Rënie në investimet e huaja direkte

Rënie në investimet e huaja direkte

07:21, 11/06/2021
A+ Aa A-

Investimet e Hhuaja Direkte në tremujorin e parë të vitit kishin vlerën e 229 milionë eurove.

Sipas Bilancit të Pagesave të publikuar të enjten nga Banka e Shqipërisë, Investimet e Huaja pësuan rënie të lehtë me 3 milionë euro, ose rreth 1.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është niveli më i ulët i Investimeve të Huaja Direkte për tremujorin e parë, që prej vitit 2017.

Interesi i investitorëve të huaj, veçanërisht në disa sektorë strategjikë si bankat apo telekomunikacionet, në këtë periudhë ngelet i ulët. Në fund të muajit maj, edhe grupi i fundit bankar grek, Alpha Bank, shpalli vendimin për të nxjerrë në shitje bankën e vet në Shqipëri. Megjithatë, paralelisht një tjetër grup bankar i rajonit, Nova Ljubjanska Banka nga Sllovena, ka shprehur interes për të hyrë në tregun shqiptar.

Statistikat tregojnë që afërsisht gjysma e Investimeve të Huaja Direkte për tremujorin e pare të vitit ishin fitime të riinvestuara nga ndërmarrjet ekzistuese. Në vitet e fundit, fitimet e riinvestuara e kanë rritur peshën e tyre në strukturën e investimeve të huaja direkte, duke kompensuar një pjesë të rënies së flukseve të reja investuese nga jashtë.

    Vitin e kaluar, fitimet e riinvestuara përbënin rreth 44% të Investimeve të Huaja Direkte. Riinvestimi i fitimeve është karakteristik veçanërisht në degë ku kërkohen investime të konsiderueshme periodike, si në industrinë nxjerrëse, por edhe në disa sektorë të shërbimeve, sidomos në atë financiar, ku rritja e bankave kërkon edhe mbështetje me kapital të mjaftueshëm për të mbuluar asetet financiare me rrezik. Zakonisht, bankat e kapitalizojnë të paktën një pjesë të fitimit për të ruajtur parametrat e kërkuar rregullatorë.

    Me përfundimin e projekteve të rëndësishme të investimit në energjetikë, do të jetë e vështirë që në afatin e shkurtër Investimet e Huaja Direkte të kthehen në nivelet e viteve 2018-2019, kur kaluan kufrin e 1 miliard eurove çdo vit. Rënia e pritshme e ciklit të tyre u ndikua më tej edhe pandemia, që sigurisht nuk krijoi kushte të favorshme për projekte të reja të investimeve.

    Vitin e kaluar, investimet e huaja kishin vlerën e 933 milionë eurove, në rënie me 13% krahasuar me një vit më parë.

    Ndërkohë që për tremujorin I 2021 të dhënat e investimeve sipas sektorëve ende nuk janë të disponueshme, deri në fund të vitit të kaluar struktura e tyre dominohej ende nga energjetika. Megjithëse pësuan një rënie vjetore me 22%, investimet në këtë sektor sërish sollën pjesën më të madhe të investimeve, me 28% të totalit. Kriza dha një ndikim më të fortë në sektorin e industrisë nxjerrëse, ku investimet pothuajse u përgjysmuan, ndërsa rritje shënuan investimet në sektorin financiar./MONITOR

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco