Turizmi në Valbonë në krizë të shumëfishtë, nga mungesa e energjisë te çmimet

Turizmi në Valbonë në krizë të shumëfishtë, nga mungesa e energjisë te çmimet

10:14, 12/08/2022
A+ Aa A-

Ndryshe nga vitet e tjera Valbona, pika me e njohur e turizmit malor këtë vit po vuan një krizë e shumëfishtë që po vjen nga rënia e vizitorëve, çmimet më të larta të lëndëve të para dhe mungesa e vazhdueshme e energjisë elektrike.

Të zotët e bujtinës Krojet e Rragamit, që prej vitesh kanë hapur dyert e banesave për turistët, pohojnë se ky është viti më i dobët. Numri i vizitorëve kanë rënë së paku me 50 për qind në krahasim me mesataren e viteve të kaluara.

“Nuk ka turistë vendas. Janë shumë të paktë në numër dhe në shumicën e rasteve nuk kërkojnë hotel, por vetëm konsumojnë në restorante dhe ikin”, pohon i zoti i bujtinës.

Kërkesa nga vendasit ka qenë shumë e dobët këtë vit, dhe nuk krahasohet me dy vitet e pandemisë 2020 dhe 2021 ku turizmi i brendshëm arriti kulmin prej kufizimeve në lëvizje. Kërkesa më e pakët ka mbajtur nën presion edhe çmimet, të cilat duket se nuk janë rritur me ritmet e njësive të tjera të vendit, sidomos në bregdet.

Por ndryshe nga vendasit, numri i vizitorëve të huaj është rritur. Astriti, i cili administron disa njësi të vogla hoteliere thotë se këtë vit numri i të huajve është rritur, por ato kërkojnë më pak shërbime të tilla si akomodomi dhe restoranti. Zakonisht të huajt vijnë në grup të organizuara për ngjitje në mal, hiking, kalojnë tranzit për në Theth ose rrinë me kampingje.

Ndryshe nga vitet e tjera vihet re një prani më e madh e turistëve spanjolle. Gjeografia e vizitorëve të huaj në Valbonë po rritet gjithnjë e më shumë. Nga viti në vit shtohen vendet e origjinës së vizitorëve që nga India, Linja e Mesme, por më të shumtë janë turistët gjermanë, çekë, polakë dhe ka shumë spanjollë.

Energjia dhe infrastruktura, pengesa të mëdha

Është një ditë e bukur vere. Dielli shkëlqen pas një shiu të lehtë dhe majve të thepisura janë përhapur ngjyrat e ylbereve, të cilat mbyten nga zhurma e gjeneratorëve. Në Valbonë duket se orët pa drita janë më shumta se ato pa drita. Ky është shqetësimi më i madh i turistëve dhe bizneseve në zonë.

Nga viti në vit bujtinat dhe hotelet po shtohen me shpejtësi, ndërsa linjat e vjetra të energjisë nuk e përballojnë kërkesën në rritje. Qoftë dimër a verë, dritat gjithmonë janë një problem. Gjeneratorët nuk janë zgjidhje përveç se rrisin kostot për bizneset e dëmtojnë rëndë imazhin e turizmit me zhurmën që bëjnë.

Hatixhja, një banorë e Valbonës, që ka jetuar disa vite në Britaninë e Madhe, është rikthyer duke ndërtuar një kompleks modern në vendlindjen e saj dhe duke sjellë një standard të ri në shërbime. Si ajo shumë investime të tjera po lulëzojnë në Alpe, por problemet e infrastrukturës dhe kriza ekonomike iu kanë zbehur fitimet.

Përveç energjisë edhe pjesa tjetër e infrastrukturës çalon. Uji që furnizohen njësitë e turizmit vjen në çezma në mënyrë të lirë duke sjellë mbetjet e pyllit që gjen rrugës dhe shpesh edhe insekte. Zona ka ujë të bollshëm që buron nga të gjitha anët, por i mungon një rrjet profesional.

Pastrimi i mbeturinave është një problem po aq i dukshëm sa edhe në pikat e tjera turistike në Shqipëri. Është 12 e drekës dhe një kosh mbeturinash në mes të fshatit turistik në anë të rrugës është përmbytur nga mbeturinat, të cilat duket se kanë disa ditë aty.

Në cepa ka gjithkund qese plastike dhe shishe e kanoçe të boshatisura. Pastrimi i mbeturinave mbetet një problem i madh në këtë zonë dhe nuk është administruar me seriozitetin që duhet. Prania e tyre e ka prishur imazhin, sidomos tek turistët e huaj.

Zhvillimi urbanistik jashtë kontrollit

Muaj pas muaji në Valbonë shtohen ndërtesat e reja që kanë synim të ofrojnë shërbime turistike në të ardhmen. Nuk ka nevojë të jesh urbanist për të kuptuar se zona po zhvillohet jashtë kontrollit. Ndërtesa shumëkatëshe po ndërtohen edhe mbi shtratin e lumit, duke rrezikuar të përmbyten në të ardhmen siç ka ndodhur edhe në kohët e vjetra.

Valbona nuk ka një plan rregullues, por megjithëse pa plan nuk mund të ndërtohet asnjë objekt, Valbona vitet e fundit është kryer në kantier ndërtimi. “Ndërtohet me korrupsion”, thotë një nga banorët.

Një hotel aty pranë ka paguar përveç investimit rreth 30 mijë euro korrupsion për kthyer shtëpinë e vjetër në hotel dhe për ndërtuar disa njësi të tjera në tokat e vjetra. 

Ashtu si edhe bizneset e tjera të Turizmit mungesa e fuqisë punëtore dhe sigurimi i prodhimeve vendase është kthyer në problem për bujtinat. Rënia e numrit të bagëtive nuk mundëson sigurimin e mishit dhe gjithashtu mungesa e të rinjve po krijon probleme për ofrimin e shërbimeve./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco