Mekanizmi i Kontrollit është më i rëndësishëm sesa vetë Eurot që na dhuruan

Mekanizmi i Kontrollit është më i rëndësishëm sesa vetë Eurot që na dhuruan

23:33, 17/02/2020

Nga Pano Soko -

Para së gjithash, besoj se të gjithë shqiptarët do të duhet t'iu thonë një "FALEMINDERIT" të madh popujve që vendosën t'iu qëndronin në krah në këtë moment nevoje. Sikur një cent të ishte, prapë iu themi Faleminderit - Italisë, Francës, Gjermanisë, Turqisë, SHBA e me rradhë.

Por më tepër sesa për lekët, dhurata më e madhe që po na bëjnë është "Mekanizmi i Kontrollit". Pra ata do ta monitorojnë vetë rindërtimin.

Dhe po e shpjegoj më poshtë pse Mekanizmi i Kontrollit është më i rëndësishëm sesa vetë Eurot që na dhuruan.

E para.

Sepse që ta kuptojmë. Ata sot nuk na kanë dhënë 350 milionë Euro donacion, na kanë dhënë 1 miliardë Euro donacion.
350 milionë Euro na i dhuruan fizikisht dhe 700 milionë na i shpëtuan me programin e tyre të mbikëqyrjes së shpenzimeve.

Nëse ata nuk do të na dhuronin 350 milionë, atëherë do të na duhej t'i shpenzonim vetë këto lekë nga taksat (sepse shtëpitë do të ndërtoheshin gjithsesi).
Po ne e dimë sa e kemi koefiçentin në këto raste - 1 në 3. Për çdo lek të shpenzuar vidhen 2 lekë të tjera. Për 350 milionët, i bie të abuzoheshin 700 milionë të tjera.
Realisht do shpenzoheshin 350, ne do na thuhej kushtuan 1 miliardë. Pra në fund do të dilnin në total nga xhepi ynë 1 miliardë Euro.
Fakti që përdorimi i fondeve do të monitorohet nga donatorët, sapo na shpëtoi 1 miliardë Euro.

Prandaj iu them donatorëve faleminderit për 1 miliardshin që na shpëtuat.

E dyta.

Lexova reagimin e Taulant Ballës që nxitoi ta quante aprovimin e shumës totale 1.15 miliardë Euro, si besim që donatorët kanë tek programi i rindërtimit të Qeverisë që kërkoi 1 miliardë Euro.

Jo! Ata e dinë që Rama kërkoi 1 miliardë, por realisht i duheshin 400 milionë €. Prandaj kërkuan monitorim të rreptë. Se e dinë ça Rame është ai. Dhe që të jemi korrekt, shifra e dëmit për rreth 3 mijë familje që kanë mbetur pa shtëpi, 8 mijë familjet që kanë shtëpitë e dëmtuara dhe rreth 100 ndërtesa publike, nuk shkon më shumë se 400 milionë Euro. Prandaj ata dhuruan përafërsisht aq. Dhe që të mos merren për budallenj, vendosën që t'i kontrollonin vetë. Sepse ata i dinë kostot. E dinë që kostoja e një apartamenti nuk shkon më shumë se 25-30 mijë Euro.

E treta.

Nëse mekanizmi i kontrollit të përdorimit të fondeve do të shtrihet dhe tek huatë, atëherë unë jam dy herë i lumtur që po na japin ato kredi. Jo vetëm sepse hua të tilla janë zakonisht pa interes, ose me interes shumë të vogël 0.5-0.75% dhe me shlyerje që fillon pas disa vitesh, por edhe për një fakt tjetër.

Qeveria shqiptare ka vendosur që këtë vit të marrë vetë 600 milion Euro kredi (Eurobond me interes që pritet të shkojë jo më pak se 3.5%) që do t'i përdorë siç do vetë, pa kontroll (rrush e kumbulla me një llaf). Nëse ne pranojmë huatë e donatorëve që kontrollohen nga vetë ata (pra ku s'i bën dot lekët rrush e kumbulla), atëherë nuk do të dalim në Eurobond, sepse përmbushet tavani buxhetor i borxhit. S'merr dot më borxh qeveria.
Pra më mirë 800 milionët e donatorëve, se 600 milionët e Eurobondit.

Si përfundim, nëse Mekanizmi i Kontrollit të Donatorëve shtrihet për të gjithë shumën 1.15 miliardë, kjo do të thotë që 1.15 miliardë Euro do të injektohen të plota në ekonomi. Dhe kjo është fantastike.

Nëse ata nuk do të kontrollonin, atëherë nga e gjithë shuma, nja 300 milionë do të përfundonin tek njerëzit. 800 milionët e tjera do shkonin ku kanë shkuar gjithmonë...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco