Kriza prek konsumin, të ardhurat buxhetore ishin negative në tetor

Kriza prek konsumin, të ardhurat buxhetore ishin negative në tetor

10:15, 17/11/2022
A+ Aa A-

Ritmi i rritjes së të ardhurave buxhetore shënoi ngadalësim të ndjeshëm në tetor, në krahasim me muajt e mëparshëm, teksa rritja e ndjeshme e çmimeve duket se po frenon konsumin.

Sipas statistikave paraprake të Ministrisë së Financave, në tetor u arkëtuan gjithsej 49 miliardë lekë. Në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, rritja është vetëm 4.6%.

Duke e indeksuar me inflacionin, i cili ishte 8.3% në tetor, -niveli më i lartë që nga viti 1996- rritja reale e të ardhurave rezulton që të jetë negative, pasi buxheti ka arritur të arkëtojë më pak sesa shtesa e çmimeve, ndërkohë që dhe rritja ekonomike ishte pozitive (rreth 4.3 për 6 mujorin, kur janë të dhënat e fundit të disponueshme nga INSTAT).

Në total, për 10 mujorin, të ardhurat ishin 475 miliardë lekë, me një rritje prej 14.7%, ose 60.2 miliardë lekë (512 milionë euro) më shumë.

Ritmet e rritjes së të ardhurave ishin më të lartat në tre muajt e parë të vitit, të ndikuara si nga baza më e ulët e një viti më parë, kur ekonomia po vuante ende nga pasojat e pandemisë, ashtu dhe nga rritja e fortë e çmimeve, që bëri që financat të arkëtonin më shumë nga TVSH-ja, që është një taksë që aplikohet mbi çmimin final dhe sjell gati një të tretën e të ardhurave në buxhet.

Të ardhurat totale për 10 – mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 101 % të planit të 10 – mujorit.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 10 – mujore të vitit 2022, arritën në rreth 465 miliard LEK me një realizim në masën 90.5% të planit të periudhës ndërkohë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë ka rezultuar rreth 3.1 % më i lartë ose rreth 14 miliard LEK më shumë.

Niveli i suficitit për periudhën 10 – mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 10 miliard LEK nga rreth 42 milion lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 36 miliard LEK./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco