Bizneset nuk e shfrytëzojnë arbitrazhin

Bizneset nuk e shfrytëzojnë arbitrazhin

06:57, 13/01/2020
A+ Aa A-

Zgjidhja e një kontesti ekonomik mes bizneseve në gjykatat e Kosovës mund të zgjasë me vite të tëra. Ndërkohë në zyrat e arbitrazhit, të cilat funksionojnë në kuadër të odave ekonomike në vend, thuhet se kontestet mund të zgjidhen brenda një periudhë gjashtëmujore.

Por, pavarësisht kësaj, bizneset vazhdojnë të mos iu drejtohen këtyre qendrave të arbitrazhit dhe numri i rasteve që trajtohen nga këto qendra mbetet i ulët.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane (OEAK), Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga funksionimi i qendrës së arbitrazhit në OEAK, numri i kontesteve ekonomike të zgjidhura është mbi dhjetë raste, që sipas tij, është i ulët.

Ai thotë se bizneset nuk po shfrytëzojnë arbitrazhin për zgjidhjen e kontesteve ekonomike, pavarësisht përfitimeve që mund t’i kenë.

“Procedurat për zgjidhjen e kontesteve përmes arbitrazhit janë shumë efikase. Në rastin e një kontesti më kompleks, ato nuk zgjasin më shumë se gjashtë muaj dhe të njëjtat aktvendime që lëshohen nga Tribunalet e Arbitrazhit, vetëm konfirmohen nga gjykatat përkatëse të shtetit dhe të njëjtat mund të përmbarohen. Aktgjykimet në arbitrazh apelohen vetëm në aspektin procedural”, thotë Zeka.

Kontestet ndër biznesore të cilat paraqiten në Tribunalin e Arbitrazhit në Odën Amerikane, thotë Zeka, janë të natyrave të ndryshme. Kryesisht bëhet fjalë për moszbatim të dispozitave kontraktuale ose keqinterpretim të këtyre dispozitave ndërmjet bizneseve.

“Përdorimi i arbitrazhit do të zvogëlonte edhe numrin e rasteve që shkojnë në gjykatë dhe i nënshtrohen vonesave që bëhen në zgjidhjen e tyre. Prej dy deri tri vjet në njërën prej instancave gjyqësore, mund të zgjasë një zgjidhje e një kontesti ekonomik mes bizneseve”, thotë Zeka.

Që nga viti 2011, në Kosovë janë hapur disa qendra të arbitrazhit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve biznesore, të cilat mund të shfrytëzohen për t’i shmangur proceset e gjata gjyqësore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco