Shpenzimet që u rëndojnë më shumë shqiptarëve

Shpenzimet që u rëndojnë më shumë shqiptarëve

08:59, 23/06/2019

Shqiptarët shpenzojnë më shumë për ushqime dhe arsim, europianët për banesë dhe argëtim. Shpenzimet për ushqime, arsim dhe komunikim u rëndojnë më shumë familjeve shqiptare në krahasim me një familje europiane…

Ushqimi është nevojë bazike e njeriut që të mbijetojë. Kur vjen puna te shpenzimet e familjeve shqiptare, ato për ushqime kanë peshën më të madhe në totalin e shpenzimeve dhe, pasi plotësojnë nevojën kryesore, me ato çka ju mbetet përmbushin nevojat e tjera. Pesha e shpenzimeve për ushqime e familjeve shqiptare është 44.1% e totalit të parave që ata kanë në dispozicion për të shpenzuar, më e larta në Europë.

Ndryshe ndodh me shpenzimet e familjeve në vendet e Bashkimit Europian, ku shpenzimet për ushqime zënë vetëm 12.2% të totalit. Krahasuar me shpenzimet mesatare të një familje që jeton në Bashkimin Europian, në Shqipëri shpenzimet për ushqime peshojnë në totalin e shpenzimeve 3.6 herë më shumë.

Edhe arsimi u rëndon më shumë familjeve shqiptare në raport me një familje mesatare të BE-së. Sipas të dhënave të Eurostat, shpenzimet për arsim të një familje në BE janë sa 1.1% e totalit të shpenzimeve. Ndërsa një familje në Shqipëri, ato u peshojnë sa 3.9% e totalit, thuajse 2 pikë përqindje më shumë se familjet në BE. Edhe për komunikim, familjeve shqiptare iu rëndon më shumë se atyre europiane. Sipas INSTAT, pesha e shpenzimeve për komunikim ishte sa 3.4% e totalit, ndërsa në BE shpenzimet për komunikim zënë 2.5% të shpenzimeve totale të familjeve, mbështetur në të dhënat e Eurostat.

Image

Ushqimet zënë peshën kryesore të shpenzimeve të familjeve në Ballkan, Shqipëria mban rekord

Në Ballkanin Perëndimor, pjesa më e madhe e shpenzimeve të familjeve shkojnë për të siguruar ushqimin. Megjithatë, duke bërë një krahasim midis tyre, shpenzimet për ushqime janë shumë më të larta në Shqipëri. Pas Shqipërisë, Maqedonia e Veriut është vendi ku shpenzimet për ushqime janë më të larta, me rreth 36.8% të totalit të shpenzimeve që ato kryejnë, ndjekur nga Kosova me 34.1%.

Ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Malin e Zi, shpenzimet për ushqime zënë gati çerekun e totalit të shpenzimeve, me një peshë përkatësisht 24.5% dhe 24.3%. Ndër vendet e rajonit, Serbia ka peshën më të ulët për këtë grup, me rreth 17.3% të totalit. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka shpenzimet më të ulëta për sa i përket grupit të shpenzimeve për banesë, energji, ujë dhe qira. Ndërsa më të lartin e kanë Serbia dhe Kosova, me 14.5%.

Shqipëria me shpenzimet më të larta për shëndetin në rajon

Për sa u përket shpenzimeve për shëndet, Shqipëria mban rekordin në rajon me 3.9% të totalit të shpenzimeve, thuajse sa mesatarja e BE-së prej 4%. Në rajon, shpenzimet për shëndetin variojnë nga 1.3% në Kosovë, në 3.1% në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Arsimi na kushton më shumë

Shumë vende të Bashkimit Europian po ndjekin politika lehtësuese për të mundësuar arsim cilësor për të gjitha shtresat. Shumë Universitete në BE nuk aplikojnë tarifa studimi për shtetasit e BE-së, ndërsa arsimi financohet kryesisht nga taksat dhe jo tarifat. Kjo është reflektuar edhe në peshën që zënë shpenzimet për arsim në totalin e shpenzimeve të familjeve europiane me 1.1% të totalit. Kurse në rajon, shpenzimet janë edhe më të ulëta nga 0.2% në Maqedoni, me 0.9% në Serbi dhe Kosovë dhe 1.1% në Malin e Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë.

/Marrë me shkurtime nga Monitor.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco