Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Çmime që fluturojnë/ Pse kemi fruta-perime të shtrenjta në treg?

Çmime që fluturojnë/ Pse kemi fruta-perime të shtrenjta në treg?

15:19, 07/05/2020
A+ Aa A-

Kush ka bërë pazar për fruta-perime javët e fundit ka konstatuar rritje dhe luhatje të ndjeshme të çmimeve. Mbiçmimi është një fenomen i zakonshëm dy vitet e fundit në tregje dhe mbështetet nga statistikat zyrtare të INSTAT, që për muajin Mars flasin për një shtrenjtim me 25% të këtyre produkteve.

Nga ferma tek konsumatori final, produkti kalon në disa duar, si grumbulluesit apo shitësit. Vlera finale në treg nis me koston e prodhimit, e më pas çdo hallkë shton shpenzimet dhe marzhin e vet të fitimit. Prodhimi më i mirë është i destinuar për eksport, ndërsa një pjesë e vogël i drejtohet tregut vendas, një arsye më shumë që fryn çmimet për shqiptarët.

Në serat e Lushnjes puna vazhdon e pandërprerë nga pandemia. Vladimir Çela zotëron këtë fermë të familjes prej gati 30 vjetësh. Sot ai po bën vjeljen e dytë të domates, që do të dërgohet për t’u shitur tek pika e grumbullimit. Pavarësisht se çmimet në kryeqytet kanë kapur majat, këtë vit Ladi nuk ka mundur ta ndiejë këtë rritje në xhep, por përkundrazi, me 50 lekë për kilogram, ai deklaron se nuk arrin të sigurojë një fitim.

Vështirësinë këtë vit, e shprehin edhe fermerë të tjerë. Sipas tyre as reduktimi i TVSH-së për inputet bujqësore nuk arriti të ulë kostot e tyre, e vetmja zgjidhje që do të rriste edhe përfitimin.

Në pikat e grumbullimit tregu është shumë i luhatshëm shprehen fermerët. Çka do të thotë se çmimi i blerjes mund të ndryshojë ndjeshëm gjatë ditës.

Ejup Ahmeti është një shqiptar nga Ferizaj, që prej mbi një dekade bën biznes në Shqipëri, duke grumbulluar prodhimin dhe duke e eksportuar atë në mbi 27 vende të Europës. Tashmë kompania e tij është në fazat e fundit të një investimi prej 10 milionë eurosh, që do të rriste ndjeshëm kapacitetet magazinuese dhe do të zgjidhte njëherë e mirë problemin e luhatshmërisë së çmimeve të tregut, si për fermerët, ashtu edhe për konsumatorët që do të furnizoheshin rregullisht me fruta-perime.

Në pritje të investimeve të tilla, fermerët kërkojnë një mbështetje më të madhe nga qeveria, ku e para në listën e kërkesave është subvencionimi i prodhimit dhe e fundit është rregullimi i tregut, që asnjë prej hallkave të mos abuzojë dhe secili të paguajë dhe paguhet aq sa i takon.

A2 CNN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco