Shoqatat e bizneseve: Kostot janë shtuar me 50%, por qeveria rrit gjobat

Shoqatat e bizneseve: Kostot janë shtuar me 50%, por qeveria rrit gjobat

12:18, 19/10/2022
A+ Aa A-

Shoqatat e Biznesit kanë kundërshtuar fort paketën fiskale të vitit 2023, gjatë një konference të përbashkët, ku pjesëmarrëse janë  Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Shoqata e Prodhuesve të Birrës, Ndërtimit, Riciklimit, Eksportuesve.

Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë tha se “nisur nga situata ekonomike që po kalon vendi, e ndikuar nga kriza globale, sipërmarrësit prodhues, industria agropërpunuese, ndërtimi po përballen me rritje të kostove me mbi 50 për qind”.

Ndonëse bizneset po përballet me një situatë të vështirë, shoqatat e sipërmarrësve ankohen se: “Paketa fiskale është fokusuar në shumëfishimin e gjobave. Në asnjë shtet nuk ka gjoba 10 apo 20 fish më të larta se Europa dhe rajoni”.

Jaka tha se bizneset kërkojnë që të ulet ngarkesa fiakale, të zbatohet ligji i amnistisë fiskale, të hiqet TVSH për pajisjet për prodhimin e energjisë, të hiqet kufiri i TVSH për importin e makinerive. Bizneset kërkojnë që të krijohet nje fond garancie deri në 5 vjet, me interesa jo më të lartë se 1 për qind për 1 vit.

Industria e birrës e ka kundërshtuar propozimin për unifikimin e akcizës së birrës. Jaka tha që duhet të rishikohet drafti i akcizës së birrës, pasi dëmton industrinë dhe është një vendim i pastudiuar mirë. Stefan Pinguli nga Shoqata e prodhuesve tha se në Shqipëri, 53 për qind është birrë importi. Nëse do të miratohet unifikimi i akcizës, kur taksat janë dyfish, atëherë falimentimi i industrisë vendase është i sigurt. “Në një kohë qe duhet të merremi me uljen e pullës fiskale, merremi me akcizën”, shtoi ai.

Teksa dhe industria e qumështit po kalon një situatë të vështirë për shkak të rritjes së kostove, Jaka kërkoi mbështetje direkte për fermerët për qumështin, me 10 lekë për litër. Një tjetër kërkesë lidhet me heqjen e tvsh-së për sojën, mineraleve dhe vitaminave për kafshë, reduktimi i TVSH-së për misrin e grurin që përdoret për kafshë.

Biznesi kërkon që të hiqet taksa e pasurisë për ndërmarrjet prodhuese dhe që kanë sipërfaqe të mëdha, të hiqet taksa e dherave të ndërtimit: të hiqet taksa e qarkullimit te karburantet për ndërtimin. Po për sektorin e ndërtimit, Shoqata e ndërtuesve ka kërkuar që taksa e ndikimit në infrastrukturë, të llogaritet mbi koston e ndërtimit dhe jo mbi çmimet e shitjes. Për ndërtimin të hiqet taksa 3 për qind për sektorin e ndërtimit, pasi sipas Shoqatës së ndërtuesve të drejtën për strehim e ka qeveria shqiptare dhe jo bizneset.

Pro amnistisë, por duhet e mirëstudiuar

Biznesi është pro një amnistie fiskale, por kërkon që hartohet një ligji i mirëstruktuar i amnistisë, që të jetë vlerë për ekonominë. “Ky ligj duhet të gjejë instrumenttat e duhur që sipërmarrja informale të humbasë çdo shpresë për të vijuar në informalitet. Dhoma dhe shoqatat e biznesit presin ngritjen e një grupi pune me ekspertë të përbashkët”.

Paketa

Projekt-paketa fiskale e vitit 2023 nuk sjell ndryshime thelbësore në ligjet e tatimeve përveçse i rrit se tepërmi penalitetet për disa kategori dhe veprime të bizneseve dhe unifikon akcizën për industrinë e birrës dhe pijeve alkolike.

Një ndryshim në ligjin e procedurave tatimore synon dhjetëfishim të gjobave për mos- lëshimin e faturave për furnizim, pagesë apo pranim të mallrave apo shërbimeve në rastet e parashikuara në germën a, të pikës 3 të nenit 123 për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ. Sipas ndryshimeve të propozuara, “për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ ishte 150,000 lekë, bëhet 1,500,000 lekë.”

Ndryshimet parashikojnë rritjen e penaliteteve për tatimpaguesit entitete për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës. Në legjislacionin aktual penaliteti është 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për të gjithë tatimpaguesit.

Në ndryshimet e reja bëhet 200 % të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit entitete juridike dhe 100 % të detyrimit dhe kontributit për të gjithë tatimpaguesit e tjerë. Sipas Ministrisë së Financave ky ndryshim vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish.

Ndryshimet në projektligjin e akcizës unifikojnë nivelin e tarifës për prodhuesit e vegjël me prodhuesit e mëdhenj të birrës dhe të pijeve të forta alkoolike.

Akciza e birrës në paketën fiskale 2023 unifikohet në masën 710 lekë/HL, si për prodhuesit dhe importuesit nën dhe mbi 200,000 Hl. Me ligjin aktual akciza e birrës është e ndarë në dy fasha. Për prodhuesit me sasi më të vogël se 200,000 HL në vit është 360 lekë/HL. Ndërsa akciza për prodhues vendas e të huaj me sasi më të madhe se 200, 000 HL në vit është 710 lekë/Hl.

Me paketën e re unifikohet edhe akciza e pijeve të forta alkoolike me nivel tarife 84,500 lekë për HL alkool.

Akciza për pije alkoolike nga prodhues vendas e të huaj, të përfituara nga distilimi i verës së rrushit apo të përbërësve të rrushit, për pije alkoolike, si: uiski, rum dhe të tjera pije të përfituara nga distilimi i produkteve të fermentuara nga kallami i sheqerit, si xhin dhe xheneva, vodka, likere tonike dhe uzo është e ndarë në dy fashë./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco