Importet e larta të miellit serb zëvendësohen me grurë

Importet e larta të miellit serb zëvendësohen me grurë

07:47, 07/04/2019

Importet e miellit me origjinë nga Serbia po zëvendësohen me grurë, ndërkohë që fabrikat vendase të blojës kanë nisur të rikuperojnë humbjet. Importet e drithërave nga Serbia u rritën me rreth 29% në vitin 2018 dhe zunë 42% të totalit të tregut, e dyta pas Rusisë.

Si po ndryshojnë tregtarët shqiptarë burimet e furnizimit me grurë nga Rusia në Serbi dhe sa të sigurt janë konsumatorët.

Një anketë e fundit e ISHP-së ka gjetur se anemia te fëmijët është rritur me gati 9% nga viti 2008-2018 si rezultat i kequshqyerjes nga buka pa proteina. Industria e blojës po rikuperohet nga zëvendësimi i importeve të miellit me grurë

Bizneset e blojës u shfaqën disi më të qeta këtë vit, pasi importet e larta të miellit serb pa standardet e proteinave janë zëvendësuar me grurë. Për tre vite rresht, 2015-2017, sasi të mëdha mielli që zhdoganoheshin nga pikat e doganore me Kosovën për prodhim biskotash me proteina 9, më pas futeshin në tregun e pakicës duke u shitur për miell buke. Çmimi më i ulët me të cilin shitej ky lloj mielli, përveçse cenoi rëndë sigurinë ushqimore në vend, gati sa nuk çoi në faliment fabrikat e mëdha të blojës.

Alarmi në të cilin u vunë prodhuesit çoi në frenimin e importit të miellit, i cili është zëvendësuar me grurë gjatë vitit 2018. Sipas të dhënave nga doganat, importet e grurit pas një rënie sistematike që nga viti 2012, pësuan rritje me 15% në vitin 2018, kurse importet e grurit nga Serbia u rritën në të njëjtin vit me 28%.

Roland Hysaj, administrator i fabrikës së prodhimit të miellit “Miell Tirana”, pohoi se ky vit paraqitet disi më mirë nga pikëpamja e volumit të punës në raport me vitet e shkuara, pasi institucionet shtetërore vepruan duke frenuar importet pa standarde të miellit. Ai pohoi se situata është përmirësuar edhe në drejtim të sigurisë ushqimore pasi importet e grurit janë më të sigurta, teksa bluarja në fabrikat vendase siguron një fortifikim më të lartë të miellit e për rrjedhojë, siguron më shumë cilësi. Zoti Hysaj tha se sektori i përpunimit të miellit është duke vuajtur pasojat e mbiinvestimeve dhe rënies së konsumit, për shkak të rënies së popullsisë dhe ndryshimit të stilit të jetesës.

Gjatë viteve 2015-2017, fabrikat e blojës pësuan humbje sistematike, për shkak të konkurrencës nga importet e miellit pa standarde. Gjatë vitit 2017, një nga operatorët më të mëdhenj në vend, fabrika “Atlas”, shënoi rënie të ardhurash me 32% në raport me 2018. Administratorët e saj grekë, për shkak të situatës së vështirë financiare në të cilën u ndodhën, e nxorën në shitje dhe tani “Atlas” administrohet nga kompania vendase “Besniku”.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit AKU, nëpërmjet drejtorit Agron Hetoja, garantoi se tashmë çështja e importit të miellit pa standarde është një problem që i përket së shkuarës. Hetoja tha se AKU i monitoron importet e produkteve ushqimore në vijimësi në pikat e kalimit kufitar. Ai tha se përmbajtja e proteinave kontrollohet sipas kërkesave të përcaktuara në ligj jo më pak se 9 për ëmbëlsirat dhe për bukë mbi 12.

Administratori i fabrikës së miellit “Bloja”, Adi Haxhiymeri, pohoi se tani mielli serb është zëvendësuar me grurë. Por ai foli me dyshime për standardet e cilësisë grurit serb, pasi ai lë për të dëshiruar. Nga ana tjetër, cilësia e bukës në tregje nuk ka ndryshuar por në zonat periferike dhe qytete, cilësia dallon dukshëm në raport me Tiranën./MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

t07/04/2019 08:28

Kush e futi miellin serb,perveç baton kriminelit me lejen e ram superhajdutit

Shto koment