Banka e Shqipërisë bleu këtë javë 5.3 milionë euro, pjesëmarrja në ankand ishte më e ulët se zakonisht

Banka e Shqipërisë bleu këtë javë 5.3 milionë euro, pjesëmarrja në ankand ishte më e ulët se zakonisht

12:05, 20/10/2022
A+ Aa A-

Banka e Shqipërisë zhvilloi këtë javë ankandin e radhës për blerje të valutës në tregun e brendshëm financiar. Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 5 dhe 8 milionë eurove, ndërsa Banka e Shqipërisë vendosi të blejë një shumë prej 5.3 milionë eurosh, vetëm pak më e lartë se niveli i minimal i parashikuar.

Shuma e blerë ishte ndjeshëm më e ulët krahasuar me ankandet e mëparshme të realizuara gjatë këtij viti, ndërsa Banka e Shqipërisë nuk realizoi as blerje në raundin e dytë, edhe për shkak të pjesëmarrjes së ulët në ankand. Shuma totale e ofruar nga pjesëmarrësit në ankand ishte vetëm 6.8 milionë euro, ndjeshëm më pak krahasuar me ankandet e zhvilluara gjatë muajve të verës. Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 116.95 dhe 117.2 Lekëve. Kursi mesatar i ponderuar i blerjeve në raundin e parë ishte 117.07 Lekë.

Sipas burimeve nga tregu, arsyeja kryesore për pjesëmarrjen e ulët në ankandin e djeshëm ka qenë se në ditët e fundit bankat kanë shitur shuma të konsiderueshme valute, kryesisht për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), që vazhdon blerjet e saj periodike për të mbuluar nevojat e importit të energjisë. Kjo kërkesë e KESH ka sjellë një rritje të lehtë të kursit të euros ndaj lekut në ditët e fundit.

Në kalendarin vjetor të ndërhyrjeve në tregun valutor, të hartuar në fund të vitit 2021, Banka e Shqipërisë kishte planifikuar 15 ankande të blerjes së valutës, por tre prej tyre që ishin planifikuar për periudhën mars-prill u anuluan, për shkak të luhatjeve të përkohshme që u regjistruan në kursin e këmbimit valutor në atë periudhë. Deri në fund të vitit 2022, janë planifikuar të zhvillohen edhe tre ankande të tjera për blerje valute, një në muajin nëntor dhe dy në muajin dhjetor. Bazuar në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, parashikohet që për vitin 2022 të blihet në tregun e brendshëm valutor një shumë në intervalin midis 140 dhe 200 milionë eurove.

Blerjet e programuara të valutës nëpërmjet ankandeve nuk kanë qëllim të ndikojnë ecurinë e kursit të këmbimit, por bëhen për nevojat e administrimit të rezervës valutore të vendit.

Në fund të muajit gusht, rezerva valutore e vendit kishte vlerën rekord të 5.08 miliardë eurove, në rritje me 22.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Por, ajo mund të përdoret edhe si instrument rregullues në raste të çrregullimit të kursit të këmbimit ose në funksion të objektivave ligjorë të Bankës së Shqipërisë, për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit financiar./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco