Paralajmërimi/ Kujdes nga mashtrimi me transfertat e parave

Paralajmërimi/ Kujdes nga mashtrimi me transfertat e parave

16:39, 05/08/2019
A+ Aa A-

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka dhënë alarmin për shtimin e rasteve të mashtrimeve financiare  nëpërmjet ndërhyrjeve në e-mail në dëm të individëve, bizneseve apo klientëve të ndryshëm të bankave.

Ky fenomen është konstatuar më së shumti në Tiranë, por dhe në disa qytete të tjera të vendit ku humbjet janë të konsiderueshme si për individët ashtu edhe për bizneset.

Personat të cilët kryejnë këtë veprimtari përdorin adresa dhe mesazhe të rreme në emër të bankave apo dhe subjekteve të tjerë që shesin produkete apo shërbime.

E-mailet e rreme i njoftojnë klientët që për arsye auditi apo probleme fiskale duhet të ndryshojnë  të dhënat e llogarive bankare dhe konkretisht numrin identifikues IBAN.

Në këtë mënyrë klientët bien preh e mashtrimit dhe kryejnë pagesa në një tjetër llogari bankare që kontrollohet nga personat e përfshirë në aktivitetin e jashtëligjshëm.

Të dëmtuarit kuptojnë që kanë qenë viktimë mashtrimi vetëm pasi pagesa rezulton se nuk është bërë ose malli i porositur nuk dorëzohet.

Në këto raste pala e dëmtuar nuk ka mundësi rikuperimi të pagesave që ka kryer, pasi ato tërhiqen menjëherë nga mashtruesit të cilët fshehin identitetin.

Nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave bëhet e ditur se janë evidentuar edhe të dhëna të tjerë për rastet e mashtrimeve, të cilat përfshijnë edhe rastet që kanë të bëjnë me devijimin e transfertave bankare.

Gjithashtu nga Drejtoria e Krimit Kibernetik bëhet e ditur se gjatë vitit 2017 janë regjistruar 140 raste, ndërsa në 2018, 115 raste.

Për sa përket numri të rasteve të mashtrimit, nga viti 2017 me 1 vit më pas, rezulton se ka ulje të numrit të rasteve,  por fondet e humbura janë në vlera të konsiderueshme monetare.

Për këtë arsye Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave apelon qytetarët që para se të kryejnë veprimet të kryhet një komunikim paraprak me telefon me kompanitë partnere për tu siguruar që ndryshimet janë bërë për arsye legjitime dhe miratohen prej tyre paraprakisht, përpara se të vijohet me transferimin e vlerave monetare. /OraNews

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco