Pakoja për Ringjallje Ekonomike, Qeveria e Kosovës ndan 19 milionë euro

Pakoja për Ringjallje Ekonomike, Qeveria e Kosovës ndan 19 milionë euro

11:02, 21/10/2022
A+ Aa A-

Qeveria e Kosovës ka ndarë 19 milionë euro për zbatimin e Pakos për Ringjallje Ekonomike. 5 milionë janë ndarë për zbatimin e masës 3.7 për mbështetje për tejkalimin e krizës energjetike. Kurse, 14 milionë për zbatimin e masave shtesë në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, të masës 3.6 Mbështetja e likuiditetit familjar.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar dy vendime për ndarjen e nëntëmbëdhjetë milionë eurove, për zbatimin e Pakos për Ringjallje Ekonomike.
Qeveria përmes një njoftimi ka sqaruar se ka ndarë 5 milionë euro në mbështetje për tejkalimin e krizës energjetike.
“Me vendimin e parë të miratuar në mbledhjen e 101-të të Qeverisë, janë ndarë pesë milionë euro (5.000.000,00 €) për zbatimin e masës 3.7 Mbështetje për tejkalimin e krizës energjetike, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike”, njoftoi Qeveria.

Kurse, janë ndarë edhe 14 milionë euro në masa shtesë sipas Pakos për Ringjallje Ekonomike të masës për mbështetje të likuiditetit familjar.
“Ndërsa, me vendimin e dytë të miratuar në këtë mbledhje, janë ndarë mjete buxhetore në shumën prej katërmbëdhjetë milionë euro (14.000.000,00 €), për zbatimin e masave shtesë në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, të masës 3.6 Mbështetja e likuiditetit familjar”.

Masa 3.6. – Mbështetja e likuiditetit familjar, ka për qëllim të adresimit të likuiditetit familjar, do të subvencionohen kreditë për konsum deri në 3,000 euro. Kjo do t’iu mundësojë shumë familjeve të mbyllin bilancet e kredit-kartelave që kanë interesa shumë të larta, dhe njëkohësisht të përgatiten për vjeshtë duke pasur likuiditetin e nevojshëm për mbulimin e shpenzimeve sezonale.

Qeveria e Kosovës, vitin e kaluar, ka miratuar një pako prej 420 milionë eurosh për, siç është thënë, rimëkëmbje ekonomike, pas pasojave që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.
Nga kjo pako, Qeveria ka ndarë disa herë mjete për t’i subvencionuar bizneset.
Gushtin e kaluar, ajo ka ndarë 150 milionë euro për rikthimin në punë të disa punëtorëve që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë.
Përmes ndihmës për bizneset, synim i Qeverisë ka qenë edhe të rrisë formalizimin e punëtorëve.

Për këtë qëllim, edhe Administrata Tatimore e Kosovës, vitin e kaluar, ka nisur projektin e ashtuquajtur “Punësimi joformal 2021-2022”.
Në kuadër të tij, ATK-ja ka kryer disa aktivitete për identifikimin e personave që nuk i përmbushin detyrimet për regjistrimin e punëtorëve.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në një raport të publikuar në gusht, ka vlerësuar po ashtu se lufta në Ukrainë, përveç se ka ndërprerë trendin e rritjes ekonomike, ka rritur konsiderueshëm rreziqet e përgjithshme ndaj stabilitetit financiar. Sipas BQK-së, shkalla e lartë e inflacionit është duke ndikuar në rënien e fuqisë blerëse të familjeve, me theks të veçantë të atyre me të ardhura më të ulëta./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco