Krizë në Buxhet, por PPP do të financohen: 61 mln euro

Krizë në Buxhet, por PPP do të financohen: 61 mln euro

07:14, 07/07/2020

Megjithëse qeveria pezulloi pagesat për së paku 4 kontrata koncesionare këtë vit, sërish kontratat PPP do të marrin 7.6 miliardë lekë financime ose rreth 61 milionë euro ketë vit, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Nga këto, rreth 2.88 miliardë lekë janë investime dhe rreth 4.7 miliardë lekë shpenzime korente.

Gjithsesi, në raport me planin fillestar, pagesat për koncesionet janë ulur me 37%.

Sipas relacionit të zbatimit të buxhetit të mesvitit, plani vjetor sipas Aktit Normativ nr.15 rezulton rreth 4.44 miliard lekë më pak se plani fillestar vjetor i vitit 2020. Krahasuar me pagesat faktike të vitit 2019 të cilat arritën vlerën 13.7 miliard lekë, pagesat e planifikuara për vitin 2020 janë rreth 6.1 miliard lekë më të ulëta ose 44.7 për qind më pak.

Për 4 koncesione nuk parashikohen fare pagesa në 2020-n, konkretisht për segmentet rrugore Milot-Malldre dhe Orikum-Dukat; ndërtimin e shkollave në bashkinë Tiranë, ndërsa për rrugët në HEc Devoll ka mbaruar kontrata.

Fillon si koncesion i ri vetëm ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore, që parashikon një buxhet praj 400 milionë lekësh.

Nga koncesionet ekzistuese, janë rishikuar fondet në ulje për të gjitha, me përjashtim të inceneratorit të plehrave në Tiranë, ndërsa janë në rritje të ndjeshme pagesat për mirëmbajtjen e rrugës Milot-Morinë.

Për inceneratorin e Tiranës pagesa rritet lehtë në 980 milionë lekë për gjithë vitin. Nëse ai merr dhe plehrat e Durrësit pagesa mund të rezultojë më e lartë.

Për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot-Morinë, pagesa e parashikuar për vitin 2020 është 810 milionë lekë, ose 42% më e lartë se fakti 2019. Vetëm 70 milionë lekë do jenë supervizion, ndërsa pjesa më e madhe e kësaj pagese do të shkojë për subvencion, si rrjedhojë e kompensimit të trafikut të munguar nga pasojat e Covid-19.

Rishikimi më i madh është bërë për rrugën e Arbrit (-57%), që është dhe koncesioni që i merr me shumë para buxhetit, me 1.7 miliardë lekë në 2020-n.

Sterilizimi do të paguhet 40% më pak se në 2019-n, me 1.3 miliardë lekë.

Skanimi në dogana është rishikuar me -44%, por gjithsesi ai e ka marrë 80% të fondit që për 5 mujor.

Koncesioni i dializës ka një rënie të fondeve me rreth 9%.

Të përgjysmuara priten dhe pagesat për check-up, i cili u pezullua për shkak të pamundësisë së realizimit nga Covid-19.

Me rishikim të thellë në ulje janë dy inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit (përkatësisht -64 dhe -75%).

Pagesat për 5 mujorin

Sipas relacionit të financave, pagesat faktike për periudhën 5 mujore të vitit 2020, në total rezultuan në rreth 3.54 miliardë lekë ose 46.7% e planit vjetor 2020, ndërkohë që në 5 mujorin e vitit 2019 këto pagesa arrinin nivelin 7.7 miliardë lekë ose 56% e planit vjetor 2019.

Pagesat për koncensionet këtë vit kanë rënë edhe për faktin se kanë përfunduar pagesat për kontratën “Ndërtimi, Operimi dhe Transferimi (BOT) HEC mbi lumin Devoll, rimbursimi i ndërtimit të rrugëve zëvendësuese”, kontratë e cila ka përfunduar në vitin 2019.

Pagesat e muajit Maj 2020 rezultuan në masën rreth 418.95 milion lekë ose rreth 43.9 milion lekë më pak se pagesat e muajit Prill.  Pagesa më e lartë e realizuar në muajin Maj është pagesa prej rreth 130 milion lekë për kontratën e “Shërbimit të Skanimit në Dogana”, pagesë e cila përbën 31 përqind e totali të pagesave për muajin Maj dhe rreth 15.5 për qind të planit total vjetor, të ndryshuar, për këtë kontratë.

Për periudhën 5 mujore, niveli më i lartë i pagesave është realizuar në muajin Shkurt me rreth 1.12 miliardë lekë, ku financat veçojnë pagesën prej 390 milion lekë për kontratën e MIE “Ndërtim, Operim dhe Mirëmbajtje e Rrugës Milot-Morinë”, pagesë e cila përbën 48 përqind të planit vjetor 2020 për këtë kontratë.

Kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat konçesionare/PPP për vitin 2020, prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit 2019, përllogaritet në rreth 21.3 miliard lekë. Në nivel vjetor, pagesat e planifikuara për vitin 2020, për kontratat koncesionare/PPP, përbëjnë rreth 1.78 përqind të totalit të të ardhurave tatimore faktike të vitit 2019, duke respektuar në këtë mënyrë rregullin fiskal prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës. Në nivel 5-mujor, pagesat neto të realizuara të kontratave koncesionare/PPP, përbëjnë vetëm 0.83 përqind të totalit të të ardhurave tatimore faktike të vitit 2019, prej rreth 426.27 miliard lekë/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco