Masat mbështetëse për bujqësinë, mbi 16 mijë aplikantë por vetëm 31% me fonde të disbursuara

Masat mbështetëse për bujqësinë, mbi 16 mijë aplikantë por vetëm 31% me fonde të disbursuara

10:24, 25/10/2022
A+ Aa A-

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural hodhi dritë mbi ecurinë e disa masave kryesore të saj në mbështetje të bujqësisë në raportin e radhës të monitorimit të buxhetit. Ajo që rezulton është një volum i madh aplikimesh por që vetëm një pjesë e vogël e tyre është shqyrtuar dhe akoma më e vogël është pjesa e atyre që kanë arritur të marrin fondet. Së pari sa i takon masës mbështetëse nga skema kombëtare ministria detajon se ka përfunduar procesi i aplikimit dhe vlerësimit të aplikimeve. Kanë aplikuar rreth 16,093 aplikantë për skemat kombëtare, nga të cilët janë shqyrtuar rreth 5,872 aplikime dhe janë disbursuar rreth 4,951 përfitues.

“Aplikimi më i madh vazhdon të jetë tek masa e blegtorisë me rreth 43.6 % të aplikimeve, ndjekur nga kultivimi i grurit me rreth 24.7% dhe mbështetja për bletarinë me rreth 18.2 % të totalit të aplikimeve. Për të lehtësuar situatën për fermerët nisur nga kushte aktuale në të cilat po kalojmë për shkak të agresionit Rus në Ukrainë, një fond prej 1.2 miliard lekë ju shtua skemës për kultivimin e grurit, si dhe mbështetjen me 40 lekë/litër të karburantit në anijet e peshkimit” thuhet në raport.

Sa i takon skemës së subvencionit të naftës raporti i monitorimit 8-mujor i publikuar vetëm pak ditë më parë sjell në vëmendje se ka pasur rreth 49,654 aplikime në total, nga të cilat janë vlerësuar dhe disbursuar 33,691 aplikime. Po ashtu skema e mbështetjes me naftë u shtua me rreth 500 milion lekë të tjera.

Lidhur me përfituesit nga IPARD II raporti nënvizon se institucionet janë në proces vlerësimi dhe disbursimi të fondeve.

“Aktualisht janë disbursuar 205 subjekte. Duke qenë se procesi i disbursimit të fondeve po ecën në masë të kënaqshme nga AZHBR janë kërkuar fonde shtesë, të pamundësuara për efekt të tavaneve të miratuara. Po ashtu është miratuar programi IPARD III dhe jemi në procesin e akreditimit të masave të reja” thuhet në dokument.

Në produktin tjetër që lidhet me “përfitues nga projektet e tjera të huaja” raporti saktëson se ecuria ka qenë e mirë në disa prej tyre, sipas planit të aktiviteteve, ndërsa në disa të tjerë nuk ka pasur disbursime por ka vijuar puna.

Ndërsa për projekte investimesh të brendshme thuhet se për të gjithë ato projekte të çelura, kanë filluar procedurat tenderuese të fondeve dhe janë në proces./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco