmes fondeve private nxiti debate mes opozitës dhe maxhorancës në komisionet e Ekonomisë dhe të Shëndetësisë. Deputetja Albana Vokshi  akuzoi maxhorancën se po  e kalon projektligjin me shpejtësi duke shmangur grupet e interesit, ndërsa theksoi se deputetët e PD po përjashtohen për të paralizuar punën e komisioneve parlamentare. Më herët, kreu i Agjensisë së Mbikqyrjes Financiare Ervin Mete pranoi në komisionin e Ekonomisë, dështimin e pensioneve me fondet private, ku në skemë, sipas tij, ka një pjesëmarrje prej vetëm 2.4%

Nga SYRI TV

Projektligji për fondet e pensionit privat përplasi maxhorancën dhe opozitën në komisionin e Shëndetësisë. Deputetët demokratë  kërkuan që të respektohet rregullorja e Kuvendit dhe të dëgjohen grupet e interesit para se të miratohet nga komisioni përgjegjës.  Deputetja Albana Vokshi deklaroi se socialistët po nxitojnë për ta kaluar në seancë plenare, ndërsa theksoi se ligjvënësit demokratë u përjashtuan qëllimisht  nga punimet e Kuvendit për të paralizuar punën e komisioneve parlamentare.

Albana Vokshi: Shkelje flagrante e rregullores së Kuvendit! S’ka pse të jetë me procedurë të përshpejtuar, një projektligj që prek çdo qytetar shqiptar. Në procedurën e bazuar në rregulloren e Kuvendit, pasi diskutohet në parim, pasi diskutohet me të gjitha palët e interesit, që unë kërkoj që të bëhet dëgjesë me të gjithë palët e interesit, kalohet nen për nen dhe pastaj i shkohet komisionit të Ekonomisë. Po a e dini ju që sot, me urdhër të Edi Ramës, janë përjashtuar 6 deputetë?! Gjysma e tyre në një gjyq politik, gjysma e tyre i përkasin Komisionit të Ekonomisë.  

Zv.Kryetarja Klodiana Spahiu: Ju lutem, zonja Vokshi, kjo s’ka të bëjë fare me procedurën. Ju lutem shumë, a ka mundësi të konkludosh? Nuk është e hijshme që të të heq mikrofonin.

Albana Vokshi: Po paralizoni...Mos ki frikë o Klodi, se mbrohet vetë Edi Rama, s’e mbron ti!

Zv.Kryetarja Klodiana Spahiu: Nuk është e hijshme të të mbyll mikrofonin!

Albana Vokshi: Po paralizoni punën e komisioneve parlamentare , po paralizoni me shkelje të Kushtetutës edhe seancën parlamentare... Edi Ramën nuk e shpëtoni dot në asnjë rast! Po mbytet dhe po ju merr për fat të keq edhe ju, po më lini të flas. A e dini që ju sot me urdhër të Lindita Nikollës është tentuar të ndalohet një nga deputetet e opozitës për të hyrë në Komisionin e Ekonomisë?!

Debati erdhi pasi ky projektligj u votua parimisht në komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, pa praninë e deputetëve të përjashtuar të PD.

Kryetari Eduard Shalsi: Atëherë, kush është dakord me ligjin në parim? Pro? Kundër? Abstenim? Miratohet!

Ndërkohë, kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, gjatë prezantimit të projektligjit në komisionin e Ekonomisë pranoi  dështimin e pensioneve përmes fondeve private, duke theksuar se këtë në skemë ka një pjesëmarrje prej vetëm 2.4 %.

Ervin Mete: “Në raport me forcën e punës, ne kemi 2.4% pjesëmarrje. Që ky të qëndrohet i qëndrueshëm, duhet të arrijë rreth 5% të forcës së punës dhe rreth 10% e forcës së punës, në mënyrë që të ketë impaktin social të krijimit të një mbrojtjeje shtesë krahas skemës së detyrueshme.”

Projektligji i paraqitur në Kuvend për fondet e pensionit privat parashikon lehtësira fiskale për kontribuesit që i marrin mbrapsht të ardhurat me këste, por dhe penalitete për rastet kur fondet kërkohen para kohe.

Gazetar: M.Korreshi 

Pamjet: Syri TV 

Montazhier: L.Islami

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco