Maskat pakësojnë kërkesën e shqiptareve për buzëkuq e grim

Maskat pakësojnë kërkesën e shqiptareve për buzëkuq e grim

07:30, 15/08/2020

Mbajtja e detyruar e maskave apo puna nga shtëpia po e ndryshojnë tërësisht biznesin e kozmetikës ne vend. Shitjet për produktet e makijazhit dhe parfumeve janë përgjysmuar, ndërsa ato të kujdesit personal dhe detergjentëve u rritën 30%. Lyerja e flokëve po bëhet shumë edhe në shtëpi. Të dhënat e doganave për importet e parfumeve, produkteve të makijazhit e bojërave e konfirmojnë tendencën.

Pandemia ndryshoi sjelljen e pothuajse gjithë shqiptarëve. Dy muaj, shumica ishin të mbyllur në shtëpi. Edhe tani, shumë të punësuar kalojnë më shumë kohë në shtëpi, teksa punojnë online. Dasma, festa të tjera dhe party nuk ka më. Veshjet dhe stili i jetesës po orientohen gjithnjë e më shumë drejt prakticitetit. Maskat në ambientet e mbylluara janë tashmë me detyrim. Atëherë për çfarë duhet make-up, apo buzëkuqi?

Kjo stiatë ka riformatuar në mënyrë drastike raportin e blerjeve për produktet e bukurisë te shqiptarët. Nëse para COVID-19, shitjet në treg ishin të ndara 65% për produktet e make-up-it dhe 35% për ato të kujdesit personal dhe të pastrimit të shtëpisë, pas izolimit, ndryshoi tendenca e popullatës. Drejtoresha e Përgjithshme e Shitjeve në kompaninë “Farmasi Albania”, pohon për “Monitor” se aktualisht tregu ndahet: 65% e shitjeve janë për produktet e higjienës, kujdesit personal, detergjentët dhe 35-40% për ato të makijazhit.

Kjo tendencë konfirmohet dhe nga të dhënat zyrtare. Importet e produkteve të makijazhit kanë rënë me 6,5% me bazë vjetore për 6-mujorin, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Pas një ecurie me rritje dyshifrore për dy muajt e parë të vitit, tendenca ndryshoi tërësisht pas fillimit të karantinës. Rënia ishte mbi 30% në mars e prill dhe 19% në maj. Vetëm në qershor, pasi karantina përfundoi, importet e këtyre produkteve iu rikthyen rritjes prej 24%.

arçela Kapo, nga “Farmasi Albania”, shpjegon se si ndryshoi tendenca e shitjeve pas karantinës. Në këtë periudhë ra përdorimi i produkteve për make-up, si kremi pudër, buzëkuqet, lapsat dhe parfumet etj., ndërsa u rrit ndjeshëm përdorimi i produkteve të kujdesit personal, siç janë shampot e flokëve dhe detergjentët e pastrimit të shtëpisë. Sipas drejtoreshës së shitjeve, dy janë arsyet e rënies së shitjes së produkteve të makijazhit: shfaqja e pasigurisë te konsumatori për shkak të pandemisë dhe mbajtja e maskës, që nuk e favorizon lyerjen e fytyrës dhe të buzëve.

“Deri në muajin prill, konsumatorët ende vazhdonin të blinin produktet për make-up, pasi mendonin se karantina do të përfundonte shpejt dhe do të riktheheshin në punë. Në këtë periudhë u aplikuan edhe oferta për çmimet. Rënia e shitjeve për këto produkte nisi në muajin maj. Pas hapjes së ekonomisë, u vu re se blerësit ndiheshin të pasigurt, se sa do të vazhdonte pandemia.

Shitja e buzëkuqeve, pësoi reduktimin më të lartë në krahasim me një vit më parë. Mendoj se për këtë ndikon edhe mbajtja e maskës. Edhe kremi pudër i lehtë mbulues që është best seller në stinën e verës, aktualisht ka rënie të konsiderueshme. Në muajin korrik, kremi pudër që përdoret për make-up, shënoi rritje të lehtë, pra mund të thuhet që po e rimerr veten”.

Pandemia dhe shtimi i numrave ndikoi te rritja e shitjeve të produkteve të kujdesit personal me rreth 30% në krahasim me një vit më parë për kompaninë “Farmasi”. “Më tepër te produktet e kujdesit personal po shiten shampot për flokët, trupin, sapuni i lëngshëm për duart dhe kremrat e trupit. Rritja më e lartë e shitjeve është te detergjentët e pastrimit të shtëpisë, sidomos për larjen e dyshemeve, parketeve dhe anti-grasatorëve.

Parashikojmë që shitjet për linjën e detergjentëve dhe të kujdesit personal të rriten edhe në muajt në vazhdim. Për këtë arsye, edhe ofertat e kompanisë janë të fokusuara te këto produkte”. Parashikimet për shitjet e këtyre produkteve mbeten optimiste, edhe nëse do të ketë një mbyllje tjetër të ekonomisë në muajin shtator.

Me maskë, pse duhet buzëkuqi!

Shitja e buzëkuqeve, pësoi reduktimin më të lartë në krahasim me një vit më parë. Mendoj se për këtë ndikon edhe mbajtja e maskës. Edhe kremi pudër i lehtë mbulues që është best seller në stinën e verës, aktualisht ka rënie të konsiderueshme.

Reduktohen shitjet e parfumeve

Kërkesa për distancim fizik dhe qëndimi për një kohë më të gjatë në shtëpi ka ulur edhe kërkesën për parfume.

Të dhënat e doganave tregojnë se importet e parfumeve në vlerë ranë me 34,5% në 6-mujorin e parë të vitit, në krahasim me janar-qershor 2019.

Tkurrja më e fortë ka ndodhur në prill dhe në maj, përkatësisht me 68% dhe 62%, me bazë vjetore, që përkon me mbylljen pothuajse të plotë të ekonomisë.

“Në këtë periudhë pandemie, konsumatori po tregohet shumë i zgjuar dhe mjaft i kujdesshëm me shpenzimet. Nuk po blen më shumë produktet për makijazh dhe parfume, por gjërat më të domosdoshme për higjienën personale dhe detergjentë për pastrimin e shtëpisë. Nëse një vit më parë, individët blinin 3 lloje parfumesh për stinën e verës, aktualisht rënia është e dukshme, edhe pse çmimet e parfumeve të kompanisë janë tepër ekonomike”, pohon Marçela Kapo.

Flokët lyhen, por… me bojë supermarketi

Në karantinë u rrit ndjeshëm edhe kërkesa për blerje të produkteve për trajtimin e flokëve në kushte shtëpie. Kërkesa për aplikimin e bojërave profesionale në banesë u reduktua, ndërsa raportohen më shumë shitje të bojës me çmim më të lirë në supermarkete.

Importet e produkteve për flokët, janë tkurrur me 13,6% për periudhën janar-qershor 2020, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përveçse në janar, kur ishin me rritje, tendenca ka qenë në tkurrje në gjithë muajt në vijim, duke arritur kulmin në prill, me -26%.

Një tjetër dukuri është hyrja e produkteve më të lira, çmimi mesatar për njësi për 6-mujorin e parë 2020 ishte 6% më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave nga Doganat për importet në vlerë dhe sasi, të përpunuara nga “Monitor”.

Danjela Kapo, përfaqësuese e një salloni bukurie në Tiranë, ‘official educator’ e bojës së flokëve të markës suedeze “Maria Nila” dhe për trajtimin e flokëve me “Olaplex”, shpjegon tendencën e shfaqur nga individët për kujdesin ndaj flokëve në muajt e izolimit nga COVID-19.

“Në periudhën e karantinës, pati rritje të lartë të shitjeve për produktet e mirëmbajtjes së flokëve, siç janë shampot, zbutësit, kremrat, trajtues të markës ‘Olaplex’. Edhe për aplikimin e bojës profesionale në shtëpi ka pasur kërkesa (salloni i bukurisë nuk aplikon asnjëherë shitjen e bojës të flokëve online), por kemi konstatuar se më shumë është rritur tendenca e shitjes së bojës me çmim të lirë në supermarkete. Kjo ka ardhur për shkak të pamundësisë të njerëzve për të lëvizur dhe për të frekuentuar sallonet e bukurisë, por edhe pasi ndiheshin të pasigurt se sa do të zgjaste karantina dhe u treguan të kujdesshëm me shpenzimet”.

Me hapjen e salloneve të bukurisë në muajin maj, Danjela Kapo pohon se puna u rikthye menjëherë në normalitet. “Shqiptarët nuk e kanë ndërprerë mirëmbajtjen dhe lyerjen e flokëve të paktën një herë muaj. Jam e sigurt që sido të jetë ecuria e ekonomisë, ata do t’i gjejnë të ardhurat për trajtimin dhe mirëmbajtjen e flokëve, tendencë që po rritet gjithnjë e më shumë.

Në këtë periudhë, në sallon më së shumti po punohet me shqiptarë me nënshtetësi të huaj, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet e kaluara. Parashikojmë që në muajin shtator, pasi edhe njerëzit të kthehen nga pushimet, puna të jetë me kapacitet të plotë, si në periudhë normale.”/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco