KESH i jep tender pa garë Salillarit, 2.5 mln euro për anijet e energjisë

10:32, 24/09/2022
A+ Aa A-

Kompania Salillari fiton pa garë tenderin e hapur nga KESH për ndërtimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë nga gjeneratorët e ardhur nga Bangladeshi dhe ankoruar në Vlorë. KESH e ka cilësuar të suksesshme ofertën prej 2.5 milionë eurosh që ka ofruar Salillari, ndonëse kjo kompani ishte e vetme në garë. Punimet do të kryhen me qëllim që energjia e prodhuar nga anijet të hidhet në rrjetin kombëtar

SYRI TV

Taksapaguesit shqiptarë do t’i paguajnë dhe 2.5 milionë euro kompanisë Salillari për dy gjeneratorët e prodhimit të energjisë me naftë, të sjellë nga Bangladeshi.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka shpallur fituesin e tenderit për ndërtimin e infrastrukturës së aksesimit për operim të gjeneratorëve të energjisë në portin e peshkimit Vlorë.  Kompania Salillari është shpallur fituese e tenderit të hapur nga KESH me vlerë 257 milionë lekë, ose rreth 2.5 milionë euro. Kjo kompani duhet të ndërtojë infrastrukturën e nevojshme, që energjia e prodhuar nga anijet të shpërndahet në sistemin kombëtar të transmetimit.

Mirëpo duket se tenderi i hapur nga KESH ka qenë me fitues të paracaktuar. Faqja që identifikon dhe publikon çdo tender të kryer nga institucionet publike në vend, e ka cilësuar me flamur të kuq tenderin e KESH, pasi në garë ka qenë pjesëmarrës vetëm kompania Salillari.

Fondi limit i tenderit ishte 280 milionë lekë, por kompania e vetme pjesëmarrëse në garë, ka ofruar për realizimin e këtyre punimeve, ofertën me vlerë 257 milionë lekë.

KESH e ka cilësuar këtë si ofertë të suksesshme, duke e përzgjedhur fituese, ndonëse në garë ka qenë pjesëmarrëse vetëm kjo kompani.

Salillari do të duhet që brenda tre muajve të nisë dhe përfundojë punimet, me qëllim që dy gjeneratorët e prodhimit të energjisë të vihen në funksion në fillim të vitit të ardhshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco