Mali i borxheve/ Si u shfry ‘Konferenca e Kreditorëve’

Mali i borxheve/ Si u shfry ‘Konferenca e Kreditorëve’

12:36, 18/02/2020
A+ Aa A-

Ajo që nisi me seriozitet nisi të merrte tone qesharake nga fundi.

Konferenca e Donatorëve për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit dukej normale deri në momentin kur Gjermania, shteti më i fuqishëm ekonomikisht në Europë, deklaroi se do japë 11 milionë euro ndihmë me grante. Ishte e vetmja shifër që bënte sens.

Më pas amerikanët thanë se ndihmën e tyre do e japin vetëm për të mundësuar transparencë.

Ajo që pasoi më vonë ishte një ‘lumë’ me qindra miliona euro që trullosën këdo. Kur deliri mbaroi, u mësua se afro 900 milionë euro ishin ofruar si kredi, për vendin më të mbushur me borxhe në Europë.

Image

Grafika e borxhit publik

Gazetari Besart Kadia publikoi një grafikë që tregon se si ka lëvizur kurba e borxhit publik të Shqipërisë gjatë dekadës së fundit. “Ka qejf të rritet,” shkruan ai, duke ironizuar Konferencën e Donatorëve. Kurse analisti Dritan Shano tha se kjo nuk ishte Konferenca e Donatorëve, por e Kreditorëve.

Kurse gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri bëri një shpjegim për TvT. Tomorri thotë se pavarësisht vullnetit të mirë, qeveria nuk do të mund t’i thithë këto fonde. “Ato shtrihen në të paktën 3 vjet. Janë fonde të targetuara dhe ti nuk i përdor dot në fusha të tjera. Qeveria, edhe sikur të ketë vullnetin e mirë, nuk do të arrijë t’i thithë dot këto fonde. Ato para janë me destinacion dhe nuk mund të përdoren për të mbyllur gropat e buxhetit. Do të jenë për të rindërtuar, për strehimin, infrastrukturën publike, shkolla, spitale, rrugë dhe një pjesë e tyre mund të jenë projekte me target zhvillimin ekonomik të vendit. Ndarja e saktë mbetet për t’u parë sepse edhe vetë qeveria është e paqartë”, tha ai.

Lidhur me mundësinë e abuzimit me fondet për rimëkëmbjen, Tomorri tha se mekanizmat e kontrollit që ka premtuar BE-ja do të shërbejnë si garanci dhe masë parandaluese. “Raste katastrofash natyrore rreziku për abuzime është i madh. Ka zotim nga BE, që do të ngrenë mekanizma kontrolli. Kjo është një garanci shtesë që minimizon riskun për abuzime”, tha ai.

Ndërsa lidhur me ndihmën në formën e kredive, sipas Tomorrit, qeveria ka një tavan, të cilin nuk mund ta kalojë. “Shqipëria ka kapacitet për të absorbuar 300 milionë euro kredi në vit. Një nga bizneset më të mëdha të bankave në Shqipëri është blerja e borxhit. Edhe po të dojë qeveria të marrë më shumë borxh, ka një ligj që e pengon. Nuk do të ketë ndryshim buxheti, shpenzimet totale mund të ndryshojnë, por borxhi dhe të ardhurat jo”, tha ai.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco