Eksperimenti i BB: Bizneset shqiptare reaguan më mirë ndaj thirrjeve për zbatim të ligjit, sesa kërcënimeve

Eksperimenti i BB: Bizneset shqiptare reaguan më mirë ndaj thirrjeve për zbatim të ligjit, sesa kërcënimeve

07:25, 22/09/2020
A+ Aa A-

Tatimpaguesit shqiptarë në periudhën e pandemisë kanë reaguar më shumë ndaj thirrjeve pozitive të tatimeve për zbatimin e ligjit për deklarimin e pagave të punonjësve të tyre, sesa ndaj kërcënimeve për marrjen e masave nëse do kryenin mashtrime tatimore.

Një projekt pilot me taksapaguesit në Shqipëri ofron të dhëna të reja se çfarë funksionon në kontekstin e vendit, sipas një blogu të publikuar nga Banka Botërore, me autorë Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve, Hilda Shijaku, kryeekonomiste e Bankës Botërore dhe ekspertët e Bankës Botërore, Christoph Ungerer dhe Jonathan Karver.

Në vjeshtën e vitit 2019, administrata shqiptare e taksave filloi një iniciativë të re për të studiuar sjelljen e tatimpaguesve, në mënyrë që të identifikojë atë që funksionon në terren në kontekstin shqiptar. Ky projekt ishte në linjë me 202 institucione në të gjithë botën që OECD ka identifikuar se tashmë zbatojnë njohuri të sjelljes për të orientuar hartimin e politikave publike.

Si hap i parë, administrata shqiptare e taksave hartoi një testim rastësor (randomized controlled trial -RCT) për të testuar efektivitetin e mënyrës së së komunikimit me tatimpaguesit lidhur me nën-deklarimet e pagave të punëtorëve në listat e pagave mujore, që bizneset deklarojnë tek autoriteti tatimor.

Për këtë vlerësim, administrata tatimore zgjodhi një kampion të bizneseve të dyshuar për nën deklarimin e listave të pagave mujore në profesionet kryesore. Më pas, Tatimet projektuan letra me dy lloje të ndryshme mesazhesh, që u duheshin dërguar firmave. Mesazhi i parë theksoi natyrën e të mirave publike të deklarimeve të vërteta të listës së pagave. Mesazhi i dytë e vinte theksin në kërcënimet për zbatimin e ligjit nëse bizneset kapen duke kryer mashtrime tatimore.

Të dy llojet e letrave u krijuan duke përdorur njohuri të sjelljes për të nxjerrë në pah lexueshmërinë (p.sh., duke përfshirë thirrje të qarta për veprim në kokat e letrave dhe duke eliminuar gjuhën teknike). Projekti pilot më pas caktoi firmat në mënyrë të rastësishme në tre grupe: një grup që merrte letrën me mesazhe pozitive, një grup që merrte një mesazh për forcën e zbatimit të ligjit dhe një grup kontrolli që nuk merrte asnjë letër.

Letra që e vë theksin te efektet pozitive të deklarimit të taksave, specifikonte: “Ju duhet ta dini që pagat e padeklaruara për punonjësit tuaj janë të dëmshme për mirëqenien e tyre: kjo i privon ata nga pensioni në të ardhmen, nga përfitimet shëndetësore dhe të papunësisë që kanë fituar përmes punës së tyre, ndërsa ulin cilësinë e shërbimeve publike, nga të cilat përfitojnë biznesi juaj, familja dhe komuniteti. Si tatimpagues të këtij vendi, ne kemi përgjegjësinë dhe detyrimin qytetar për të përmbushur detyrimet tona tatimore. ”

    Letra që e vinte theksin te detyrimi i zbatimit të ligjit specifikonte: “Administrata tatimore verifikon vazhdimisht pagat, duke krahasuar ato që deklarohen nga punëdhënësit me pagat e konstatuara në treg. Ne duam t’ju informojmë se administrata tatimore do të vazhdojë të monitorojë deklaratimet e pagave tuaja dhe do të adresojë parregullsitë duke zbatuar sanksionet e parashikuara nga ligji. Ju lutemi merrni masa sa më shpejt të jetë e mundur për të korrigjuar deklaratën e pagave, pasi ne gjithashtu do të monitorojmë përgjigjen tuaj ndaj kësaj letre. ”

    Letrat u përgatitën në fund të Shkurtit 2020 – dhe bizneset e morën komunikimin në fillim të Marsit pikërisht kur kriza COVID u përshkallëzua në Evropë. Nga mesi i marsit, Shqipëria hyri në një bllokim që përfundoi vetëm në fund të majit.

    Duke pasur parasysh përkimin me pandeminë, ky pilot komunikimi jep një dritare të dobishme sesi reagojnë tatimpaguesit gjatë pandemisë ndaj mesazheve që nxisin pajtueshmërinë e taksave. Grafiku më poshtë tregon rezultatet kryesore. Mesazhet që nënvizojnë dobinë e pagesës së taksave morën rezultat dukshëm më të lartë në deklarimin e pagave, krahasuar me grupin tjetër, ku mesazhet e zbatimit me forcë të ligjit nuk dhanë ndonjë efekt të rëndësishëm.

    Ky rezultat qëndron në kontrast të fortë me shumicën e studimeve të tjera ekzistuese – të kryera në kohë më normale – që tentojnë të zbulojnë se mesazhet e zbatimit me forcë të ligjit janë më efektive.

    Blogu thekson se rezultatet nga ky projekt pilot mund të jenë specifike për kontekstin aktual të krizës. Ndërsa kapërcehet pandemia, a do të kenë më shumë efekt mesazhet e zbatimit?

    Gjatë krizës, shumë firma menaxhuan listat e tyre të pagave më aktivisht se zakonisht, në mënyrë që të përballeshin me pandeminë. Në kohë më normale, a do të bëhen deklaratat e pagave më pak reaguese ndaj komunikimeve me taksapaguesit?

    A do të jetë përmbushja e ligjit më afatgjatë, pasi firmat i rregullojnë deklaratat e tyre të pagave një herë dhe më pas ka më pak të ngjarë t’i rregullojnë ato më tej?

    Një vlerësim paralel i këtij ndikimit në pranverën e vitit 2020 që u drejtonte letrave punonjësve (në vend të punëdhënësve) nuk gjeti përmirësime të konsiderueshme të përputhshmërisë së ligjit.

    A do të përmbyset ky rezultat kur komunikimet dërgohen në një periudhë në të cilën punëtorët janë përsëri në vendin e tyre të punës (dhe vendi nuk është nën bllokim)?/MONITOR

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco