10 kompanitë VIP të vitit 2020:Të fituarit dhe të humburit e pandemisë

10 kompanitë VIP të vitit 2020:Të fituarit dhe të humburit e pandemisë

07:28, 02/10/2021
A+ Aa A-

Renditja e kompanive më të mëdha në vend, sipas të ardhurave, për vitin 2020. Gati 50% e sipërmarrjeve në këtë renditje, raportuan tkurrje të të ardhurave.
Cilët ishin sektorët që u goditën më shumë nga pandemia dhe ata që përfituan nga ndryshimi i sjelljes konsumatore.

Ndërtimi vijoi punën, i pandikuar. Zgjerimi i biznesit të shëndetësisë reflekton shpenzimet e larta nga xhepi për përballimin e kostove të sëmundjes që rriti ndjeshëm vdekshmërinë shtesë në vend. Si kriza e shkaktuar nga Covid-19 i bëri sipërmarrjet e mëdha të reflektojnë dhe të bëhen më të ndërgjegjshme ndaj menaxhimit të rreziqeve.

Nga Ornela Liperi, Monitor

2020-a ishte si asnjë vit më parë, në dekadat e tranzicionit. Pandemia, e cila shpërtheu në mars dhe detyroi marrjen e masave të jashtëzakonshme, duke çuar në bllokimin pothuajse total të ekonomisë në vend në pjesën e parë të 2020-s, i ktheu përmbys planet e bizneseve. Mbijetesa dhe përshtatja u bënë prioritare në një mjedis ku armiku më i madh ishte e panjohura e asaj që vinte më pas.

Ndonëse qeveria, në pamundësi për të përballuar me buxhetin e saj të dobët pasojat e karantinës, zgjodhi relativisht shpejt ekonominë përpara shëndetit, duke mos u mbyllur me rritjen e valës së pandemisë në gjysmën e dytë të vitit, sërish vendi nuk arriti t’i shpëtonte recesionit të thellë.

Sipas INSTAT, ekonomia u tkurr me 4% në 2020-n, ecuria e parë negative që nga viti 1997. Gjithsesi, rënia ishte më e ulët se pritshmëritë e vetë qeverisë, në rreth -5.5% dhe institucioneve ndërkombëtare, që luhateshin nga -7% nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) deri në -9%, nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Image

Sektori i goditur më rëndë është “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motorçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që u tkurr me bazë vjetore, me gati 12.3%.

Pas tij, pasojat më të rënda i ndjeu “Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”, me tkurrje prej 7%.

Ndërtimi dhe sidomos pasuritë e paluajtshme nuk deshën t’ia dinë për krizën e pandemisë, ndryshe nga gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë reale, duke neutralizuar disi rënien e fortë të aktiviteteve të tjera.

Ndërtimi shënoi rritje 1.88%, pas përmirësimit të fortë në gjysmën e dytë të vitit, i ndikuar edhe nga rindërtimi pas tërmetit.
Ndërsa “Aktivitetet e pasurive të paluajtshme” u rritën ndjeshëm me 7% në raport me vitin e mëparshëm, duke shënuar ecurinë më të mirë në të paktën tre vitet e fundit, të fryra nga flukset informale të hyrjes së valutës në vend.

Image

Në linjë me këtë ecuri (shih grafikun: Norma e rritjes reale vjetore, sipas aktiviteteve ekonomike, 2020), kompanitë në renditjen e përvitshme të “Monitor 200”, që u goditën më shumë nga pandemia, janë ato të lidhura me sektorin e transportit e udhëtimeve, si Aeroporti Ndërkombëtar, tregtuesit e karburanteve, sipërmarrjet që veprojnë në fushën e industrisë dhe eksporteve, që rezultojnë me rënie dyshifrore.

Distributorët kanë arritur të kompensojnë rënien e konsumit gjatë karantinës, me rritjen e blerjeve për produktet e lidhura me dezinfektimin dhe pastërtinë, por sërish nuk i shpëtuan rënies së moderuar.

Supermarketet raportojnë rritje, teksa kufizimet i orientuan konsumatorët drejt zinxhirëve të mëdhenj, në raport me dyqanet e vogla. Ndërtimi dhe sektorët e lidhur me të kishin ecuri përgjithësisht pozitive. Për vetë mënyrën se si janë hartuar kontratat e koncesioneve, disa sipërmarrje që veprojnë në fushën e Partneriteteve Publike-Private (PPP) e kaluan vitin pandemik pa shumë probleme (përveç atyre të shëndetësisë).

Një analizë e Ministrisë së Financave për koncesionet (Partneritetet Publike-Private – PPP) në fund të 2019-s gjeti se, në pjesën më të madhe të tyre, riskun financiar e kishte marrë përsipër shteti.

Sektori financiar, sidomos ai bankar, arriti t’i rezistonte pandemisë, i ndihmuar edhe nga masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për ristrukturimin e kredive dhe tendenca e rritjes së kursimeve, që u konstatua gjatë 2020-s. Më të prekura ishin sigurimet, që kanë varësi të lartë nga sigurimet e detyrueshme të mjeteve motorike.

Kompanitë e lidhura me ndërtimin e gazsjellësit TAP, që për disa vite me radhë ishin në listën e më të mëdhave, kanë shënuar tkurrje të ndjeshme në 2020-n, pasi projekti më i madh në historinë e vendit, me një investim prej 1.5 miliardë lekësh, ka përfunduar dhe po vijon vetëm me punimet në det.

Sektori që raportoi rritjen më të madhe ishte ai i lidhur me shërbimet dhe furnizimet mjekësore, duke reflektuar faktin që një pjesë e konsiderueshme e popullatës u detyrua të përballonte nga xhepi pasojat në shëndet të shkaktuara nga Covid-19.

Nga 200 sipërmarrjet më të mëdha, sipas qarkullimit vjetor, 47% e tyre raportuan rënie të xhiros, që varionte nga -2% në -60%, si asnjëherë tjetër që kur “Monitor” filloi të realizonte këtë publikim më se një dekadë më parë. Për 28% të sipërmarrjeve të renditura në “Monitor 200”, tkurrja ishte dyshifrore.

Bizneset e lidhura me TAP kishin rënien më të madhe (-50-75%), të ndjekura nga subjektet që lidhen me transportin ajror dhe tregtimin e karburanteve (-20-55%), industria (-10-16%), distributorët (-5-8%). Ndërtimi kishte një panoramë të ndryshme, me pjesën më të madhe që arritën të zgjeroheshin me 5-40%. 2020-a ishte një vit i mirë, sidomos për tregtuesit e materialeve hidrosanitare. Supermarketet, tregtuesit e pajisjeve elektroshtëpiake, u rritën me 8-20%.

Në sektorin e mjekësisë, zgjerimi ishte deri në 46% për distributorët e produkteve farmaceutike, ndërsa rekordin e mban një kompani e tregtimit të oksigjenit mjekësor, me +72%. PPP-të kishin një vit përgjithësisht pozitiv, me rritje të të ardhurave midis 3 dhe 33%, me përjashtim të koncesioneve në fushën e shëndetësisë.

Në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha për nga qarkullimi vjetor, edhe në 2020-n vijojnë të mbizotërojnë sipërmarrjet tregtuese e shpërndarëse, që kanalizojnë importet pranë konsumatorit lokal. Ato vetëm faturojnë e rrisin artificialisht xhiron e ekonomisë dhe kanë një normë fitimi tepër të ulët. Madje, 2 nga 10 më të mëdhatë, sipas qarkullimit vjetor për 2020-n, nuk kanë fare aktivitet në Shqipëri, por kryejnë vetëm faturime tranzit. Vetëm një duzinë kompanish kanë aktivitet në industrinë përpunuese.

Sipërmarrjet e tregtimit të karburanteve, me shumicë e pakicë, mbizotërojnë në renditjen e “Monitor 200”, duke zënë rreth 14% të totalit të më të mëdhave. Distributorët, që në pjesën më të madhe financojnë importin, sërish zënë një vend kryesor. Shumë sipërmarrje të tjera kanë thjesht aktivitet tregtar.

Renditja e më të mëdhenjve, në fakt, reflekton modelin e një ekonomie “parazitare”, të mbështetur te tregtia, dhe me pak vlerë të shtuar, ndryshe nga fqinjët që e kanë ekonominë e tyre më shumë të bazuar te prodhimi, si Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia (shiko renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha të rajonit). Dhe kjo situatë ka mbetur e tillë prej dy dekadash. Industritë prodhuese, apo ato inovative, nuk kanë arritur të gjejnë rrugën për të dalë në krye.

200 kompanitë më të mëdha qarkulluan në vitin 2020 rreth 8.2 miliardë euro, ose rreth 63% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Duke përjashtuar efektin e ndarjes së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në dublimin e xhiros për 3 sipërmarrjet e reja të tij, në raport me një vit më parë, të ardhurat e 200 kompanive më të mëdha janë tkurrur me 8.3%.

Kufiri i qarkullimit vjetor i subjekteve që kanë hyrë tek 200 më të mëdhenjtë, është rreth 1.6 miliardë lekë, pothuajse i pandryshuar nga viti i mëparshëm.

“Monitor 200” ka hartuar, si çdo vit, renditjen e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, sipas të ardhurave, bazuar në listën me emra nga Tatimet dhe xhirove të deklaruara nga subjektet, në bilancet e dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe të dhënave nga vetë kompanitë, të cilat nuk kanë dorëzuar ende bilancin në QKB. Në numër mbizotërojnë subjektet me aktivitet në fushën e tregtisë, të ndjekura nga ndërtimi, financa, nafta, industria përpunuese.

10 KOMPANITË MË TË MËDHA NË VEND

Renditja e 10 më të mëdhave e “Monitor 200” në vitin 2020 ka shënuar disa ndryshime:

Së pari, në 2020-n, “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike” u nda në tre kompani, nën ombrellën e “OSHEE Group”, që vepruan si të ndara, duke hyrë të tria në dhjetëshe. Vitin e kaluar, OSHEE raportoi të ardhura në rreth 58 miliardë lekë. Për efekt të renditjes dhe shmangies së dublikimit të xhiros së tyre, ato do të raportohen si një e vetme në listën e 10 më të mëdhave.

Së dyti, dy shoqëri të tjera, “Global Resource Trading” dhe “INFO-Telecom”, ndonëse në renditjen numerike (sipas qarkullimit vjetor) janë ngjitur përkatësisht në vend të tretë dhe të katërt, nuk janë përfshirë në renditjen e 10 më të mëdhave të “Monitor 200”, për shkak se ato nuk e ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri, por kryejnë faturime tranzit për subjektet jashtë vendit dhe kanë një numër minimal punonjësish në vend.

Së treti, mbarimi i përfundimit të punimeve të gazsjellësit TAP ka reduktuar ndjeshëm aktivitetin e nënkontraktorëve, që për disa vite radhazi mbizotëronin ndër 10 më të mëdhatë.

 

1. “OSHEE Group”

Në vitin 2020, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), kompania më e madhe në vend, në pronësi publike, pësoi transformim të rëndësishëm, në vijim të vendimit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) në vitin 2018 për ndarjen e aktivitetit të shoqërisë OSHEE, në tregtimin e energjisë për klientët fundorë, sigurimin e blerjes së energjisë dhe shpërndarjen.

Prej fillimvitit 2020, OSHEE Group Sh.A u shndërrua në Korporatën e parë Publike Shqiptare, duke pasur në pronësi 3 shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Të tria kompaninë kanë filluar të operojnë si të veçanta nga 1 janari 2020, pas ndarjes së funksioneve.

Adrian Çela, Administrator i “OSHEE Group”, pohon se edhe në kushtet e vështira të pandemisë të COVID-19, shoqëria OSHEE arriti të sigurojë furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike. Por situata e krijuar nga Covid-19 solli pasoja në uljen e të ardhurave, pasi bizneset, që kanë çmim më të lartë tkurrën konsumin. U ul dhe norma e arkëtimit të të ardhurave nga 97.5% në vitin 2019 në 93.4% në vitin 2020. Ndërsa investimet e realizuara kryesisht si pasojë e prezencës së ulët të punonjësve në punë ishin rreth 51% e atyre të planifikuara.

-Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU)

Furnizuesi i Shërbimit Universal sh.a. (FSHU) ka objekt kryesor të aktivitetit furnizimin me energji elektrike të klientëve fundorë që veprojnë në tregun e rregulluar. Në vitin e parë të aktivitetit, kompania kishte të ardhura prej 58 miliardë lekësh, duke e renditur atë në më të madhen në vend, sipas qarkullimit vjetor. Vitin e mëparshëm, “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike-Grup” (OSHEE Grup Sh.A) kishte të ardhura po rreth 58 miliardë lekë.

Sipas raportit vjetor, të ardhurat nga shitja e energjisë rezultojnë 2% më të larta në krahasim me ato të planifikuara, për shkak të rritjes së numrit të konsumatorëve që u planifikua të furnizoheshin në tregun e lirë dhe sasia e energjisë për furnizimin e tyre ishte më e ulët.

Të ardhurat nga kamatëvonesat ishin 3% më të ulëta se ato të planifikuara, ose rreth 22.4 milionë lekë, për shkak të uljes së arkëtimit nga shitja e energjisë, si pasojë e situatës së pandemisë dhe ndikimit të saj në ekonominë e vendit.
Rritja e të ardhurave të tjera, prej rreth 1.7 miliardë lekësh në krahasim me atë të planifikuar, lidhet me faturimin e penaliteteve ndaj KESH për mosrealizim të planit të furnizimit me energji elektrike në vitin 2020, thekson raporti i aktivitetit.

-Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL)

Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) ka objekt kryesor të aktivitetit sigurimin e blerjes së energjisë për operatorët brenda OSHEE Grup nga tregu i lirë (OSSH dhe FSHU) dhe operimin e drejtpërdrejtë të shitblerjes së energjisë në tregun e lirë. Ai ushtron aktivitet në fushën e furnizimit me energji elektrike për shoqëritë brenda OSHEE Grup, si dhe për klientët në tregun e parregulluar të energjisë, të cilët lidhin marrëveshje të furnizimit me këtë shoqëri.

Përkohësisht, FTL kryen detyra të shitblerjes së energjisë nga prodhuesit e burimeve të rinovueshme, që janë të lidhur në rrjetin e shpërndarjes, si dhe të balancimit të energjisë së këtij grupi, të cilat pritet që brenda vitit 2021 t’i kalojnë shoqërisë së Operatorit të Balancimit të Tregut që do të krijohet. Në vitin 2020, shoqëria realizoi një qarkullim vjetor prej 26 miliardë lekësh.

-Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH)

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes sh.a. (OSSH) ka objekt kryesor të aktivitetit shpërndarjen e energjisë elektrike, ndërtimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, për sigurimin e përdorimit të energjisë elektrike nga klientët fundorë dhe furnizuesve përdorues të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Në vitin 2020, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte gati 27 miliardë lekë.

 

2. “Kastrati Group”

Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë, “Kastrati Group”, është renditur e dyta në vend dhe më e madhja me kapital privat, në listën e “MONITOR 200”. Kompania raportoi 45.7 miliardë lekë qarkullim vjetor (rreth 372 milionë euro), me një rënie prej 28.4%, si rrjedhojë e frenimit të konsumit të karburantit gjatë muajve të karantinës dhe rënies së çmimit të tij në vend. Vitet e fundit, grupi Kastrati është diversifikuar edhe në ndërtim e hoteleri, si dhe me një seri projektesh në infrastrukturë (port, aeroport e autostrada).

“Kastrati Group, ka realizuar një nga blerjet më strategjike të aksioneve të “Tirana International Airport” në vitin 2020. Përfshirja e kompanisë në këtë fushë shërbimesh për aviacionin civil do të shoqërohet me investime të dukshme dhe do të ofrojë një model biznesi, me fokus pasagjerin.

Krahas aeroportit, ndonëse në kushtet e një pandemie më shumë se njëvjeçare, kemi zgjedhur të investojmë në kapitalin njerëzor si aseti më i madh i kompanisë dhe të mbajmë të qëndrueshëm rritjen në sektorët ekzistues të kompanisë sonë: në energji, tregtinë e hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë, hoteleri, turizëm elitar, agroturizëm dhe ndërtimin e resorteve luksoze në bregdet apo portet e jahteve. Në gjykimin tonë, turizmi është e ardhmja për zhvillimin e vendit dhe “Kastrati Group” është në shërbim të këtij zhvillimi, që e përparon dhe forcon cilësinë e jetës në Shqipëri”, thotë Zëvendëspresidenti i “Kastrati Group”, z. Leonard Kastrati.

 

3. “Banka Kombëtare Tregtare”

“Banka Kombëtare Tregtare” (BKT), e cila prej disa vitesh është banka më e madhe në vend në të gjitha drejtimet, asetet, depozitat dhe të ardhurat (ndërsa ka kaluar e dyta për kreditimin e ekonomisë, pas “Credins”), është renditur e teta në dhjetë më të mëdhatë.

Qarkullimi vjetor, sipas burimeve zyrtare nga banka, ishte rreth 25.6 miliardë lekë, me rritje 2.2% nga viti i mëparshëm. Të dhënat e mësipërme për të dy vitet janë raportuar nga banka, duke reflektuar efektin neto të fitim/humbjes nga vlera e tregut për investimet në letra me vlerë.

“Banka kishte një ecuri mjaft të mirë në vitin 2020 dhe deri më tani. Objektivat tona të rritjes dhe fitimit u arritën vitin e kaluar dhe ato janë në rrugën e duhur për t’u arritur edhe këtë vit. Ne hymë në krizë me likuiditet të bollshëm dhe kapital të fortë, faktorë të cilët na ndihmuan ta shndërronim atë në një mundësi”, thotë Seyhan Pencapligil, CEO i BKT.

 

4. “Kurum International”

“Kurum International”, me aktivitet në prodhimin, tregtimin e çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit dhe energji e ka mbyllur vitin e pandemisë, me qarkullim vjetor 23.7 miliardë lekë, me një rënie të lehtë prej 3.1% me bazë vjetore. Pas pezullimit të përkohshëm të aktivitetit në prill, në kulmin e pandemisë, kompania e rimori me shpejtësi veten në gjysmën e dytë të vitit, e ndihmuar nga rimëkëmbja e ndërtimit në vend, rritja e shpejtë e kërkesës në vendet e rajonit dhe hyrja në tregun e Serbisë, si dhe shtrenjtimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Shoqëria, në vitin 2020, ka vijuar aktivitetin në prodhimin e prokateve të çelikut në fabrikën e çelikut, shufrave në fabrikën e petëzimit, gëlqeres dhe prodhimin e energjisë elektrike në katër HEC-et në pronësi të saj, sipas raportit vjetor të aktivitetit.
Më 16 mars 2016, kompania hyri në një proces “falimenti të kontrolluar” në Gjykatën e Tiranës dhe më pas, më 15 prill, u hap procedura e falimentit, për efekt ristrukturimi. Në mes të vitit 2017, u miratua plani i organizimit të kompanisë, që parashikonte kthimin e detyrimit dhe interesave deri në vitin 2023 dhe u ristrukturuan kreditë.

Sipas raportit vjetor, shoqëria vijoi me planin e ristrukturimit në 2020-n, duke shlyer 3.6 milionë euro në principale dhe rreth 2.8 milionë euro interesa ndaj kreditorëve. “Në vitin 2020, kompania me gjithë vështirësitë e krijuara në mars-qershor, periudha e kufizimeve si pasojë e Covid-19, arriti të ketë një rezultat të kënaqshëm në 6-mujorin e dytë 2020, duke amortizuar humbjet e 6-mujorit të parë”, pohon Arif Shkalla, drejtor ekonomik i “Kurum”. Ai shton se gjithsesi, shoqëria arriti të mbajë pothuajse të njëjtin nivel prodhimi dhe shitjeje, si dhe të vijojë normalisht me gjithë problematikat punën në fabrika.

 

5. “Gega Oil Group” (ish-Genklaudis)

“Gega Oil Group” (ish-“Genklaudis SH.A”) është renditur në vitin 2020, si operatori i dytë më i madh i naftës në vend, pas “Kastrati Group” për të tretin vit radhazi. Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 22.1 miliardë lekësh, me rënie 12.5% me bazë vjetore, e ndikuar nga pasojat e pandemisë në konsumin e karburanteve.

Në raportin e veprimtarisë theksohet se Shoqëria ka kryer investime në zonën energjetike në Porto Romano në Durrës dhe ka shtuar kapacitetin depozitues ekzistues për produktet që tregton. Investimi është financuar nga Banka OTP për një periudhë 5-vjeçare. Në mars 2021, operatori me shumicë i tregtimit të naftës, Genkaudis përthithi me bashkim Gega Oil, me të njëjtin aktivitet dhe pjesë e të njëjtit grup.

 

6. “Big Market”

“Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, për herë të dytë është klasifikuar ndër 10 më të mëdhatë, sipas qarkullimit vjetor të konsoliduar për të gjithë rrjetin. Të ardhurat e kompanisë, sipas të dhënave zyrtare, ishin 19.2 miliardë lekë, me një rritje prej 6.4% në krahasim me vitin e kaluar.

“Viti pandemik nuk bëri dallim në ecurinë pozitive të regjistruar ndër vite. Të gjitha degët tona ruajtën rezultate të mira, madje duke shënuar rritje dhe në varietetin e produkteve dhe të moshave të ndryshme që frekuentojnë rrjetin tonë të supermarketeve për blerjet e tyre të përditshme”, thotë Elona Koshi, CEO në “Bigalb Group”.

 

7.“Bankers Petroleum”

“Bankers Petroleum”, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, Patos-Marinzën, raportoi të ardhura rreth 15 miliardë lekë, me një tkurrje prej gati 50% me bazë vjetore, sipas burimeve të saj zyrtare (bilanci në QKB nuk është dorëzuar ende).

Sipërmarrja u prek nga pandemia në pjesën e parë të 2020-s, duke u detyruar të ndërpresë aktivitetin në prill, për më shumë se një muaj, për herë të parë në histori, por nga qershori, situata u rikthye drejt normalitetit.

“Viti 2020 ka qenë, padyshim, një nga periudhat më sfiduese për kompanitë e naftës. Çmimet e naftës shënuan nivelet më të ulëta në 20 vitet e fundit, ose në histori, duke marrë parasysh çmimin WTI, por ne vazhduam të fokusohemi në zhvillimin e këtij aseti, duke ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë punonjësit tanë dhe duke vijuar angazhimin në komunitetet ku ne operojmë”, pohon CEO i “Bankers Petroleum Albania”, Dr. Qing Fang.

 

8. “Agna”

“Agna” është distributori më i madh në vend. Në 2020-n, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte 14.8 miliardë lekë, me një tkurrje vjetore prej 6.5%, si rrjedhojë e tkurrjes së konsumit nga pandemia.

CEO i “Agna Group”, Vasil Naçi, pohon se viti i pandemisë ka qenë i vështirë, me të papritura për të gjithë shoqërinë, për biznesin në përgjithësi dhe për “Agna Group”. Gjithsesi, viti shkoi mirë për shkak të natyrës së biznesit të “Agna Group”, pra operimi në industrinë e produkteve të konsumit të shpejtë (FMCG). Gjithashtu ndihmoi shumë edhe investimi ndër vite, për të krijuar brande të dashura për konsumatorët, që janë bërë pjesë e tryezës familjare.

 

9. “Inter Distribution Service”

“Inter Distribution Service”, pjesë e “Infosoft Group”, është renditur në vitin 2020 ndër 10 më të mëdhatë e “Monitor 200”. Qarkullimi vjetor i kompanisë ishte 13.2 miliardë lekë, me një tkurrje vjetore 4.8%, nga efekti i pandemisë.
“Në kushtet e pandemisë së vitit 2020 puna ka vazhduar me ritme më të ulëta”, thuhet në raportin e aktivitetit. Po sipad këtij raporti, kompania po synon diversifikimin në vitet e ardhshme, për të bërë të mundur përmirësimin e rezultatit të saj.

 

10. “Vodafone Albania”

“Vodafone Albania”, operatori më i madh i telefonisë së lëvizshme në vend, ka raportuar të ardhura 12.7 miliardë lekë, me një tkurrje prej 20% me bazë vjetore, sipas burimeve nga kompania (bilanci në QKB nuk është dorëzuar ende)./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco