E vërteta e rritjes së çmimit të naftës, rreth 70 lekë janë taksa - Si u degradua rafineria

E vërteta e rritjes së çmimit të naftës, rreth 70 lekë janë taksa - Si u degradua rafineria

20:54, 13/10/2021
A+ Aa A-

Nga Pano Soko

Nafta u rrit përsëri. Tashmë çmimi i saj i kalon 175 lekët dhe në shumë pika shitjesh po shkon edhe mbi 180. Në krahasim me vendet fqinje ne jemi rekord për çmimin e shtrenjtë të naftës në karburante.

Në renditjen botërore që Global Price bën çdo javë, sot jemi në vend të 8-të për nga shtrenjtësia e çmimit. Duke na e kaluar vetëm vende si Anglia, Norvegjia, Izraeli etj., pra vende që të ardhurat i kanë disa herë më shumë se ne.

Po përse kemi këtë çmim kaq të lartë? Arsyet janë dy. E para, është fakti që ne ia dolëm të shkatërrojmë me sukses të plotë gjithë industrinë e rafinimit të naftës. 

Rafineria shqiptare e naftës u kthye në një lavire financiare që kaloi nga njëra dorë në tjetrën, e ku secili ia hypte, e shfrytëzonte dhe pastaj e linte në mëshirë të fatit.

Sot rafineria e Ballshit, nga një aset që dikur prodhonte deri në 100 mijë ton diesel në vit, punësonte mbi 2000 individë me rroga shumë të mira për kohën dhe i jepte shtetit rreth 5-6 milionë Euro në vit fitim, sot është kthyer në një vrimë të zezë financiare. 

700 milionë USD janë borxhet e akumuluara nga rafineria. Rreth 400 milionë USD është borxhi që nuk i është paguar shtetit në formë taksash, tatimesh dhe detyrimesh të tjera. Për të mos folur pastaj për rreth 2000 familjet që janë lënë në mëshirë të fatit dhe presin shpëtimin  me sytë nga qeveria... 

Presin shpëtim nga qeveria. Nga e njëjta qeveri që si shpëtim në të shkuarën u ka sjellë sharlatanë e hajdutë që e vodhën rafinerinë dhe e degraduan deri në pikën qe ajo nuk ka më asnjë pikë përfitimi. Ironike... 

Po pse erdhëm deri ketu? Nis që nga privatizimi i saj. Që prej privatizimit, rafineria ndryshoi destinancion. Tashmë nuk ishte me një aset ekonomik që qëllimin kryesor të kishte përpunimin e naftës dhe më pas shitjen e nënprodukteve të naftës si diezeli, benzina etj..

Por ajo, që kur u privatizua, filloi të përdorej si një aset kolateral për të marrë borxhe e kredi nëpër banka, e për të mos i shlyer më ato. Pra rafineria vendosej si kolateral, merrej kredia, lekët e kredisë zhdukeshin nëpër off-shore dhe rafineria degradonte edhe më tej. 

Pas vitit 2013, Qeveria Rama që kur ishte në opozitë çirrej e ulëriste për dëmin që po i shkaktohej rafinerisë, nëpërmjet seksereve të saj, e çoi keqshfrytëzimin e rafinerisë në një dimension të ri.  Keqpërdorimi i saj filloi të njihte rekorde të reja, pasi tashmë jo vetëm që merreshin borxhe e kredi dhe nuk investohej asnjë lek tek rafineria, por tashmë filloi dhe mospagimi i taksave.

Dhe e gjitha bëhej në dritë të diellit, sepse natyrisht, nga pas abuzuesve qëndronte shteti. Dhe pas një shfrytëzimi barbar që zgjati mbi 10 vjet, tashmë rafineria është kthyer nga një aset që prodhonte ekonomi, paga, naftë, taksa për shtetin, në një barrë mbi kurrizin e taksapaguesve të cilët japin lekë nga taksat e tyre për të paguar ca paga lëmoshe ndaj punonjësve të rafinerisë. 

Mungesa e prodhimit të rafinerisë, iu hoqi shqiptarëve një tip amortizatori që do t’i mbronte ata në momentet e goditjeve të tregjeve ndërkombëtare, duke reduktuar kostot e transportit dhe duke e shfryrë pak çmimin.

Ashtu si dhe me çdo produkt tjetër vendas dhe nafta që do të prodhohej në Shqipëri do te luante rolin e mburojës deri diku, me qëllim që në raste goditjesh nga tregjet ndërkombëtare, shqiptarët të kishin si murojë prodhimin vendas që do të dilte me një çmim më të ulet. 

Por gjithsesi, pavarësisht kësaj, edhe në rast të një rafinerie funksionale, apo shfrytëzimit hipotetik 100% të naftës së prodhuar në Shqipëri, prapë nafta në Shqipëri do të vazhdonte të ishte shume e shtrenjtë, për shkak të taksave të larta. 

Siç e shikoni kur çmimi i naftës është 173 lek, 105 Lek e përbëjnë vetëm taksat. Pra 60% e çmimit është e përbërë vetëm nga taksat.

Që të kemi një ide më të qartë, nëse naftën në tregun ndërkombëtar do ta blenim me zero lek, pra do vinte në portin e Durrësit me zero lek, apo do të merrej naftë nga rafineria shqiptare me zero lek, falas, perseri çmimi i shitjes në karburant nuk do të ulej poshtë 120 lek/litër. Ose më shtrenjte nga ç’është sot në Maqedoni. 

Si ka mundësi që Maqedonia apo Kosova të kenë çmime kaq të lira të naftës? Arsyeja është e thjeshtë. Ata e shohin naftën si gjaku i ekonomisë dhe natyrisht kërkojnë ta mbajnë atë sa më të lirë, sepse kështu nuk do të pengonin rritjen e degëve të ndryshme të ekonomisë. 

Ata e dinë që ato lek që shteti nuk i merr nga taksat e larta të naftes, do t’i marri nga ekonomia që rritet. Dhe aty janë të gjithë të lumtur dhe të gëzuar. Ndërsa ne e kemi mbyt naftën me taksa. 

Përveç akcizës 37 lek/litër ne i kemi fut naftës dhe taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit. Të dyja bashkë shkojnë 30 lek/ltr pa TVSH.  

Debati i madh i këtyre viteve ka qënë specifikisht Taksa e Qarkullimit. Sepse ajo u vendos me pretekstin e mirëmbajtjes së rrugëve.Nëse e mbani mend, në 2014 doli Rama dhe tha që ne kemi një faturë shumë të lartë për mirëmbajtjen e rrugëve dhe prandaj do të na duhet të rrisim taksën e qarkullimit. Dhe lekët që do të grumbulloheshin nga

Taksa e Qarkullimit do të duhej të përdoreshin për riparimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Po këtu kemi dy probleme.

E para ka të bëjë me sasinë e lekëve që ne përdorim për mirëmbajtjen e rrugëve.

Ne përdorim mesatarisht diku tek 5 miliardë lek çdo vit për mirëmbajtjen e rrugëve. Nëpërmjet taksës së qarkullimit shteti mbledh mesatarisht 15 miliardë lek. Pse kaq shumë?

A përdorim 5 miliardë për mirëmbajtje, përse duhet të mblidhen 15 miliardë? Taksa është shumë e lartë, për qëllimin që pretendon të përmbushë, kështu që duhet ulur..ose duhet hequr fare.  

Dhe këtu kalojmë tek problemi nr 2. Për mirëmbajtjen e rrugëve ne paguajmë çdo vit atë që quhet Taksë Regjistrimi. Një herë në vit ne paguajmë një shumë prej 7-8 mijë lekësh pikërisht për mirëmbajtjen e rrugëve dhe e paguajmë tek ajo që rëndom quhet kolaudim i mjetit. Çdo vit ne paguajmë diku tek 30-40 milionë Euro, ose mjaftueshëm për të përballuar shpenzimet për mirëmbajtjen e rrugëve që shkojnë po rreth 40 milionë Euro. 

Dhe për më tepër kësaj, në rrugën e kombit që është edhe rruga që kërkon mirëmbajtjen më të lartë dhe më të shtrenjtë, e kemi me pagese. Pra ne e paguajmë mirëmbajtjen sa herë që kalojmë traun. 

Kjo na çon tek absurdi që për të njëjtin shërbim që është mirëmbajtja e rrugëve, ne paguajmë taksë qarkullimi tek nafta, taksë regjistrimi tek kolaudimi dhe tarifë kalimi tek trau.

Pra paguajmë tre herë.

Po taksa e qarkullimit që është dhe thelbi i faktit që ne kemi çmimin më të lartë të naftës në gjithë Europën, po të krahasohemi me të ardhurat për frymë, nuk rëndon thjesht naftën. Nëpërmjet naftës rëndohet një zinxhir i gjerë ekonomik biznesesh dhe një çmim i lartë i naftës do të thotë me shum kosto për prodhimin e bukës, tregëtimin e mallrave, transportin urban dhe interurban të pasagjerëve, apo të tjera veprimtari.

Sepse, siç përmendëm më lart, nafta është si ingredient përbërës për të gjithë ekonominë, ashtu si dhe energjia elektrike. Nuk ka asnjë biznes që mos afektohet nga çmimi i naftës apo i energjisë elektrike. Për këtë arsye trajtimi me kujdes i këtyre dy elemtenteve është jetik për një ekonomi.

Po do thoni ju, ku shkojnë gjithë këto lekë. Po ja, paguhen ca koncesione, paguhen ca borxhe, paguhen ca tendera. Të zakonshmet d.m.th. Shkojnë nëpër xhepa ofiqarësh e biznesmenësh.

Sepse që ta dini, kur për ne ka krizë çmimesh, për ata ka rritje të ardhurash. Mos e harroni këtë. Sa herë që ka një krizë, ca iu mbarohet buka, ca të tjerë iu shtohen pasuritë. Kriza nuk është e keqe për të gjithë, vetëm për të varfërit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco