Energjia elektrike do të shtrenjtohet në Kosovë, pyetja është: Kur?

Energjia elektrike do të shtrenjtohet në Kosovë, pyetja është: Kur?

11:58, 03/12/2021
A+ Aa A-

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë përmes një njoftimi ka deklaruar se mundësitë financiare të saj kanë shterur si pasojë e çmimeve të larta të energjisë elektrike në tregjet evropiane. Megjithatë Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, muaj më parë kishte marrë vendim që gjatë vitit 2021 të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Sipas vendimit të Bordit të Zyrës, çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritetj deri në muajin prill të vitit të ardhshëm.

Por, i këtij mendimi nuk është njohësi i çështjeve të sistemeve energjetike në Balkan Green Foundation, Besfort Kosova, i cili për Albanian Post, ka thënë se rritja e çmimit të energjisë është e pashmangshme.

Kjo pasi sipas tij Korporata Energjetik e Kosovës nuk është në gjendje ta mbulojë tregun vendor me energji elektrike, prandaj duhet të importojë rrymë nga jashtë.

“Zyra e Rregullatorit të Energjisë e bën rishikimin e tarifave dy herë në vit, dhe këto çmime të energjisë të larta të importit do të ndikojnë në ngritje të tarifave në muajin prill për pjesën tjetër të vitit. KEDS ka bërë kërkesë imediate që të rritet çmimi minimalisht për 7% qysh tani, por kjo gjë vështirë se do të ndodh para prillit 2022”, ka thënë z.Kosova.

Një ngritje eventuale e çmimit të energjisë elektrike do të ketë pasoja të mëdha tek gjendja socio ekonomike e qytetarëve të Kosovës, kjo pasi që sipas z. Kosova, rreth 60 % e të ardhurave të qytetarëve shkojnë për shpenzime të energjisë elektrike.

“Do të ketë grupe të rrezikuara të cilat duhet të mbështeten nga qeveria me masa në mënyrë që të përballojnë varfërinë energjetike. Çdo ngritje e çmimit të energjisë krijon pakënaqësi pasi, që i ngrit edhe çmimet e tjera të produkteve dhe shërbimeve që ndërlidhen direkt me të dhe gërryejnë fuqinë blerëse dhe ekonomike të qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas hulumtuesit në Balkan Green Foundation, mungesa e energjisë elektrike mund të shkaktojë edhe reduktime të energjisë elektrike nëpër qytete të Kosovës, edhe pse një gjë e tillë nuk është e lejuar me ligj.

“Fshatrat po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike kjo sidomos për shkak se kërkesa e energjisë elektrike do të rritet me uljen e temperaturave, çmimi i energjisë në bursën ndërkombëtare të energjisë pritet të rritet dhe sasia e energjisë së tregtueshme do të ulet dhe kjo pastaj do të ndikojë në përkeqësim të mëtutjeshëm të situatës dhe probleme me furnizim të rregullt për qytetarët”, vazhdon ai.

KEDS, një javë më parë kishte apeluar qytetarët që të mos shfrytëzohet rryma elektrike për ngrohje, kjo për shkak të mbingarkesës në rrjetin energjetik.

Ata madje rekomandonin që qytetarët të kursejnë energjinë elektrike dhe aty ku munden të shfrytëzojnë forma alternative të ngrohjes, në mënyrë që të mos ketë trafo të djegura të rrymës elektrike nga mbingarkesa.

Kërkesën e njëjtë kishte edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila kishte nënvizuar se Kosova mund të rrezikohet me furnizim të rregullt të energjisë elektrike, dhe se qytetarët gjatë stinës së dimrit duhet të shfrytëzojnë alternativa të tjera për ngrohje, e assesi energjinë elektrike.

Djegia e trafos elektrike nga mbingarkesa në rrjetin energjetik

E për këto deklarata ka një përgjigje z. Kosova i cili për AP, ka thënë se Kosova konsumon më tepër energji se sa është në gjendje të prodhoj, dhe kjo shkakton ngarkesë të konsiderueshme në rrjetin energjetik.

Gjithashtu sipas tij rritja e kërkesës për energji elektrike është si pasojë e mungesës së masave të efiçiencës së energjisë elektrike në Kosovë. “Aktualisht çmimi i energjisë elektrike në bursën hungareze HUPX sillet rreth 250-300 euro për megavat orë, kjo është shumë më e lartë sesa që ka qenë zakonisht prandaj edhe mbulimi i importit kërkon shuma më të mëdha financiare”, ka përfunduar ai.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco