RAPORTI/ FMN godet qeverinë: TVSH-ja për bizneset e vogla nuk rriti të ardhurat

RAPORTI/ FMN godet qeverinë: TVSH-ja për bizneset e vogla nuk rriti të ardhurat

17:03, 03/04/2019

Për Fondin Monetar Ndërkombëtar, përfshirja e 13 mijë bizneseve të vogla në zinxhirin e tatimit mbi vlerën e shtuar, ka dhënë impakt të ulët në rritjen e të ardhurave tatimore. FMN ka bërë një analizë të sistemit të administrimit tatimor në Shqipëri, në bazë të një projekti që kishte me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për dhënien e asistencës teknike në këtë fushë.

Raporti thotë se përfshirja e biznesit të vogël në këtë skemë ka sjellë efekt negativ në punën e administratës tatimore, pasi kosto e kontrollit të bizneseve është më e lartë se të ardhurat që janë arkëtuar në buxhet.

“Zgjerimi i regjistrit të TVSH-së do të ketë një ndikim të vazhdueshëm negativ në kostot e punës së administratës tatimore, pa patur një efekt të konsiderueshëm në mbledhjen e të ardhurave”, thonë nga FMN.

FMN veçon po ashtu faktin e problematikës së rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, i cili në tetor të 2018-s arriti në 144 milionë $, nga ku rezulton se shumica e kompanive që nuk kanë marrë në kohë TVSH-në janë eksportuese.

“Si në rastin që autoritetet tatimore kërkojnë pagesën në kohë të taksave, edhe rikthimi i taksës nga shteti për biznesin duhet të jetë në kohë, vijon raporti.

FMN nuk bie dakord as me politikat fiskale përjashtuese nga sistemi tatimor, siç është përjashtimi nga TVSH për sektorin e turizmit apo ulja e tatimit mbi fitimin për disa kategori biznesesh.

“Disa nga këto ndryshime mund të komplikojnë regjimin tatimor dhe të hapin mundësinë për shmangien e taksave”, lexohet në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Borxhi që bizneset i kanë administratës tatimore në shtator të 2018-ës arriti në 1 miliard dollarë, ku më shumë se gjysma e tij zotërohet nga firma të mbyllura. FMN rekomandon që të ndërtojë një strategji për të eliminuar korrupsionin e inspektorëve si dhe të rikthejë në administrimin e Tatimeve strukturën e apelimit të vendimeve të biznesit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

tironci03/04/2019 17:31

Po ca ka bo tmire ky qe te ket bo tvsh e biznesit vogel. I than mijra vete sesht koha se me ket korrupsion qe ka Shqipnija sesht koha me e apliku. Bisneset e vogla ishin ne maje te penit dhe kjo takse ja kputi fare dhe u myllen shumica. Ky o kriminel ska llaf tjeter per te. E mjere veni qe ka nji kriminel ne krye.

Shto koment