Lajmi i fundit

Reagimi qytetar/ Sot protesta e opozitës para bashkisë

Inflacioni i lartë, Banka e Shqipërisë do të rrisë sot normën e interesit, për të katërtën herë radhazi

Inflacioni i lartë, Banka e Shqipërisë do të rrisë sot normën e interesit, për të katërtën herë radhazi

13:23, 05/10/2022
A+ Aa A-

Banka e Shqipërisë pritet të rritë sot sërish normën bazë të interesit, për të katërtën herë brenda këtij viti, në funksion në objektivit të saj për të ruajtur stabilitetin e çmimeve.

Në gusht, inflacioni në vend kërceu në 8%, që është niveli më i lartë që nga koha e piramidave, ndërkohë që guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka pohuar se politika shtrënguese monetare do të vijojë.

Banka e Shqipërisë e ktheu kursin e politikës monetare në shkurt të këtij viti, duke e rritur normën bazë për herë të parë që nga viti 2011. Norma bazë u rrit në atë kohë nga minimumi histori prej 0.5%, në 1%. Në fillim të korrikut norma arriti në 1.25% dhe në fillim të gushtit, në ndërhyrjen e tretë norma bazë arriti në 1.75%.

Burime nga Banka e Shqipërisë pohuan se vendimi do të merret në mbledhjen e sotme, por ende nuk dihet se sa do të jetë kjo rritje. Ekspertët pohojnë që lëvizja mund të jetë midis 0.25-0.75 pikë përqindje.

Përmes shtrëngimit të politikës monetare (rritjes së normës bazë) banka e Shqipërisë synon që të mbajë inflacionin nën kontroll, teksa objektivi i saj kryesor është ruajtja e stabilitetit të çmimeve në vend. Rritja e normës bazë transmetohet në ekonomi përmes shtrenjtimit të kredive, duke tkurrur kërkesën për kredi, rritjes së normave të depozitave, që nxit kursimin, duke pakësuar në këtë mënyrë ofertën monetare në vend, përmes frenimit të kërkesës.

Megjithatë ekspertët janë skeptikë se sa do të arrijë që kjo politikë të frenojë inflacionin, duke qenë se ai po shkaktohet më shumë nga kahu i ofertës sesa i kërkesës.

Një tjetër pasojë do të jetë rritja e kostos së shërbimit të borxhit të qeverisë, që tashmë ka arritur në nivele të larta. Në ankandin e ditës së martë yield-i mesatar i ponderuar i Bonove me maturim 12 mujor arriti në 4.74%, nga 4.53% që kishte qenë në ankandin e fundit të muajit shtator, duke shënuar një rekord të ri të yield-eve të Bonove 12-mujore për nëntë vitet e fundit. 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pohoi në konferencën rajonale të ministrave të Financave dhe guvernatorëve të rajonit, pak ditë më parë  inflacioni do të vazhdojë të rritet edhe vitin që vjen dhe do të fillojë të bjerë më pas, për të arritur në objektivin e bankës qendrore prej 3% në mes të vitit 2024. 

“Ne kemi hyrë në një periudhë të inflacionit të lartë dhe po përpiqemi ta parandalojmë atë pa ndikuar negativisht ekonominë”, tha Sejko. “Po ndryshojmë politikën monetare duke rritur normat e interesit gradualisht që të mos dëmtojnë ekonominë, por nuk mund të bëjmë kompromis me stabilitetin e çmimeve”./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco