VIDEO-SYRI TV/ Buxheti 2020, janë paguar shërbime që nuk janë marrë nga qytetarët

VIDEO-SYRI TV/ Buxheti 2020, janë paguar shërbime që nuk janë marrë nga qytetarët

11:13, 03/11/2021
A+ Aa A-

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim të fundit që ka bërë për koncesionet ka vërejtur se për vitin 2020, rezultuan se nga 13 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore, vetëm për 10 prej tyre janë realizuar pagesa. Sipas këtij institucioni janë paguar shërbime që nuk janë marrë.

Nga SYRI TV

Partneritetet Publike Private (PPP) apo koncesionet kanë vijuar edhe në vitin 2020 të shoqërohen me problematika sa i takon marrëdhënies së pagesave apo monitorimit të kontratave nga institucionet shtetërore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në raportin e zbatimit të Buxhetit 2020 vlerëson se janë të paktën gjashtë pika që paraqesin problem dhe që kanë dalë nga auditimet që janë kryer nga ky institucion. KLSH vëren se për vitin 2020, rezultoi se nga 13 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore, vetëm për 10 prej tyre janë realizuar pagesa.

Në total, plani përfundimtar për këto projekte paraqitet në shumën 9.7 miliard lekë, ndërkohë që pagesat rezultuan në shumën 9.6 miliard mijë lekë, me një realizim në masën 99%.

‘Pagesat vjetore faktike nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, për kontratat koncesionare apo PPP, rezultuan të jenë brenda kufirit të pagesave prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit 2019, konkretisht 2.26 për qind e totalit të të ardhurave tatimore faktike të vitit 2019, prej rreth 426,271 milion lekë’, - thuhet në raport.

Por cilat janë në fakt konstatimet që kanë bërë audituesit sa i takon kontratave koncensionare  gjatë vitit 2020.

Së pari KLSH vlerëson se ka pasur raste të kryerjes së pagesave pjesore si pasojë e rishikimeve të vazhdueshme gjatë vitit buxhetor.

Së dyti ka raste të likuidimit të detyrimeve të prapambetura për vitin 2020, me fonde nga buxheti i vitit 2021, për total vlerën prej 356.2 milion lekë në ‘Shërbimin e Skanimit në Dogana’ dhe në ‘Inceneratorin e Tiranës’.

Së treti është hasur një rast i mos regjistrimit të kontratës në SIFQ si detyrim dhe si pasojë nuk është buxhetuar.

Së katërti është konstatuar kualifikim i gabuar i operatorit ekonomik sa i takon marrëveshjes koncesionare ‘Për ofrimin e shërbimeve laboratorike mjekësorë’ pasi nuk janë marrë në konsideratë dhe vlerësuar kundërshtitë për këtë.

Së pesti Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka monitoruar ecurinë periodike të kësaj kontrate në qendrat spitalore universitare, spitalet referuese dhe ato bashkiake dhe në rastet kur janë raportuar devijime/parregullsi nga spitalet (rasti i QSUNT), nuk ka marrë asnjë masë për verifikimin e mëtejshëm të parregullsive të konstatuara.

Së gjashti edhe për këtë vit është vijuar me kryerjen e pagesave për shërbime të pa kryer për kontrollin bazë të popullsisë dhe për shërbimin e dializës, duke sjellë kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

KLSH vëren se sa i takon koncesionit të Check Up gjatë vitit 2020 është kryer pagesa e shërbimit të periudhës nëntor 2019 deri në mars 2020 kur edhe është pezulluar zbatimi i kësaj kontrate si pasojë e pandemisë.

‘Nga auditimi konstatohet se shërbimi është hapur për pak ditë në muajin Shtator dhe për të cilin është kryer një pagesë në shumën 2.1 milion lekë për rastet e kryera. Në total nga këto pagesa evidentohen 2127 raste në shumën 3.9 milion lekë të cilat janë paguar për shërbim të pakryer. Për rastet që janë faturuar nga koncesionari përgjatë muajve kur ka ndodhur pezullimi i kontratës si pasojë e pandemisë, nuk janë pranuar nga FSDKSH’, - thuhet në raport.

Sa i takon kontratës së hemodializës KLSH vëren se efekti i financimit të shërbimit të pakryer që në implementimin e kësaj kontratë koncesionare në vitin 2016 e deri në fund të vitit 2020 vlerësohet në shumën 352 milion lekë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shqiptari03/11/2021 12:22

PËR KËTË QEVERI NARKO-MAFIOZE, BANDITESKE, FASHISTO-SOROSIANE DHE PUTINISTE NUK KANË FARE VLERË DHE RËNDËSI AS RAPORTET E KLSH, AS RAPORTET MË TË ZEZA TË DASH, KiE, PE, AS RAPORTET E STERROSURA TË OSBE-ODIHR, AS RAPORTET SKËTERRË TË TRANSPARENCY INTERNATIONAL DHE ANTIMAFIAS ITALIANE, AS RAPORTET SKANDALOZE FINANCIARE TË FMN DHE BANKËS BOTËRORE. NUK KANË FARE VLERË DHE RËNDËSI ASNJË LLOJ RAPORTI QË NXJERRIN NË DRITËN E DIELLIT SKANDALET, KORRUPSIONIN, VJEDHJET, HAJDUTËRITË DHE MAFIOZLLËQET E KËSAJ QEVERI ANTIPOPULLORE, QË KA KAPUR DHE KA UZURPUAR TË GJITHA PUSHTETET!! ÇDO GJË DHE GJITHÇKA DO TË VIHET NË VENDIN E VET VETËM ME PËRMBYSJE DEMOKRATIKE DHE POPULLORE TË KËSAJ QEVERIE MAFIOZE DHE TË KËSAJ KASTE POLITIKE TË KORRUPTUAR! VETËM ATËHERË KUR POPULLI T'I MARRË ME TË VËRTETË NË DUART E VETA FATIN E VET, KUR TË KEMI NJË SHTET TË VËRTETË LIGJOR DHE DEMOKRATIK!! VETË POPULLI SHQIPTAR E KA NË DORË, MJAFTON QË TË KETË TRU NË KOKË!

Shto koment

Denonco