Qeveria do të ulë me 24% huamarrjen në tregun e brendshëm gjatë vitit 2023

Qeveria do të ulë me 24% huamarrjen në tregun e brendshëm gjatë vitit 2023

12:02, 25/10/2022
A+ Aa A-

Qeveria shqiptare do të ulë ndjeshëm huamarrjen në tregun e brendshëm financiar për vitin e ardhshëm. Sipas projektbuxhetit të vitit 2023, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuara për t’u financuar në tregun e brendshëm është 25 miliardë lekë, 24% më pak krahasuar me projeksionin e vitit 2022, bazuar në aktin e fundit normativ.

Ulja e huamarrjes së brendshme është e lidhur, në radhë të parë, me parashikimin në ulje të deficitit buxhetor. Për vitin 2023, deficiti i buxhetit parashikohet në vlerën e 55.5 miliardë lekë, në rënie me pothuajse 34% krahasuar me planin e këtij viti. Në terma realë, deficiti pritet të bjerë në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 4.1% për vitin 2022.

Ulja e huamarrjes së re pritet të lehtësojë kërkesën mbi tregun e brendshëm financiar, në një periudhë kur yield-et e instrumenteve të borxhit po rriten me ritme shumë të shpejta.

Inflacioni i lartë dhe rritjet e njëpasnjëshme të normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë kanë bërë që invetitorët të kërkojnë norma gjithnjë e më të larta për të financuar borxhin e qeverisë dhe kjo tendencë është veçanërisht e theksuar në instrumentet e borxhit afatshkurtër.

Në ankandin e fundit të bonove me maturim 12 mujor, yield-i mesatar i ponderuar arriti në 5.26%. Krahasuar me një vit më parë, yield-i mesatar i bonove 12 mujore është rritur me pothuajse 3.6 pikë përqindjeje.

Megjithëse huamarrja e re pritet të ulet, Ministria e Financave pret një rritje të ndjeshme të shpenzimeve për interesat e borxhit të brendshëm vitin e ardhshëm. Sipas projektbuxhetit, pritet që shpenzimet për interesa të arrijnë në 34.3 miliardë lekë, në rritje me 25% krahasuar me vitin 2022. Gjithashtu, Ministria e Financave ka parashikuar edhe një fond kontigjence për risqet e lidhura me huamarrjen në vlerën e 4.9 miliardë lekëve.

Ulja e huamarrjes së brendshme mund ta zbusë disi kërkesën mbi tregun e brendshëm financiar dhe të ndikojë në një zbutje të rritjes së shpejtë të yield-eve. Një arsye që e ka nxitur edhe më shumë rritjen e yield-eve këtë vit ka qenë edhe mospërputhja mes kërkesës dhe ofertës në ankandet e instrumenteve të borxhit. Në shumë raste, kërkesa e investitorëve ka qenë më e ulët se shumat e ofruara për shitje nga qeveria shqiptare. Kjo ka rezultuar në mosplotësim të shumës së planifikuar të huamarrjes, por edhe në rritjen e yield-it mesatar.

Sipas Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2023 në tregun e brendshëm, nëpërmjet titujve afatshkurtër kryesisht do të synohet rifinancimi i titujve ekzistues, si dhe menaxhimi i nevojave për likuiditet. Ndërkohë, nëpërmjet titujve afatgjatë do të synohet të realizohet huamarrja e re e planifikuar./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco